Krasniqi: KEK-u nuk po respekton Ligjin për Obiliqin rreth ndotjes enorme të mjedisit

Termocentrali Kosova B- Buletini Ekonomik

“Ndotja e mjedisit në Obiliq dhe në vendbanimet përreth ka marrë përmasa alarmuese, ndërsa pasojat shëndetësore tek banorët e këtushëm janë të tejdukshme. Një nga sëmundjet e shpeshta që është pasojë e ndotjes enorme të mjedisit del të jetë tumori i mushkërive, i cili në të shumtën e rasteve është edhe vdekjeprurës. Në Komunën e Obiliqit mesatarisht për çdo vit kemi 50 raste të reja kancerogjene (dg carcinoma). Ndërsa vetem gjatë periudhës janar – shtator të vitit 2024, janë realizuar 876 vizita shtëpiake të personave me sëmundje malinje (kanceroze)”, ka thënë në një intervistë për Buletinin Ekonomik – Abdyrrahman Krasniqi, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në komunën e Obiliqit.

Mehmet GJATA

Gjatë dhjetorit 2024, e sidomos gjatë ditëve të shkuara të janarit 2025, Prishtina vazhdimisht është ranguar ndër kryeqytetet më të ndotura në rajon dhe në botë. Herë radhitej e pesta, herë e dhjeta, e herë e pesëmbëdhjeta, por ka ndodhur që të rangohet edhe në krye të listës si kryeqyteti më i ndotur në rajon dhe më gjerë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, në Obiliq, në qytetin në afërsi të drejtpërdrejtë me Prishtinën dhe i ngjitur me termocentralet e vjetëruara Kosova A dhe Kosova B, ndotja e ajrit padyshim është në përmasa edhe më alarmuese se sa në kryeqytetin tonë dhe gjithsesi vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufijtë e lejueshëm.

Banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, në vitin e kaluar kanë alarmuar publikisht (për të satën herë) për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, dhe për pasojat e rënda shëndetësore që po shkaktojnë “fabrikat” e prodhimit të rrymës ndër banorët e këtyre vendbanimeve. Edhe në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit të 2024-tës, ishin banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, të cilët alarmuan opinionin për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës.

Për ndotjen enorme në rajon dhe pasojat shëndetësore nga kjo ndotje, të mërkurën ka shkruar edhe Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters. Agjencia e mirënjohur, tekstin për ajrin e ndotur në rajon e ka nisur me Shemsi Garën nga një fshat në afërsi të drejtpërdrejtë me tymtarët e termocentraleve të Kosovës, i cili për 30 vjet kishte punuar në minierë qymyri dhe i cili ka vdekur këto ditë nga kanceri në mushkëri.

Gara, sipas agjencisë prestigjioze, ka vdekur të dielën në moshën 55-vjeçare, pas tri vjetëve trajtim pa arritur ta kontrollonte kancerin në mushkëri.

“Në ditët e tij të fundit, i paaftë për të ecur, ai shtrihej në një divan në shtëpi, i rraskapitur dhe me dhimbje, ndërsa një makinë pomponte oksigjen në trupin e tij që po vdiste” ka raportuar agjencia Reuters.

Mjeku i Garës, Haki Jashari, fajin për kancerin e pacientit të tij, sipas agjencisë, ua lë viteve të tij në minierën e qymyrit dhe termocentraleve ndotëse.

“Shkalla e kancerit është më shumë se dyfishuar në Obiliq gjatë dy viteve të fundit”, tha Jashari – rezultat, shtoi ai, “i një gjenerate të ekspozuar ndaj ndotësve”.

Ai pret që situata do të përkeqësohet. Për ndotjen alarmuese dhe në përmasa enorme të mëdha dhe për pasojat shëndetësore nga kjo ndotje, Buletini Ekonomik ka realizuar një intervistë me Abdyrrahman Krasniqin, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në komunën e Obiliqit.

Intervistën e plotë mund të lexoni në vazhdim:

Buletini Ekonomik: Pse gjithë kjo ndotje e ajrit, por edhe tokës në Obiliq dhe në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik të vendit?

Abdyrrahman Krasniqi: Ne jemi dëshmitar të ndotjes në Obiliq dhe në vendbanimet përreth si pasojë e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri nga termocentrale e vjetruara dhe nga mungesa e ivestimeve në elektrofiltra në të dy termocentralet, në Kosova A dhe në Kosova B – në fshatrat përreth minierave sipërfaqësore të qymyrit nga shiritat transportues të thëngjillit. Në këtë mënyrë po shkaktohet në vazhdimësi dhe ndër vite ndotja e ajrit, por edhe ndotja enorme e tokës dhe e ujit – lumenjëve, e në veçanti të lumit Sitnica.

Buletini Ekonomik: Termocentralet e stërvjetëruara Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të “vjellin” ndotës të shumtë (hi, squfur, dioksid karboni) përtej çdo standardi, dhe njëkohësisht banorët e Obiliqit vazhdojnë të vuajnë pasojat e ndotjes enorme. Në këtë kontekst, pse nuk ndërmerret ndonjë veprim, qoftë nga KEK-u, qoftë nga shteti, për të zbutur këtë problem? Pse nuk ndërmerren masa për të filtruar ndotësit nga tymtarët e termocentraleve, ose pse po vonohen kaq shumë këto masa?

Abdyrrahman Krasniqi: Ne vazhdimësi komuna e Obiliqit ka ngrit si shqetësim ndotjen e lartë nga KEK-u (Teremocentalet) dhe në bazë të kompetencave që ka, pasi Korporata është nën menaxhim të ministrisë, ne kemi kërkuar vazhdimisht që të intervenohet me investime për përmirësimin e ndotjes së ajrit, kryesisht në elektrofiltra dhe në muret mbrojtëse. Mos-ndërmarrja e masave të duhura ndërlidhet edhe me koston e lartë ekonomike që duhet të investohet. Por, është për keqardhje se këto pasoja po i paguajnë me shëndet banorët e Komunës së Obiliqit dhe komunave përreth.

Buletini Ekonomik: Pas alarmimeve të fundit në fund të gushtit dhe në shtator të 2024-tës, që bënë banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës, duke akuzuar konkretisht KEK-un për mosveprim për parandalimin ose zbutjen e përmasave të rrezikshme nga pasojat e ndotjes në këtë rajon, a është ndërmarrë ndonjë masë konkrete për ta zbutur këtë problem?

Abdyrrahman Krasniqi: Ne si drejtori kemi ndërmarrë hapa në këtë drejtim duke mbjellë dru dekorativ dhe duke krijuar shiritat e gjelbër, që sado pak ta bëjnë uljen e ndotjes, duke e pasur parasysh se druri kryen një funksion të filtrit natyror. Njëherësh kemi vendosur monitorin për publikimin e të dhënave rreth zhvillimeve të ndotjes në sheshin “Aziz Zhilivoda”, ku qytetaret njoftohen në kohë reale për nivelet e ndotjes së ajrit.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, pse nuk janë të aktivizuar në vazhdimësi elektrofiltrat ekzistues, të cilët edhe pse janë shumë të vjetër dhe janë pjesërisht të efektshëm në parandalimin e ndotjes nga djegja e qymyrit, kur janë jashtë përdorimit fare, e bëjnë jetën shumë vështirë në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik të vendit? Ose, pse kohë pas kohe KEK-u e ndërpret punën e elektrofiltrave ekzistues?

Abdyrrahman Krasniqi: Shqetësim i yni i vazhdueshëm ishte pikërisht kjo çështje. Por, përkundër ngritjes së këtij problemi dhe kërkesave të shumta edhe në formë të shkresave zyrtare për këtë problem, ende komuna e Obiliqit ka mbetur pa përgjigje. Komuna ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga KEK-u që të ofrojë një raport të detajuar mbi situatën në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje. Po ashtu, në këtë njoftim kërkohet se në dy vjetët e fundit nuk është realizuar asnjë projekt për uljen e ndotjes së ajrit, duke shtuar se numri i rasteve të sëmundjeve të lidhura me ndotjen është alarmues. Sipas njoftimit të komunës së Obliqit, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste në këto vendbanime. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.

Buletini Ekonomik: Pse në dy vjetët e fundit nuk është realizuar asnjë projekt në Obiliq për uljen e ndotjes së ajrit, përkundër faktit se numri i rasteve të sëmundjeve të lidhura me ndotjen është alarmues?

Abdyrrahman Krasniqi: Siç ju njoftova më lart, komuna ka bërë vazhdimisht investime në fushën e mjedisit në mbrojtje të qytetarëve duke mbjellur pemë urbane dhe duke krijuar gjelbërim dhe parqe për rregullimin e gjendjes mjedisore.

Buletini Ekonomik: Në reagimin e Komunës së Obiliqit është thënë se “nga data 20 gusht deri më 15 shtator 2024, filtrat e termocentralit ‘Kosova B’ kanë qenë jashtë funksionit, duke shkaktuar tejkalime enorme të ndotjes. Ajri në Obiliq ka arritur nivele alarmante të ndotjes, ndërsa termocentrali ka krijuar një zhurmë të padurueshme, veçanërisht në orët e mbrëmjes”, a keni marrë ndonjë njoftim nga KEK-u pse ka ndodhur kështu, dhe a ka ndonjë arsye KEK-u që nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesat e përsëritura të komunës që t’ua ofrojë një raport të detajuar mbi situatën në termocentrale?

Abdyrrahman Krasniqi: Ne e kemi bërë monitorimin në faza ditore nga data 20 gusht e tutje, kemi kërkuar raport të detajuar nga KEK-u të na njoftojë për probleme qe po shkaktojnë këtë gjendje, por ende kemi mbetur pa përgjigje. Kemi kërkuar edhe nga asociacionet që kanë mision mbrojtjen e mjedisit një raport të tillë, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Përgjigjje për shqetësimet tona nga niveli i ndotjes nuk kemi marrë nga subjektet kompetente, por pasojat po i shohim dhe po i vuajmë çdo ditë. Për të gjitha dëmet që po i shkaktohen banorëve të Komunës së Obiliqit, nuk kemi asnjë reagim nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe e njëjta nuk po respekton as Ligjin për Obiliqin, i cili e obligon që të paktën të investojë në projektet me interes për komunitetin dhe përmirësimin e Ambientit në përgjithësi.

Buletini Ekonomik: Sipas jush, çka mund të bëjë KEK-u dhe shteti urgjentisht për të zbutur problemin, dhe në këtë kontekst, Komuna e Obiliqit a mund të ndërmerr ndonjë veprim për ta ruajtur sado pak ambientin në këtë zonë?

Abdyrrahman Krasniqi: KEK-u duhet të vendosë elektrofiltrat si hap i parë dhe i domosdoshëm, i cili do të ulte ndotjen e ajrit dhe pluhurit, duke vazhduar me krijimin e mureve mbrojtëse të gjelbra përreth termocentraleve ashtu siç kemi kërkuar tash e disa vite. Njëkohësisht KEK-u nuk duhet kurrsesi të lëshojë në prodhim Kosovën A, as B-në pa qenë të vendosur elektrofiltrat.

Buletini Ekonomik: Sipas të dhënave që ka dikasteri i juaj, cilat janë pasojat e drejtpërdrejta nga ndotja enorme (nga tymi dhe grimcat e hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës A dhe Kosovës B)?

Abdyrrahman Krasniqi: Ndotja e mjedisit është kthyer në një ndër faktorët kryesorë për shkurtimin e jetës të banorëve të Obiliqit. Është i shumtë numri i personave që u drejtohen klinikave, për problemet e shumta të shkaktuara nga tymrat apo gazrat e shumta që lëshohen çdo ditë në atmosferë. Një nga sëmundjet kryesore, që sjell ndotja, është tumori i mushkërive, i cili në të shumtën e rasteve është edhe vdekjeprurës. Në Komunën e Obiliqit mesatarisht për çdo vit kemi 50 raste të reja kancerogjene (dg carcinoma). Ndërsa vetëm gjatë periudhës janar – shtator të vitit 2024, janë realizuar 876 vizita shtëpiake të personave me sëmundjet malinje (kanceroze).

Buletini Ekonomik: Në një deklaratë të lëshuar nga Komuna e Obiliqit gjatë shtatorit 2024, theksohej se ndotja ka dalë jashtë përmasave normale dhe po ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve. Ndërsa, sipas jush (pushtetit lokal në Obiliq), ndotja e ajrit dhe mjedisit është kthyer në një nga faktorët kryesorë që po shkakton shkurtim të jetës së banorëve. A mund të detajizoni më shumë për opinionin cilat sëmundje janë bërë kronike dhe si të tilla shqetësuese në Obiliq dhe përreth?

Abdyrrahman Krasniqi: Një nga sëmundjet kryesore që sjell ndotja është tumori i mushkërive, i cili në të shumtën e rasteve është edhe vdekjeprurës. Pasojat e sëmundjeve tashmë kronike si pasojë e ndotjes që kanë përfshirë numër të konsiderueshëm të banorëve të Obiliqit dhe vendbanimeve përreth, sipas mjekëve, karakterizohen me kollitje, me sulme astmatike, me aritmi të zemrës, me lindje të parakohshme, me të emta të lindura të zemrës, etj. Po sipas mjekëve, partikulat depërtojnë nëpërmjet të mushkërive në qarkullim të gjakut, ndikojnë në prezmatim të sistemit kardiovaskular duke shkaktuar edhe sulme në zemër, pikë në tru dhe në lindje të parakohshme dhe me peshë nën normale të foshnjave. Po kështu, si pasojë e ndotjes së madhe janë të pranishme edhe çrregullimet në sistemin nervor dhe të dëgjimit tek shumë banorë të këtij rajoni. Më të ndjeshëm nga këto sëmundje gjithnjë janë fëmijët, të moshuarit, personat me astmë, ose me sëmundje kronike respiratore, gratë shtatëzëna, të porsalindurit etj. /Buletini Ekonomik/