Gacaferi: Angazhimet më të dështuara në zhvillimin e turizmit mbeten Brezovica dhe Borea

“Për zhvillim më të hovshëm turistik në Kosovë, urgjentisht duhet mbrojtur ambientin dhe përmirësuar për 100 herë menaxhimin e bërllogut në Kosovë”, ka thënë në një intervistë për Buletinin Ekonomik, Virtyt Gacaferi, njohës i mirë i zhvillimeve turistike. Sipas tij, është i domosdoshëm themelimi dhe financimi i duhur i Agjencisë për promovimin dhe zhvillimin e turizmit, e cila do të mirrej me projekte investimi dhe promovimi.

Mehmet GJATA

Kosova ka një super turizëm me Diasporën, përderisa pjesa tjetër lë shumë për të dëshiruar. Kjo është thjeshtë rrjedhojë e asaj se në Kosovë ka shumë pak investime në turizëm, sidomos nga pushteti qendror, ka thënë në një intervistë më të gjërë për Buletinin Ekonomik, Virtyt Gacaferi, njohës i mirë i zhvillimeve në lëmin e turizmit, njëherit edhe bashkëpronar i kompanisë Balkan Natural Adventure. Paraprakisht Virtyti ka një karrierë të pasur me më shumë se 10 vjet në gazetari, disa vjet në organizata zhvillimore si UNDP dhe në sektorin bankar dhe financiar.

Sipas tij, Kosova ka pasur shumë pak investime të mëdha turistike që nga përfundimi i luftës. Investimet janë koncentruar në asfalt, që ka multiplikator apo kthim shumë të vogël. Me koston e 10 kilometrave autostradë, Gacaferi thotë se Brezovica do të bëhej super qendër e skijimit. Me 10 kilometra të tjerë do bëhej edhe Borea.

Gacaferi në intervistën për Buletinin Ekonomik, ka thënë se përveç mungesës së investimeve, Kosova nuk ka as agjenci për promovimin e turizmit, dhe kjo punë është lënë në margjina të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të huaja KIESA, e cila është e nënfinancuar dhe nuk ka mjaft staf.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova nuk ka një faqe zyrtare për promovimin e turizmit apo shpërndarjen e informatave për vendin. Kosova nuk ka një brend turistik. Kosovës i mungojnë gjërat themelore për zhvillimin e turizmit.”

Intervistën e plotë me Virtyt Gacaferin, mund ta lexoni në vazhdim:

Buletini Ekonomik: Cila është gjendja reale e deritashme dhe ajo aktuale e turizmit në Kosovë?

Virtyt Gacaferi: Turizmi në Kosovë është i varur për pjesën më të madhe nga numri i kosovarëve që vijnë nga Diaspora. Sipas definicionit të turistit – sipas Organizatës Botërore të Turizmit, diaspora bënë pjesë në këtë kategorizim. Për rëndësinë e kësaj ardhjeje nuk e besoj se duhet të flas, pasi përbënë një të ardhur kryesore për bizneset e bazuara në konsum në Kosovë. Për këtë grup të turistëve, sektori privat ka investuar shumë në klube të natës në Prishtinë si dhe restorane familjare në tërë Kosovën. Këtu mund të përmendim zhvillimin e restoraneve në Radavc të Pejës pranë Drinit të Bardhë, apo edhe investimet si Vali Ranch në Gjilan. Sa i përket turizmit të tërheqjes së vizitorëve të huaj, Kosova ka numrin më të vogël të turistëve në rajon. Mirëpo, njëkohësisht, duhet pasur parasysh se ka më së pakti resurse. Megjithatë, edhe resurset ekzistuese për turistë të huaj nuk janë duke u shfrytëzuar. Unë gjithmonë marr shembull Brezovicën ku nuk mundemi as ta pastrojmë bërllogun, e lëre më të zhvillojmë diçka më shumë. Për ta përmbledhur, Kosova ka një super industri të turizmit të varur nga Diaspora, kurse përtej saj situata nuk është e mirë.

Buletini Ekonomik: Pse Kosovës, sipas jush, praktikisht, me vite të tëra, i mungojnë edhe rezultatet, edhe rendimentet turistike – që ia vlejnë për t’u shënuar, ose pse janë kaq të varfëra bilancet e deritashme turistike të Kosovës?

Virtyt Gacaferi: Siç thash edhe më lartë, Kosova ka një super turizëm me Diasporën, përderisa pjesa tjetër lë për t’u dëshiruar. Kjo është thjeshtë rrjedhojë se në Kosovë ka shumë pak investime në turizëm, sidomos nga pushteti qendror. Kosova ka pasur shumë pak investime të mëdha turistike që nga përfundimi i luftës. Investimet janë koncentruar në asfalt, që ka multiplikator apo kthim shumë të vogël. Me koston e 10 kilometrave autostradë, Brezovica do të bëhej super qendër e skijimit. Me 10 kilometra të tjerë do bëhej Borea. Mirëpo, qeveritë duke parë dashurinë e kosovarëve për asfalt, nuk kanë bërë investime kapitale që do kishin ndikim në ekonomi, por kanë vendosur të bëjnë vetëm asfalt. Kjo nuk do të thotë që asfalti nuk është i nevojshëm, por duhet të investohet në mënyrë proporcionale dhe duke zgjedhur prioritetet. Përveç mungesës së investimeve, Kosova nuk ka agjenci për promovimin e turizmit, kjo punë është lënë në margjina të Agjencisë për Promovimin e Invetimeve të huaja – KIESA, e cila është e nënfinancuar dhe nuk ka mjaft staf. Kosova nuk ka një faqe zyrtare për promovimin e turizmit apo shpërndarjen e informatave për vendin. Kosova nuk ka një brend turistik.

Foto 1: Pamje nga bjeshkët e Sharrit nga vizita e tursitëve polak. Photo Karo Krasinska.

Kosovës i mungojnë gjërat themelore për zhvillimin e turizmit. Në anën tjetër të mos lëmë prapa, komunat kanë punuar në këtë drejtim. Nën udhëheqjen e Komunës së Pejës si lider në turizëm, janë zhvilluar Via Ferratat si atraksione turistike si dhe disa shërbime të tjera të turizmit të avanturës.

Foto 2: Via Ferrata Pejë, photo Balkan Natural Adventure.

Në këtë rrafsh ka pasë një ndihmë të madhe të qeverisë Zviceriane përmes një projekti të organizatës Sëisscontact, që ka bërë më shumë se të gjitha qeveritë bashkë më herët. Pastaj Prizreni, Deçani dhe deri diku edhe Istogu, kanë bërë investime me mundësitë e tyre. Gjithashtu sërish me iniciativë të komunave, ku më vonë është mbështetur nga institucionet qendrore, është zhvilluar turizmi i Festivaleve me Dokufestin si pionier i kësaj pune, pastaj me Anibarin, Pri Film Festin, Hardh Festin e tash me Festivalin Sunny Hill, që është ndoshta edhe qershia në majë të tortës.

Te festivalet duhet përmendur edhe festivalet tradicionale dhe folklorike, të cilat kanë nevojë për përkrahje në mënyrë që të internacionalizohen. Këtu mund të përmendim festivalin folklorik në Deçan, Klinë si dhe festivalet tradicionale në fshtrat e Sharrit dhe Rugovës.

Buletini Ekonomik: Si do t’i vlerësonit ju angazhimet dhe preokupimet e qeverive dhe të institucioneve vendimmarrëse të deritashme të vendit për zhvillimin e turizmit dhe pse këto autoritete të shtetit nuk u treguan të gatshme për t’i vështruar me sy kritikë dështimet tona turistike, dhe as për të ndërmarrë ndonjë hap më konkret për t’i tejkaluar ngecjet në këtë fushë, ndërkohë që dështimet në zhvillimin e turizmit janë evidente dhe të shumta? Ose, pse në Kosovë turizmi vazhdon të mos ketë asnjë prioritet, as në komunat e veçuara me resurse “serioze turistike”?

Virtyt Gacaferi: Siç përmenda më lartë, ka munguar angazhimi serioz i qeverive në zhvillim në përgjithësi, e në turizëm në veçanti. Më lehtësisht përmenden gjërat e mira dhe pastaj të dihet se të gjithë të tjerat janë keq. Një nga sukseset më të mëdha të qeverive qendrore në Kosovë është privatizimi i Aeroportit, i cili sipas meje ka qenë i suksesshëm dhe ka sjellur shërbime të mira në Kosovë. Rruga që lidhë Kosovën me Shqipërinë, për ndryshim nga ajo që lidhë me Maqedoninë, ka ndihmuar në rritjen e turistëve nga Shqipëria. Përkundër ndikimit pozitiv të rrugës për Shqipëri, sikur kjo shumë të investohej në Brezovicë apo edhe gjenerim të energjisë, ndikimi do të ishte shumë më i madh se rruga. Ka mundur të bëhet edhe një rrugë më modeste dhe të ketë të ardhura edhe për stacionet e skijimit edhe për rrugë. Në këtë rrafsh nuk shoh ndonjë iniciativë të re dhe mungesa e këtyre iniciativave mbetet gjithnjë keq. Sa i përket turizmit kulturor, tash kemi një angazhim të shtuar të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit në prezentimin e trashigimisë kulturore, që janë veprime në drejtim të mirë, mirëpo është shumë pak në krahasim me atë që do të mund të bëhej. Ulpiana dhe Dresniku mbulojnë xhevahirë të arkeologjisë të cilat do të mund të ndihmonin në rritje të turistëve. Këtu duhet investuar shuma të mëdha.

Angazhimet më të dështuara, të cilat shpresoj se nuk do mbeten të tilla janë, Brezovica dhe Borea. Unë besoj se në të dy rastet teleferikët dhe infrastruktura e mirëmbajtjes së shtigjeve duhet të jetë shtetërore, pasi për sektorin privat rreziku dhe shuma e lartë e investimeve nuk është e përballueshme. Në rastin e Brezovicës është për të qeshur me ceremoninë kushtuar një projekti, që përfshiu një kryeministër dhe dy ambasadorë (ShBA dhe Francë), e cila përfundoi pa “asnjë gozhdë të ngulur” në këtë projekt.

Në rastin e Boresë, sipas njoftimeve zyrtare, investimi kishte mbetur “vjerrë” për një leje mjedisore, të cilën më në fund e dha kjo qeveri. Tash duhet të shofim nëse projekti do të realizohet. Sërish këtu komuna ka ecur, sipas mundësive të veta, me punët e kërkuara, por bllokimi është bërë në qeverinë qendrore. Unë mendoj se njerëz me kompetenca në qeveri nuk kanë pasur aftësi të vizionimit të projekteve të mëdha, përveç kur ato kanë ardhë nga jashtë, siç janë autostradat.

Sa i përket komunave, ato janë kampione në drejtimin e zhvillimit të turizmit, mirëpo kapaciteti i tyre është i vogël.

Buletini Ekonomik: Në vendet me potencial real për zhvillimin e turizmit, në Malet e Sharrit, në Bjeshkët e Nemuna, në Grykë të Rugovës, te Burimi i Drinit të Bardhë, Prevallë dhe në shumë vende të tjera, pos imazhit të mrekullueshëm që ka falë natyra, ka mungesë infrastrukture – si një ndër parakushtet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, mungojnë terrenet sportive, mungojnë pishinat, shtigjet e biçikletave etj., që do të përmbushnin nevojën e turistit të jashtëm dhe atij vendor. Pse, sipas vlerësimeve tuaja, vazhdojnë këto mungesa? Ku qëndrojnë shkaqet, te neglizhenca institucionale, mungesa e parave, apo mungesa e ideve, apo te paaftësitë dhe injoranaca e zyrtarëve kompetentë për nxitjen dhe zhvillimin e kësaj dege ekonomike?

Virtyt Gacaferi: Unë mendoj që infrastruktura fizike, pishinat, terenet sportive, rrugët e mëdha nuk janë problemi më i madh. Problemi i zhvillimit të turizmit mendoj se fillon nga resurset qeveritare për këtë gjë. Në Qeverinë e Kosovës ende nuk ka një njeri që është 100 për qind i angazhuar për zhvilimin e turizmit. Ka zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë Industrisë dhe Inovacionit, të cilët mirren me rregullim të turizmit dhe së voni edhe me strategji, por nuk ka dikush që mirret me planifikimin e investimeve, përzgjedhjet e tyre dhe zbatimin e tyre.

Tash është një “hallakamë” e madhe se kush për çka është përgjegjës! Ministria e Bujqsisë mirret me agro-turizëm, MTI me rregullativë, Ministria e Kulturës me turizmin e kulturës, Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës me gjëra të tjera. Nuk ka një person apo departament që do i bënte këto bashkë dhe do kishte fuqinë politike për të orientuar fondet.

Buletini Ekonomik: Z. Gacaferri ju jeni një njohës i mirë i zhvillimeve të turizmit, dhe sipas vlerësimeve tuaja, çka duhet bërë urgjentisht dhe çka tjetër në staza më afatgjata, për të lëvizur dhe për të nisur më hovshëm ngjalljen e turizmit në Kosovë?

Virtyt Gacaferi: Urgjentisht duhet mbrojtur ambientin dhe përmirësuar për 100 herë menaxhimin e bërllogut në Kosovë. Themelimi dhe financimi i duhur, po e them dy herë FINANCIMI I DUHUR i agjencisë për promovimin dhe zhvillimin e turizmit. Kjo agjenci do të mirrej me projekte investimi dhe promovimi. Duhet financuar përmirësimin e shtegut Peaks of the Balkans në Kosovë. Ai anashkalohet nga turistët pasi shumë pjesë të shtegut malor të ecjes në Kosovë janë asfaltuar. Duhet të mirëmbahet dhe investohet edhe në dy shtigjet tjera, High Scardus Trail dhe Via Dinarika. Këto do të ishin aktivitete që kanë nevojë për shumë konsulencë dhe planifikim dhe pak investim. Sa i përket konsulencës, qeveritë e kanë problem të marrin konsulentë të mirë pasi ato sulmohen nga mediet “për shkak të mëditjeve të larta”. Kështu shpesh përfundojmë me gjysmë konsulentë, që nuk e kryejnë punën mirë. Mendoj se kritikat e medieve nuk duhet të vendosin për politikat.

Foto 3: Pamje nga Gjeravica maja më e lartë e Kosovës. Photo Ken Space për Balkan Natural Adventure.

Udhëheqësit e mirë i dëgjojnë kritikat, i shpjegojnë politikat e veta, por nuk ndryshojnë strategji pse disa gazetarë mendojnë ndryshe. Mendoj se projekti që duhet zbatuar menjëherë është Brezovica dhe përmirësimi i Brodit. Shkurtimisht, investimi në Brezovicë do dukej kështu: Një sistem të menaxhimit të destinacionit që duhet dhënë sektorit privat si kontratë. Duhet të ndërtohen dy teleferikë të ri, dy ose tri makina për përpunimin e borës, dy ose tri makina për borë artificiale si dhe parkingje. Normalisht se duhet pasur një kompani konsulente për një projekt, mirëpo investimet do të ishin kaq, me një projekt deri në 50 milionë do të kemi një xhevahir dimëror në Kosovë. Paralelisht duhet ndihmuar sektorin privat edhe në Brod dhe realizimin e Boresë në Pejë. Gjithashtu, duhet shikuar bjeshkët e Deçanit për një turizëm të nivelit superior duke ruajtur egërsinë e këtyre bjeshkëve madhështore. Këto bjeshkë gjatë dimrit ta zënë frymën me bukuritë e tyre magjike!

Foto 4: Pamje nga Bjeshkët e Nemuna, e bërë gjatë vizitës së ekspertëve të ki turing organizuar nga Balkan Natural Adventure, përkrahur nga Swisscontact dhe Komuna e Pejes. Photo Simon Schopf.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, ju a shihni mundësi turistike kosovare të jetësimeve të vizioneve për të valorizuar potencialet që ofron turizmi edhe te vlerat historike, arkeologjike, kulturore? Ose, pse nuk bëhet më shumë për promovimin e turizmit shëndetësor, për të cilin nuk është se nuk kemi resurse të dëshmuara reale, siç është Banja e Pejës, ajo e Kllokotit, të njohura me ujërat e ndryshme termale, por edhe me goxha inrastrukturë dhe kapacitete të qëndrimit në to?

Virtyt Gacaferi: Resurse ka. Resursi më i madh i Kosovës janë njerëzit e saj të mirë dhe mikpritja që e bëjnë ata. Kjo ndonjëherë duket si klishe por, kjo është një e vërtetë e madhe. Për resurset tjera të përmendura dhe në këtë rrafsh, dua të theksoj se Banja e Pejës, sikur Aeroporti, është gjithashtu një privatizim i suksesshëm dhe pronarët e tashëm kanë sjellë standard të ri në këtë fushë. Kjo banjë punon mirë. Sa i përket Banjës së Kllokotit nuk kam informacion dhe nuk mund të them asgjë. Kosova ka strategjinë e vet të zhvillimit të turizmit, tash duhet ndërtuar kapacitetet, zhvilluar tutje këtë strategji dhe duhet investuar. Kosovës i duhet një trup përgjegjës pë këtë punë.

Buletini Ekonomik: Cili është mendimi juaj personal për të bërë hapa më të rëndësishëm të krijimit të imazheve më joshëse turistike dhe fundja edhe nisjes së krijimit të një identiteti turistik, që do të përfshinte dhe do të potenconte potencialet reale turistike të Kosovës?

Virtyt Gacaferi: Siç thash edhe më herët, duhet të fillojë me një ekip serioz që do merrej me këtë punë dhe vullnet politik për ndarjen e fondeve.

Buletini Ekonomik: Dhe, krejt në fund, cili është më konkretisht misioni i kompanisë suaj “Balkan Natural Adventure”, kompanisë dinamike të turizmit ndërkombëtar me seli në Pejë? Cilat janë rezultatet dhe cilat janë vizonet e kompanisë suaj për promovimin e drejtpërdrejtë, apo në çfarëdo mënyre të potencialeve turistike të Kosovës?

Virtyt Gacaferi: Balkan Natural Adventure është kompani lidere në turizmin e avanturës që ofron shërbime në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni dhe që vitin e ardhshëm feston 10 vjetorin e themelimit. Ne si kompani, krahas përkushtimit të veçantë për zhvillimin e produkteve të reja, zhvillimin strategjik të kompanisë, marketingut dhe digjitalizimit, synojmë të risim numrin e të punësuarve, investimeve dhe të profesionalizohemi. Kemi arritur që rajonin ta promovojmë përmes mediave ndërkombëtare duke përfshirë Financial Times, BBC, RAI dhe shumë mediume të tjera. Gjithashtu jemi shumë të lumtur që disa nga guidat tona tashmë kanë hapur kompanitë e veta të ngjajshme me tonën dhe kanë sukses të madh. Ky është elementi i multiplikatorit, pra shumëzimit të praktikës së mirë. Shpresoj se tour-operatorët të bëhen sikur pompat e benzinës dhe të arrijmë të dominojmë rajonin. Mendoj se rritja e numrit të tour-operatorëve është mënyra e vetme për profesionalizimin e sektorit. Dikush nga kolegët i konsideron ata konkurrencë, ndërsa ne i shohim ata si reflektim i punës tonë të mirë: produktin e keq nuk ta kopjon askush. Ne kemi bërë produkt të mirë. /Buletini Ekonomik/