Vrojtuesit më të rëndomtë të tregut të Kosovës dhe të ecurive të çmimeve, si dhe qytetarët konsumatorë të përditshëm të shumë produkteve, i kanë më të evidentuara çmimet shumë më të ngritura më 2024 për shumë produkte, sidomos ato sosh ushqimore, se sa ato të publikuara nga ASK-ja këto ditë. Të dhënat e detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar të 2024-tës kanë shënuar një mori produktesh, kryesisht ato ushqimore dhe mallrat për shtëpinë dhe më së shumti produktet e hixhienës por edhe shumë shërbime tjera.
Buletini Ekonomik
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit më 2024 janë rritur 1,1 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,1% në muajin dhjetor 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Inflacioni mujor ishte 0,7% në muajin dhjetor 2024. Ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2024 është 1,6%”, njofton ASK.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2024, po sipas ASK-së, ishte më i lartë në një mesatare prej 1,6 % krahasuar me vitin 2023. ASK-ja, gjithsesi, e di se kah dhe si i ka fituar këto statistika, me çfarë metodash statistikore janë evidentuar këto shifra dhe këto përqindje të rritjes së çmimeve në vitin e kaluar. Por, edhe vrojtuesit më të rëndomtë të tregut të Kosovës dhe të ecurive të çmimeve , si dhe qytetarët konsumatorë të përditshëm të shumë produkteve, i kanë të evidentuara çmimet shumë më të ngritura më 2024 për shumë produkte, sidomos atyre ushqimore, se sa ato të publikuara nga ASK-ja këto ditë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar të 2024-tës kanë shënuar një mori produktesh, kryesisht ato ushqimore dhe mallrat për shtëpinë dhe më së shumti produktet e hixhienës.
Gjatë 2024-tës, sipas të dhënave konkrete, janë shënuar madje edhe çmime rekorde të disa produkteve bujqësore (spinaqi është tregtuar deri në 6-7 euro kilogrami, fasulja deri në 10 euro për një kilogram, lakra me 1 euro e përtej kilogrami etj). Ka pasur edhe një varg çmimesh të shërbimeve (ngritja e çmimit të bërllogut, më herët edhe e ujit, rritje çmimesh të disa shërbimeve postare dhe sidomos të Telekomit të Kosovës deri në 20 për qind e përtej). Pati rritje enorme, madje deri në 30 për qind, krahasuar me një vit më parë edhe të një metri katror të banesave në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale, të patundshmërive të tjera etj., që domosdo tejkalon inflacionin mesatar vjetor.
Ndërkohë, çmimi i shportës së kosovarit të rëndomtë, që dominohet nga ushqimet, vjet ka qenë ndjeshëm më i lartë se në vitin paraprak. Në këtë kategori janë imponuar çmimet e disa produkteve bujqësore, qoftë të atyre të importuara, qoftë të vendit.
Ndërsa, në këto dy-tre vjetët e fundit, më saktësisht që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase, në Kosovë, për dallim nga bota, kanë qenë përherë evidente tendencat anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çrregulluara dhe jo normale në këtë sektor.
Në tregun e Kosovës, po kështu, për dallim nga shumë shtete të globit, edhe më tutje në gjithë këtë periudhë, edhe sipas të dhënave zyrtare (sipas ASK-së), evidentohen çmime të ngritura përtej logjikës së tregut dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve të varfër (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej).
Më konkretisht në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar në të shumtën, anarkia dhe kaosi. Praktikisht, tregtarët, edhe shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta në tregjet ndërkombëtare, por edhe në tregun e vendit. Disa nga tregtarët e fuqishëm dhe me produktet e tyre përcaktues evidentë të ecurive në tregun kosovar, shfrytëzuan edhe situatën politike të brishtë në vend, përqendrimin e vëmendjes së institucioneve dhe të subjekteve politike në gjendjen aktuale në veri të vendit, sikundër që aktualisht po e shfrytëzojnë përqendrimin e tërësishëm të vëmendjes së pozitës dhe të opozitës në fushatën parazgjedhore. Atyre në këto rrethana nuk ka kush t’u dalë përpara.
Thjeshtë, shumë tregtarë kosovarë në periudhën e apostrofuar, praktikisht nuk përfillën kërkesat e përfaqësuesve të shtetit për të respektuar ligjshmërinë e tregut (shteti praktikisht bëri vetëm apele, pa ndërmarrë ndonjë masë konkrete parandaluese), sikundër që nuk u tunduan fare nga tendencat e uljes së çmimeve në botë. Në bazë të ecurive të çmimeve edhe në muajt e fundit të 2024-tës, u pa se ishin fare të paefektshme premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.
Totalisht jorezultativ ishte edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi do të ndërrmerren masa ndëshkuese”. Mbase edhe ka ndodhur ndonjë inspektim i tregut, gjatë kësaj periudhe, por, çmime të ngritura pati me shumicë, sidomos gjatë festave fetare dhe festave të fundvitit, kur vërshuan çmime të reja të ngritura të shumë produkteve ushqimore.
Tregtarët e pandërgjegjshëm të vendit, duke u treguar të “padëgjueshëm” ndaj autoriteteve rreth zhvillimeve në sektorin e çmimeve në këtë periudhë, e thelluan anarkinë, e bënë më kaotike dhe më manipulative ecurinë e çmimeve, edhe me rastet e uljeve të proklamuara dhe të promovuara nëpërmejt fletushkave dhe marketingut në medie, sidomos në ato vizuele, por edhe me praktikën e deritashme të tregtimit të shumë produkteve të skaduara.
Konsumatori i varfër kosovar, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, u përball përditë edhe me “lojën” me çmime që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.
Sipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.
Në këtë mënyrë, konsumatori i varfër kosovar, pra, për dallim nga bota, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, në raste të shpeshta u sfidua edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare. Ndërsa, shumë qytetarë , as që e dijnë dhe as që e kuptojnë se ç’është Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, ndërkohë që saktësisht e dijnë, e kuptojnë dhe i prekin përditë çmimet e reja të ngritura dhe që tashmë kanë prekur nivelin ndër më të lartin në rajon. Dhe, siç po vërehen zhvillimet në sektorin e çmimeve në Kosovë, deri të përfundojnë zgjedhjet e pritshme, çmimet me shumicë, dhe sidomos ato me pakicë, mbeten në dorën dhe nën mëshirën e tregtarëve. /Buletini Ekonomik