Ngritja e tregut të përbashkët rajonal do të jetë një nga arritjet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor dhe ka shumë iniciativa të rëndësishme që kanë origjinën në Procesin e Berlinit, të cilat janë duke u tejkaluar nga BE, deklaroi Manuel Sarrazin, emisar special i Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai këto komente i bëri në panelin “Dhjetë vitet e procesit të Berlinit: Pikat kryesore, sukseset dhe përfshirja e shoqërisë civile” në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank, i cili u hap sot në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe organizohet nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani.
Si një nga “historitë e suksesit” të Procesit të Berlinit, Sarrazin deklaroi krijimin e Komunitetit të Transportit. Megjithatë, ai pohoi se “gjërat duhet të ishin bërë më mirë” në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur deri më tani në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Ne nuk kemi Sekretariatin apo organet e tjera për zbatimin në Procesin e Berlinit, ndërsa institucionet e BE-së kanë mjete shumë më të mëdha”, theksoi Sarrazin, transmeton KP.
Duke folur për arritjet e fundit, Armand Skapi, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, vuri në dukje se Procesi i Berlinit ka kontribuar në krijimin e më shumë lidhjeje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë forcimin e lidhjet ekonomike.
“Shumë mekanizma rajonalë që janë pjesë e Procesit tentojnë të sjellin rezultate të prekshme për afrimin e rajonit me njëri-tjetrin, si dhe për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në”, theksoi Skapi.
Në mënyrë të ngjashme, Albert Hani, sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) nënvizoi se Procesi i Berlinit “sjell frymën e pajtimit” në Ballkanin Perëndimor.
“Pritjet janë shumë të mëdha, por burimet janë të kufizuara, por ne i lidhim edhe institucionet në nivel rajonal… Ka shumë punë për të bërë sa i përket pajtimit në rajon”, përfundoi ai.
Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si një platformë për të rritur bashkëpunimin midis Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe BE-së.
Përfaqësuesit e lartë zyrtarë të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor (BB6) dhe kolegët e tyre në vendet pritëse të Procesit të Berlinit takohen të paktën një herë në vit në Samitin dhe takimet përgatitore të Ministrave. Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, rininë dhe bizneset e rajonit.