Rritja e çmimeve: Qytetarët e Kosovës u drejtohen bankave për kredi

Euro

Rritja e çmimeve të produkteve po i shtyn qytetarët e Kosovës që t’u drejtohen bankave edhe për mbulimin e shpenzimeve për gjëra ushqimore. Hyrja në kredi mbetet opsioni i vetëm për shumë familje kosovare.

Nëse analizohen raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, në total, vërehet rritje prej 12.7 për qind e totalit të kredive të lëshuara për muajin prill krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas raportit mujor të BQK-së, vlera e përgjithshme e kredive ka arritur në 5 miliardë e 141 milionë euro, apo 29 për qind më shumë se para dy vjetësh.

Në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, një rritje kanë pësuar edhe depozitat, duke arritur shifrën mbi 6 miliardë e 31 milionë euro. Nga kjo mbi 4 miliardë euro i përkasin ekonomive familjare. Vlerë kjo më e lartë sesa ajo e vitit të kaluar, ndonëse ka pasur inflacion.

Ulje ka shënuar norma e interesit për dy për qind, krahasuar me vitin e kaluar sa ishte 6.3%. Në këtë mes kreditë bujqësore mbajnë normën më të lartë të interesit, me 9.5%.

Pavarësisht normës së interesit, kërkesat për kredi ende mbeten të larta. Sipas Anketës së Kreditimit Bankar në Kosovë, kërkesa kreditore nga ekonomitë familjare në përgjithësi ka shënuar rritje. Prej tyre kërkesat per kredi konsumuese kanë shënuar rritje me të lartë, sesa kërkesat për blerje shtëpish. Gjersa viteve të kaluara banka të caktuara kanë dhënë kredi për të shkuar në det, me pagesë deri në 12 këste, sivjet ende nuk janë shpalosur oferta të tilla.

Buletini Ekonomik ka kërkuar të dhëna nga BQK-ja mbi numrin e kredimarrësve në Kosovë, dhe numrin e qytetarëve që u janë drejtuar bankave në pjesën e parë të këtij viti, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Të dhëna ekzistojnë vetëm për vitin 2023. Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë këtij viti. /Valëza Fusha/