Në fund të mandatit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar nënshkrimin e kontratave me komunat për çështjen e banimit të përballueshëm dhe social. Deri tash janë nënshkruar kontratat me pesë komuna, tri prej të cilave udhëhiqen nga VV’ja. Kurti kishte premtuar se banimi i përballueshëm do të mundësohej brenda këtij mandati.
“Një shoqëri është aq e fortë sa hallka e saj më e dobët – e banimi te ne është hallkë bukur e dobët”, deklaronte kryeministri Albin Kurti në prill të vitit 2021, teksa akuzonte qeveritë e kaluara se e kishin lënë pas dore këtë çështje.
Në takimin e komitetit këshillues për studimin e fizibilitetit për programin e banimit social, Kurti premtonte se gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojnë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.
“Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, deklaronte Kurti.
Si plan thoshte se i dedikohet çifteve të reja, grave kryefamiljare por edhe shërbyesve publik si arsimtarëve, infermierëve, policëve, zjarrfikësve apo edhe administratës publike.