Administrata Tatimore njofton se janë mbledhur 883.6 milionë euro nga tatimet

Administrata Tatimore ka njoftuar se janë mbledhur 883.6 milionë euro tatime deri më 30 nëntor të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Nga ATK-ja konsiderojnë se kjo vlerë e të hyrave është tregues i fuqishëm i punës profesionale të stafit të Administratës Tatimore, e cila thuhet se padyshim shtetit i garanton stabilitet financiar e ekonomik.

“Të hyrat e inkasuara për këtë periudhë janë hiç më pak se 90.7 milionë euro apo 11.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Se ka performancë të jashtëzakonshme, këtë së fund e ka vlerësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN, sipas të cilëve ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët është më lartë se vendet në zhvillim, si dhe në 5 nga 8 indikatorët është mbi mesataren e vendeve të zhvilluara.Sipas FMN, ATK ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e një sistemi tatimor funksional, në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe në forcimin e planifikimit strategjik, menaxhimin e rrezikut të përmbushjes dhe funksionet themelore të Administratës Tatimore. Mbledhja e të hyrave si në vlerë e po ashtu edhe si përqindje të BPV-së, tregon një trend të vazhdueshëm të rritjes”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu theksohet se menaxhmenti i lartë do të vazhdoj që të punojnë me përkushtim që ATK të jetë Administrata Tatimore e krahasueshme me Administratat udhëheqëse tatimore në Evropë.