Në Kosovë, në sektorin e ndërtimeve nuk vlejti shumë, në raste fare, ligji i ofertës dhe kërkesës si rregullatore të tregut. Që në vitet e para të vrullit të ndërtimeve dhe në vitet në vazhdim, në tregun e banesave në vend, praktikisht, pati shumë banesa, dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Aktualisht paradoksi në sektorin e ndërtimeve në Kosovë, vazhdon, por me një ndryshim evident-ndërtimet rriten, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndjeshëm.
Mehmet GJATA
Tregun e banesave, që nga ditët e para të pasluftës, më saktësisht qëkur nisi ndërtimi më i hovshëm në Prishtinë dhe në disa qendra të tjera komunale, e ka karakterizuar paradoski, që vlerësohet se është edhe në kundërshtim me parimet elementare të ekonomisë së tregut. Më konkretisht, në Kosovë, në sektorin e ndërtimeve nuk vlejti shumë, në raste fare, ligji i ofertës dhe kërkesës si rregullatore të tregut. Që në vitet e para të vrullit të ndërtimeve në tregun e banesave në Kosovë, praktikisht, pati shumë banesa, dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Edhe pas krizës financiare të viteve 2007-09, kur çmimet globale të banesave ranë me 6% në terma realë, dhe kur pa kaluar shumë kohë, ato u rritën përsëri dhe kaluan kulmin e kohës para krizës, në Kosovë në asnjë moment nuk pati ulje çmimi të banesave. Përkundrazi, ato në çdo vit, praktikisht tregtoheshin me çmime të reja të ngritura.
Edhe pas pandemisë COVID-19, dhe kur ekonomistët në botë ia huqën me parashikimet për “një shembje të tregut të pronave”, në Kosovë, sikundër në tregjet globale të patundshmërive, në njëfarë mënyre, pati një lulëzim në sektorin e ndërtimeve. U ndërtua më shumë, por edhe pati shitje goxha imponuese, madje përtej të gjitha pritshmërive. Edhe më pas, nga viti 2021 e më tej, kur bankat komerciale nisën rritjen e normave të interesit, dhe kur ndër njohës të rrethanave parashihej ulje e çmimit të banesave, madje parashikohej rënie e theksueshme e çmimeve të tyre, në Kosovë vazhdoi trendi i shitjes, gjithnjë me çmime më të ngritura.
Aktualisht paradoksi në sektorin e ndërtimeve në Kosovë, vazhdon, por me një ndryshim evident-ndërtimet rriten, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndjeshëm. Prapë në kundërthënie me ligjin e ofertës dhe të kërkesës, nuk ka shitje, ndërkohë që çmimet e banesave ngriten edhe më tej. Edison Tërnava, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka apostrofuar në media ditë më parë këtë paradoks në tregun e ndërtimtarisë së vendit. Sipas tij, pra, ndonëse numri i projekteve të ndërtimit është në rritje, kërkesa për blerje të pasurive të patundshme ka pësuar një rënie drastike.
“Kemi rritje të ndërtimeve, por kemi rënie të shitjeve dhe ngritje të çmimeve”. Kjo situatë kontradiktore është e shënuar nga një rënie e dukshme e shitjeve, e cila sipas të dhënave të asociacionit arrin deri në 50-60% në krahasim me periudhën 2022-2023” ka thënë Tërnava.
“Ngritje drastike të çmimeve, kërkesa për blerje ka ra nëse flasim për periudhën 2022 deri në fund të 2023 ose fillim 2024 është 50-60% rënie e shitjeve ndërsa ndërtimi ka vazhdu”, ka shtuar ai.
Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa sipas tyre, rritja e çmimeve në qendër të kryeqytetit sidomos, ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm.
Të dhënat flasin se në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), dhe thuaja në të gjitha qendrat komunale, jo vetëm që nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave, por, ka lëvizje të ngritjes së çmimeve.
Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese ka shkuar përtej 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.
Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani – 1,500 euro.
Për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet se ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në katet e para dhe në ato përdhese në qendër. Ndërsa në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,000, edhe 2,500 euro.
Një analist i të dhënave, ka publikuar ditë më parë një infografikë me çmimet e banesave në shitje në lagjet e Prishtinës dhe sipas kësaj infografike, më së liri kushtojnë banesat te Prishtina e Re, Lagjen e Spitalit, Mati 1 dhe Rrugën A. Në këto lagje, çmimi mesatar për metër katror sillet rreth 1 mijë e 200 euro. Ndërkohë, çmimet më të larta apo mbi 2 mijë euro për metër katror janë për banesat që gjenden në Qendër, Dardani, Lakrishtë dhe Ulpianë. Në qendër, çmimi mestar për metër katror është 2 mijë e 380 euro, në Dardani 2 mijë e 212 euro, në Lakrishtë 2 mijë e 136 euro dhe në Ulpianë 2 mijë e 73 euro.
Megjithë këto çmime të larta, sipas ndërtimtarëve në Prishtinë, në mbarë Kosovën nuk ka banesa të finalizuara të pashitura. Në anën tjetër, sipas njohësve të sektorit të ndërtimeve, në Kosovë tani tregu duket të jetë i stërngopur me banesa. Aktualisht mendohet se rreth 300 mijë banesa në Kosovë, në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale, janë bosh, të pabanuara, sado që janë të shitura dhe kanë pronarë. Banesat numerikisht të shumta të pabanuara janë rrjedhojë e investimeve të shtresës së kamur, grupeve më të pasura të kosovarëve, të cilët kanë ambiente të tjera banimi (shtëpi ose banesë), por që për shkak të normave të ulëta të interesit për paratë e depozituara, të aplikuara nga bankat komerciale që afarojnë në vend, shumë njerëz nga grupet e pasura, kanë zgjedhur blerjen e banesave. Njësoj, në njëfarë mënyre ka vepruar edhe diaspora jonë e pasur, e cilat kanë edhe nga 2-3 banesa në Kosovë duke i lënë këto prona të pabanuara. Por këto zhvillime komplikojnë gjendjen në sektorin e ndërtimit, i krijojnë kontrastet edhe parimet e ekonomisë së tregut duke gjeneruar kërkesa të mëtejshme për banesa, por edhe rritje të çmimeve të tyre.
Këto veçanti të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurt për zhvillimet në vitet në vijim. Nuk ka siguri në sektorin e ndërtimeve në Kosovë, sidomos pas rënies evidente të shitjeve. Mbetet të shihet se a do të ketë edhe në të ardhmen shitblerje të banesave për t’i lënë ato bosh dhe si prona të pashfrytëzuara. /Buletini Ekonomik/