Shfrenimi i çmimeve edhe në këtë fundvit, nën hijen e parafushatës zgjedhore

Fotografi ilustruese

Në muajit e fundit të këtij viti, janë ngritur shumë çmimet e produkteve elementare dhe të mallrave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e kosovarëve. Shporta e qytetarit të rëndomtë të Kosovës, në nëntor ishte shumë më e shtrenjtë prej 0.7 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që ka paraparë ASK-ja. Çmimet e shumë produkteve, qoftë esenciale, qoftë të tjera, por edhe të shërbimeve në Kosovë janë ngritur ndjeshëm, si rëndom, në prag të festave të fundvitit.

Mehmet GJATA

Po të kihen parasysh vetëm çmimet e ngritura në ditët e fundit të nëntorit të disa produkteve elementare e të tjera, del të jetë i diskutueshëm vlerësimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës se çmimet e konsumit për muajin nëntor ishin më të larta për 0.7 për qind, sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Në fund të nëntorit, pa asnjë paralajmërim në shumë furra të kryeqytetit është ngritur çmimi i bukës së thekrës (e njohur ndër konsumatorë si bukë e zezë) saktësisht për 25 për qind, ose nga 80 centë sa ishte, në 1 euro, dhe njëkohësisht janë ngritur çmimet e samunit nga 25 në 30 centë dhe të shumë pjekurinave të tjera, pa asnjë logjikë tregu (në këtë vit nuk ka pasur ngritje çmimi të energjisë elektrike, të miellit, të drurëve e kështu më radhë, ndërsa çmimi i miellit dhe i druve ka pasur goxha ulje në krahasim në vitin paraprak). Por, në muajit e fundit të këtij viti, janë ngritur shumë çmimet edhe të produkteve të tjera elementare dhe të mallrave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e kosovarëve.

Shporta e qytetarit të rëndomtë të Kosovës, në nëntor ishte shumë më e shtrenjtë se sa 0.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që ka paraparë ASK-ja. Çmimet e shumë produkteve, qoftë esenciale, qoftë të tjera, por edhe të shërbimeve në Kosovë janë ngritur ndjeshëm, si rëndom, edhe në të gjitha ditët e dhjetorit dhe në prag të festave të fundvitit.

Këto ditë janë ngritur edhe çmimet mesatare të derivateve për reth 5 centë për litër. Sado që zyrtarët e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës e mohojnë rritjen më të fundit të çmimeve të derivateve nga shkasi i ardhjes së bashkatdhetarëve për festat e fundvitit, ka shumë të ngjarë që pikërisht dyndja e diasporës drejtë Kosovës të jetë shkak i vërtetë i çmimeve të ngritura të derivateve.

Në shumë fundvite të deritashme, ose në prag të çdo ardhjeje të diasporës sonë në vendlindje, kanë ndodhur ngritje çmimi të shumë produkteve, edhe të derivateve. Prandaj, më kot Shoqata e Naftëtarëve këtë ngritje e arsyeton me rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Pas ngritjes së fundit të çmimeve në tregun e karburanteve në Kosovë, një litër naftë tregtohet nga 1. 20 deri në 1. 29 euro, ndërsa një litër benzin 1. 22 deri në 1. 28 euro. Ka ndryshime fare të vogla të këtyre çmimeve nga pompa në pompë.

Edhe çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, por edhe të vezëve, miellit të misrit dhe të tjera), në nënor dhe dhjetor kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve, veçmas, sikundër edhe te vezët. Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, që nga fundi i shtatorit dhe në gjithë këto ditë të tetorit, nëntor dhe dhjetorit, ”ngritën krye” çmimet jo pak të rritura, sidomos të perimeve (speci, domatja, lakra), por edhe të disa produkteve bujqësore, që sivjet për shkak të temperaturave enorme të larta, rendimentet në arat e bujqëve të vendit, por edhe të fermerëve në vendet e rajonit, ishin tejet të ulëta siç është rasti me fasulen.

Edhe këtyre ditëve, pra fasulja ishte produkti që theu rekordin e çmimit të deritashëm në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, fasulja arriti çmimin 8, 9, madje dhe 10 euro për një kilogram, që është çmim rekord i këtij produkti. Por, çmimet janë ngritur, sidomos në nëntor dhe dhjetor edhe te shumë perime të tjera.

Një çmim tjetër rekord i ngritur sivjet dhe në këta muaj, është çmimi i vajit të ullirit. Çmimi i këtij produkti, ç’është e vërteta, nuk varet vetëm nga tregtarët kosovarë, që ngarendin përherë të shfryrtëzojnë rastin për marzha enorme fitimi, por ka varshmëri të drejtpërdrejtë nga përpunuesit, që i bie nga eksportuesit, që dihet se janë nga vendet mesdhetare dhe nga Shqipëria.

Në Shqipëri, krahasuar me vjet – çmimi i shitjes së ullirit është rritur 38 për qind. Përpunuesit thonë se si rrjedhojë, edhe çmimi i vajit të ambalazhuar pritet të rritet, të shkojë deri në 15 euro për litër. Përpunuesit kryesor në Shqipëri pohojnë se sivjet shtrenjtimi i çmimit ka ardhur për shkak të dyfishimit të pagesave për vjelësit e ullirit dhe nga ekstremitetet e motit, që sollën rënie të rendimentit.

Sidoqoftë, pak a shumë këto janë zhvillimet e ecurisë së çmimeve në tregun e Kosovës në këtë fundvit. Çmimet e të gjitha produkteve në tregun e Republikës sonë vazhdojnë të ngriten, madje jashtë çdo norme dhe logjike të tregut. Marzhat e fitimit neto të tregtarëve kosvarë janë kolosale, dhe në shumë raste tejkalojnë 50 përqindëshin e çmimit të prodhimit, apo të importit. Dhe keqpërdorimet me ngritje çmimesh të tregtarëve tanë, bëhen thuaja legalisht, pa i kontrolluar askush, dhe pa i frenuar në asnjë çast askush.

Tani, edhe pushteti, edhe opozita janë vënë me gjithë potencialet e veta në shërbim të fushatës parazgjedhore, të premtimeve të panumërta të rrejshme dhe askush nuk e kthen kokën te tregu i vendit, as te manipulimi me çmime edhe te produktet elementare ushqimore. Jemi, pra të veçantë edhe në këtë aspekt nga shtetet e shumta të botës, edhe të rajonit. Në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut, në këtë muaj dhe në ditët në vazhdim të janarit (nga data 1 dhjetor deri më 15 janar), janë vënë në monitorim të posaçëm çmimet e produkteve të shportës.

Autoriteti i Konkurrencës të Shqipërisë ka njoftuar se në kuadër të angazhimit për mbrojtjen e konkurrencës dhe interesave të konsumatorëve, po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm duke vënë nën monitorim të menjëhershëm në terren çmimet e produkteve të shportës ushqimore gjatë periudhës së festave të fundvitit, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe penalizimin e atyre ndërmarrjeve tregtare të cilat abuzojnë me çmimet në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Autoriteti i Konkurrencës siguron qytetarët se do të identifikojë dhe ndëshkojë çdo fenomen të mundshëm të ngritjes artificiale të çmimeve që mund të shkaktohet nga praktikat jo të drejta të konkurrencës.

Ngjashëm, pak a shumë ka vepruar edhe Maqedonia e Veriut, e cila, praktikisht ka ndaluar ngritjen e çmimeve për produkte ushqimore elementare deri pas festave të fundvitit. Por, edhe vende të tjera kanë vepruar ngjashëm. Në Kosovë, ata që e kanë obligim të bëjnë këtë, vazhdojnë të premtojnë çmime të ulura, mirëqenie dhe paga e pensione të shumëfishuara deri më 9 shkurt. /Buletini Ekonomik/