BQK përmbyll paraaplikimin për SEPA të Komisionit Evropian

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se më datë 20 dhjetor 2024 ka dorëzuar paraaplikacionin e përditësuar me ligjet përkatëse të miratuara nga Kuvendi dhe rregulloret e nxjerra nga Bordi i BQK-së, në plotësim të paraaplikimit të dorëzuar më 14 tetor 2024.

Paraaplikimi paraprak referohej në draft ligjet si ishin në atë kohë, por DG FISMA si autoritet kompetent i Komisionit Evropian njoftoi me shkrim se të njëjtat mund të shqyrtohen vetëm pas miratimit përfundimtar të legjislacionit përkatës.

Sipas BQK-së, ky hap mundëson që DG FISMA të ofrojë një vlerësim të plotë, me komentet dhe rekomandimet e mundshme, para se të dorëzohet aplikacioni i finalizuar te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), ndërsa një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në SEPA mund të pritet vitin e ardhshëm, si pjesë e iniciativës më të gjerë të integrimit të Ballkanit Perëndimor, nëse nuk paraqiten vonesa që ndikojnë ecurinë e këtij procesi.

Reklama e sponzorizuar

BQK shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për arritjen e dorëzimit të paraaplikimit. Njëkohësisht, BQK shpreh falënderimin për institucionet e Republikës së Kosovës për kontributin dhe mbështetjen gjatë procesit të para-aplikimit, duke shprehur besimin në angazhimin e vazhdueshëm që procesi i ligjeve relevante të qartësohet sa më shpejtë që të jetë e mundur, marrë parasysh rëndësinë e anëtarësimit në SEPA dhe përfitimeve të gjithanshme prej saj.

Integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe financiare, ku përveç aspekteve tjera integruese, qytetarëve dhe bizneseve pritet t’ju sjell një kursim vjetor rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, të vlerësuar nga Grupi i Ekspertëve Gjerman (GET).