Buletini Ekonomik sjellë “rëntgenin” e kurdisjes së tenderit të MSH-së për blerjen e Rezonancës Magnetike për Spitalin e Prizrenit. Konflikt interesi, raporte private biznesore mes zyrtarëve të përfshirë në proces, e deri te përshtatja e specifikave, janë disa nga telashet që e përcollën tenderin afër 1 milionësh për pajisjen kineze.
Agon Sinanaj
Furnizimi me Rezonancë Magnetike për nevoja të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, është bërë me dyshime për konflikt interesi dhe presione për të nënshkruar tenderin për një aparaturë kineze të padëshmuar në tregun e Kosovës e të rajonit.
Në këtë proces të dyshimtë, tenderi iu besua kompanisë që është në konflikt interesi me njërin prej anëtarëve në Komisionin Vlerësues, kurse tjetri në raporte private biznesore. Po ashtu, dyshohet për kurdisje të specifikave në favor të kompanisë fituese nga zyrtarët e përfshirë në proces.
Komunikimet e brendshme zbardhin ndërhyrjet në proces nga zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Bankës Botërore në favor të prodhuesit kinez, duke i ndryshuar specifikat e tenderit dy ditë para se të mbyllej afati për dorëzimin e ofertave.
Kompania kosovare “NeuralMed”, në konzorcium me prodhuesin nga Kina “United Imaging Healthacare”, ishin shpallur fituese në një garë të ngushtë me prodhues të njohur ndërkombëtar të rezonacave, si Siemens dhe Philips.
Buletini Ekonomik ka siguruar dosjen e plotë të këtij tenderi që peshon 907 mijë euro, prej të cilave vetëm pajisja kushtoi 785 mijë euro.
“Lidhje familjare” me drejtuesit e kompanisë fituese
Tenderi nga Ministria e Shëndetësisë ishte shpallur më 7 shkurt 2023, në kuadër të një kredie të marrë nga Banka Botërore. Ndërsa, procedurat e prokurimit që u adaptuan nga BB, i udhëhoqi Njësia e Bankës Botërore brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
Më datë 15 mars 2023, me kërkesë të zyrtarit të prokurimit në MSH, Afrim Bajramit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dërgoi tre emra për Komisionin Vlerësues.
Kryesues i Komisionit u caktua Agron Boshnjaku, zyrtar i lartë për pajisje mjekësore në QKUK, ndërsa si anëtarë u caktuan Muharrem Sadiku, radiolog në QKUK dhe Arsim Kabashi, radiolog në Spitalin e Prizrenit. Ky i fundit më vonë u zëvendësua me Sylejman Krasniqin, po ashtu radiolog në Prizren.
Hulumtimi zbulon se kryesuesi i Komisionit, Agron Boshnjaku, është në konflikt interesi me kompaninë që doli fituese e këtij tenderi, “NeuralMed”. Ai është në lidhje familjare me pronarët e kësaj kompanie. Ndërsa, anëtari tjetër Muharrem Sadiku, në raporte private biznesore, pasi gjatë kohës së tenderit bleu pajisje mjekësore prej “NeuralMed” për spitalin e tij privat “Unicamed”.
Për Agron Boshnjakun ekziston edhe një vendim për konflikt interesi nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, i datës 21 mars 2023. Në të thuhet se “për shkak të pretendimit për konflikt interesi, zëvendësohet kryesuesi i komisionit Agron Boshnjaku me Besim Zeqirin, inxhinier i Biomjekësisë”.
Në vendimin për konflikt interesit, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, nuk ceket se cila është lidhja e Boshnjakut me kompaninë fituese, por në një email të drejtorit financiar të SHSKUK, Enver Gashit, përmendet si arsye “lidhja familjare”.
“Pas kërkesës suaj për caktimin e 3 anëtarëve të komisionit vlerësues për aktivitetin e prokurimit “MRI Imaging scanner for Regional Hospital Prizren ëith UPS”, ne propozuam antarët e komisionit, mirëpo anëtari Agron Boshnjaku ka kërkuar që të zëvendësohet për arsyen e konfliktit të interesit (ndër ofertuesit familjar) andaj me sygjerimin e zyrës së paisjeve dhe zv. Drejtoreshës së Përgjithshme, ju propozojmë që Agron Boshnjaku të zëvendësohet me Besim Zeqiri Inxhinjer Biomjeksor”, thuhet në emailin e Gashit.
Përkundër se në email thuhet se vetë Boshnjaku ka kërkuar largimin nga komisioni pasi kishte mësuar se është në konflikt interesi me njërin operator, Boshnjaku, i kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ka mohuar lidhjet familjare me drejtuesit e “Neuralmed”.
Fillimisht, ai ka thënë se i njeh pronarët e kësaj kompanie, derisa më vonë gjatë bisedës ka mohuar të ketë çfarëdo njohje me ta.
“Ish-shefi im para dy vjete që ka qenë, i kam thënë pse me ke fut mu në komision kur nuk është punë e jona, për çka me e marrë unë përgjegjësinë për punën e dikujt tjetër. Edhe s’kom deshtë me qenë edhe u harru ajo punë. Ky është problem i jemi zotëri, unë s’kom deshtë me qenë në komision. Nuk kom deshtë me u marrë me telashe që nuk janë të QKUK-së. I kanë ekspertat e vetë Prizreni, pse nuk i ka shti ekspertat e vet Prizreni”, ka thënë Boshnjaku.
Me drejtuesit e kompanisë “Neuralmed”, ai thotë se nuk ka lidhje familjare. Por kur është pyetur se pse i pëlqen në rrjete sociale postimet e kësaj kompanie që nga viti 2020, Boshnjaku ka dhënë një version tjetër.
“Postimet në facebook ua pëlqej se ai djali ka punu nja dy herë dikun tjetër. Nja dy herë a tri ua kam pëlqy postimet se rast i rrallë është me ua pëlqy unë dikujt postimet”, ka thënë ai.
Ndërsa kur është pyetur se a është në dijeni se ekziston edhe një vendim i MSH-së ku përmendet emri i tij për konflikt interesi, ai ka thënë:
“Po le bre se çka shkruan në letra, as që kom pa najherë diçka”.
Buletini Ekonomik pas kësaj i është drejtuar me pyetje MSH-së dhe SHSKUK-së për t’i ballafaquar pretendimet e Boshnjakut. Të dyja kanë mohuar pretendimin e tij se “nuk ka qenë në dijeni për konfliktin e interesit”.
“Pikërisht për të evituar mundësinë e konfliktit të interesit është bërë ky ndryshim. Z. Boshnjaku ka kërkuar të zëvendësohet me dikë tjetër pikërisht për të evituar mundësinë e konfliktit të interesit me njërin nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në procesin e prokurimit”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Media e MSH-së.
Të njëjtën e kanë pohuar edhe nga SHSKUK.
“Lidhur me pyetjet tuaj, ju njoftojmë se z. Boshnjaku ka deklaruar se ka konflikt interesi, pa sqaruar detajet, kurse si zëvëndësim ShSKUK ka caktuar z. Besim Zeqiri”.
Edhe Muharrem Sadiku, i kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ka konfirmuar se largimi i Boshnjakut nga Komisioni ka ardhur pasi ai është ndodhur në “konflikt interesi me njërin nga aksionarët e kompanisë NeuralMed”.
Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK) aksionari i vetëm në NeuralMed është Amir Marovci. Ky, në një bisedë përmes telefonit, ka mohuar se ka pasur ndikime nga kushdo për ta nxjerrë të parën kompaninë “NeuralMed” në këtë tender.
Anëtari i dytë votoi për “NeuralMed” dhe bleu pajisje nga kjo kompani për biznesin e tij privat
Muharrem Sadiku është anëtari i dytë i emëruar në Komisionin Vlerësues. Ai është radiolog në QKUK dhe po ashtu njëri nga pronarët e spitalit privat “Unicamed” në Gjilan.
Buletini Ekonomik ka gjetur se Sadiku kishte blerë pajisje mjekësore, konkretisht një CT, nga “NeuralMed” për biznesin e tij privat, gjatë kohës sa ishte anëtar komisioni në tenderin e MSH-së.
Pak më shumë se një muaj pasi kishte nënshkruar për ta shpallur fituese kompaninë “NeuralMed” në tenderin e MSH-së, Sadiku i kishte dërguar kërkesë për ofertë kësaj kompanie për ta furnizuar me një CT spitalin privat “Unicamed”, ku Sadiku është njëri nga aksionarët. Kjo ndodhi gjatë kohës sa tenderi ishte ende aktiv, pasi kompanitë tjera në garë kishin ushtruar ankesa.
Më datë 20 korrik 2023, Komisioni Vlerësues ku Sadiku është anëtar, e shpalli kompaninë “Neuralmed” fituese të tenderit për furnizim me rezonancë magnetike për Spitalin e Prizrenit.
Në muajin pasues, Sadiku dërgoi tek “NeuralMed” kërkesë për ofertë për të blerë pajisje, një CT për spitalin e tij privat, Unicamed.
Buletini Ekonomik ka siguruar ofertën e “NeuralMed” e cila titullohet “Ofertë për Dr. Muharrem Sadiku”, e cila mban datën 6 shtator 2023.
I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, Sadiku nuk e ka parë problematike faktin që ka blerë pajisje nga “NeuralMed” për spitalin e tij privat, një muaj pasi kishte votuar që kjo kompani ta fitojë një tender publik.
“Po kam ble CT për spitalin në Gjilan, jo rezonancë magnetike. Po e kam ble prej NeuralMed, i kam pas 3 oferta, ma e lira ka qenë oferta e tyre”, ka thënë shkurt ai.
Kur është pyetur se a nuk e ka konisderuar konflikt të mundshëm interesi, faktin se ka blerë pajisje për biznesin e tij privat në kompaninë që ka votuar për të në një tender publik dhe në kohën kur tenderi ishte ende aktiv, Sadiku ka dhënë një sqarim jo fort të qartë.
“Jo kjo është problemi ma i vogël për shkak se na kemi vendos si grup i doktorrave”, është shprehur ai.
Ai thotë se i njeh drejtuesit e kompanisë “NeuralMed”, për shkak të profesionit si radiolog, sikurse ka njohje, siç thotë ai, edhe me përfaqësuesit e kompanisë Philips e Siemens.
Në arkivën e “NeuralMed” në rrjete sociale që e ka hulumtuar Buletini Ekonomik, edhe Sadiku, sikurse Boshnjaku, i pëlqen në vazhdimësi postimet e kësaj kompanie. Së paku kjo kishte ndodhur në pesë raste ndër vite.
“Kurdisja” e specifikave për prodhuesin kinez
Megjithatë, ky tender nuk është problematik vetëm për lidhjet e anëtarëve të Komisonit Vlerësues me kompaninë fituese. Ndryshimi i specifikave të tenderit dy ditë para se të kalonte afati për dorëzimin e ofertave, ngre dyshime të forta edhe për përshtatje të kushteve të tenderit një operatori të caktuar.
Specifikat e tenderit u hartuan nga radiologët e Spitalit të Prizrenit. Pjesa kryesore e një rezonance magnetike është diametri i pjesës hyrëse dhe pjesa që më së shumti e afekton çmimin e kësaj pajisje. Preferohet që standardi i diametrit të jetë 70 cm e më lartë. Radiologët e Spitalit të Prizrenit në krye me Sylejman Krasniqin, kishin vendosur që diametri i pjesës hyrëse të jetë sipas standardit – 70 cm.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të dokumentit me specifikat e tenderit të përpiluar nga radiologët e Prizrenit.
Mirëpo, përkundër faktit se specifikat e tenderit ishin përgjegjësi e radiologëve të Prizrenit, një pjesë e këtyre specifikave nuk i kishin pëlqyer zyrtarit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë për projektet e Bankës Botërore, Afrim Bajramit.
Ai, përmes një emaili të datës 6 mars 2023, kishte kërkuar nga drejtoria e SHSKUK-së që të urdhëronte radiologët e Spitalit të Prizrenit që t’i ndryshonin disa specifika të tenderit, sidomos njërën prej tyre.
“Pyetja me nr. 5 (sipas specifikave teknike kërkohet (shiko “3.2. Patient bore diameter to be ≥ 70cm or more”). 3.2. Diametri i shpimit të pacientit të jetë ≥ 70 cm ose më shumë. Pyetja që është parashtruar është nëse “mund të lejohet që diametri i shpimit të pacientit të jetë ≥ 55-60 cm ose më shumë. Tani, ekipi i radiologëve duhet te japi një sqarim”, thuhet në email.
Kërkesa e zyrtarit të MSH-së ishte që diametri i pajisjes nga 70 cm të bie në 55 cm e më lartë. Madje, ai edhe ua përgatit drejtorisë së SHSKUK-së – fjalinë që duhet t’ua dërgojnë radiologëve të Prizrenit për ta bërë këtë ndryshim.
“P.sh. ata mund të theksojnë që: “diametri i shpimit të pacientit të jetë ≥ 55-60 cm ose më shumë” është i pranueshem pasi që nuk paraqet kufizime për ekzaminime”, thuhet në kërkesën e Bajramit.
Kjo specifikë është ndryshuar nga Njësia e Bankës Botërore në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ku punon edhe zyrtari i prokurimit, Afrim Bajrami.
Në anën tjetër, kompanitë në garë: Philips, Siemens dhe Medika, derisa po zhvillohej ky diskutim në MSH, ishin në përfundim të përgatitjes së ofertave sipas specifikës fillestare ku thuhej që diametri i rezonancës duhet të jetë 70 cm.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte data 14 mars 2023, ditë e martë. Mirëpo, këto plane ua prishi një email i datës 10 mars që e pranuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë email, zyrtari i MSH-së, Afrim Bajrami në fund të orarit të punës të ditës së premte, i njofton ofertuesit për një ndryshim në disa specifika të tenderit. Ai kërkon që ofertat t’i dorëzojnë sipas specifikës së ndryshuar, me diametër 55 cm e më lartë. Për këtë ndryshim, siç shihet në email, zyrtari i MSH-së nuk u jep afat shtesë kompanive për përgatitjen e ofertave sipas specifikave të reja.
Fatmir Gashi, menaxher në “Medbrand”, e cila e ka përfaqësinë e Siemensit për Kosovë, sipas letërkëmbimit të siguruar, i kërkon Bajramit afat shtesë për përgatitjen e ofertave, pasi, sipas tij është e pamundur që për dy ditë të përgatitet oferta sipas specifikave të reja.
Gashi, në një prononcim për Buletini Ekonomik, ka thënë se këtë ndërhyrje e ka parë më shumë si përpjekje të zyrtarëve të MSH-së për t’i eliminuar nga gara prodhuesit ndërkombëtar si Siemens dhe Philips.
“Emaili ka ardhë ditën e premten në fund të orarit. Të martën kemi pasë me i dorëzu ofertat. Dosja është dashur të dorëzohet në dokumente origjinale. Ka qenë e pamundur që dokumentet të vijnë në kohë nga vendi amë i kompanisë përmes postës sepse dy ditët pasuese kanë qenë vikend”, thotë Gashi.
Ai thotë se është detyruar të ofertojnë me specifikën fillestare, gjë që kanë dalë me çmim më të shtrenjtë se oferta e kompanisë fituese.
Nga ana tjetër, kompania fituese “NeuralMed” e cila përfaqëson prodhuesin nga Kina “United Imaging Healthcare”, doli me çmim më të lirë, paski kishte ofertuar sipas specifikave të reja, të ndryshuara në momentin e fundit nga zyrtarët e MSH-së. Në ofertën e tyre të dorëzuar në MSH, pajisja shihet se ka diametër të pjesës hyrës 60 cm dhe jo siç ishte kërkuar fillimisht nga radiologët e Prizrenit prej 70 cm.
Të gjithë përfaqësuesit e kompanive në garë me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, thonë se krejt kjo është bërë qëllimisht për ta nxjerrë fituese prodhuesin nga Kina.
Nga MSH-ja kanë mohuar “këto pretendime”, duke thënë se ndryshimet kanë qenë kërkesë e vetë komapnive në garë, mirëpo pa e specifikuar ndonjë emër të përveçëm.
‘Revolta’ e radiologut të Prizrenit dhe “presioni” e lavdet e zyrtarëve të MSH për prodhuesin kinez
Sylejman Krasniqi, radiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, ndryshe nga Muharrem Sadiku e Besim Zeqiri, kishte refuzuar ta nënshkruante këtë tender.
Krasniqi, dyshimet për prodhuesin kinez të rezonancave magnetike, i kishte shprehur përmes një emaili që ua kishte dërguar zyrtarëve të lartë të MSH-së.
Në këtë email që e ka siguruar Buletini Ekonomik, radiologu Krasniqi thotë se Prizrenit po i vjen një rezonancë nga një prodhues i panjohur për Evropë dhe që i shet këto pajisje vetëm në vendet e Afrikës.
“Ne radiologët e Prizrenit nuk jemi aspak të kënaqur me aparatin e Rezonancës, i cili po pritet të zgjidhet dhe të sillet në Spitalin e Prizrenit. Është një aparat kinez me performanca jo të njohura dhe i cili nuk është instaluar askund në rajon”, thuhet ndër të tjera në letrën e Krasniqit.
Nga letërkëmbimi vërehet se ndaj Krasniqit ishte ushtruar presion në forma të ndryshme. Krejt kjo, pasi ai kishte refuzuar që ta vendoste nënshkrimin e tij në vendimin për dhënien e tenderit. Nga emailat kuptohet se zyrtarët e MSH-së nuk donin që Zyrës së Bankës Botërore t’i shkonte raporti i komisionit me një nënshkrim më pak.
Për këtë arsye, zyrtari i prokurimit në MSH, Afrim Bajrami, ishte aktivizuar sërish, tash në një email të datës 12 korrik, me të cilën i drejtohej Sekretarit të Përgjithshëm në MSH, Naim Bardiqit.
Aty, Bajrami i njofton eprorët për “revoltën” e radiologut të Prizrenit, duke e përmendur si opsion edhe anulimin e tenderit.
Në të njëjtin diskutim, kishte ndërhyrë edhe anëtari i Komisionit, Muharrem Sadiku, duke shtuar se me këtë veprim radiologu Krasniqi është duke rrezikuar që t’i lë pa rezonancë magnetike qytetarët e Prizrenit.
Përkundër presionit, Krasniqi refuzoi që ta vendoste nënshkrimin e tij. Hapësira për nënshkrim ku figuron emri i tij si anëtar komisionit në këtë tender, mbeti e zbrazët.
Zyrtari i prokurimit në MSH, Afrim Bajrami u detyrua që ta njoftojë Bankën Botërore për këtë zhvillim. Në një email të datës 24 korrik, ai ia dërgoi një email Mrika Aliut, zyrtare në Bankën Botërore, zyra në Kosovë, ku e njoftonte se është zgjedhur kompania fituese, pa nënshkrimin e njërit prej 3 anëtarëve të Komisionit Vlerësues.
Aliu, në vend që ta trajtonte këtë problem në instanca më të larta, në emalin e saj i “thur lavde” prodhuesit kinez të përzgjedhur fitues.
“Prodhuesi United Imaging Healthcare Co., LTD është një kompani kineze me rritje të shpejtë, me një prezencë të konsoliduar edhe në Evropë dhe në SHBA, dhe me një portofol të këtyre aparateve të teknologjisë së lartë”.
Buletini Ekonomik ka kërkuar nga Aliu të ofrojë dëshmi për këto vlerësime për prodhuesin kinez, por në përgjigjet e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, thuhet se përgjegjësinë për tenderin në fjalë e ka Ministria e Shëndetësisë. /Buletini Ekonomik/
(Në pjesën e dytë mund të lexoni sesi rezonanca magnetike “Made In China” iu shit Kosovës dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut për këto pajisje në Kinë”