Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se finalizimi i reformes pensionale pritet të bëhet në mandatin e ardhshëm, pasi sipas tij mbështetja për pensionistët nuk ka përfunduar me rritjen prej 20%.
Kurti, ka thënë se të gjitha rritjet që janë bërë deri tani kanë qenë për të zbatuar programin qeverisës në mënyrë që të ndihmohen së pari ata që kanë nevojë më së shumti.
“Puna jonë për rritjen e mbështetjes për pensionistët nuk përfundon me kaq, vazhdon më tej, konkretisht me finalizimin e reformës pensionale e cila do të sigurojë që ata/ato që kanë kontribuar më së shumti të kenë trajtim të dinjitetshëm. Të gjitha këto rritje janë bërë pikërisht për të zbatuat programin tonë në kuptimin e frymës së vlerës së tij në mënyrë që të ndihmohen ata që kanë nevojë më së shumti e më së pari. Reforma pensionale pritet të finalizohet në një të ardhme të afërt në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri, Kurti, të hënën ka njoftuar se nga ky muaj do të rriten për 20 për qind disa kategori të pensionistëve.
“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm te mirë të gjithë pensionistëve. Nga ky muaj, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si në vijim: Pensionin bazik i moshës, kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, deklaroi ai.