Janari me çmime në stratosferë të produkteve bujqësore në tregjet e Kosovës

Thuaja në të gjithë sektorët e tregtimit të mallrave në vend, përgjatë gjithë janarit pati çmime të reja të ngritura. Ndërsa në këtë muaj kanë rënë në sy sidomos ngritja e çmimeve të shumë produkteve bujqësore.

Buletini Ekonomik

Përkundër deklaratave të autoriteteve se sivjet një nga detyrat e rëndësishme të institucioneve kompetente të vendit do të jetë mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet dhe cilësinë e produkteve, duke realizuar një mbikëqyrje strikte më të madhe, janari i 2025-tës po përmbyllet me çmime stratosferike të produkteve bujqësore, por edhe të shumë mallrave të tjera ushqimore të domosdoshme për përditshmërinë e një familjeje.

Reklama e sponzorizuar

Më konkretisht, po del të jetë i parealizueshëm premtimi i Rozeta Hajdarit, ministre e MINT-it, të bërë në fillim të këtij viti në një intervistë për medie të vendit se “një nga detyrat kryesore të kësaj ministrie (lexo Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë-MINT) është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet dhe cilësinë e produkteve, duke siguruar një mbikëqyrje strikte, si dhe duke ndërmarrë masa për të parandaluar manipulimin e çmimeve që mund të shkaktojnë dëm për qytetarët.

Në janar pra, nuk doli të jetë siç premtoi ministrja Hajdari se “nën llupën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë naftëtarët, prodhuesit, çmimet e produkteve të ndërtimit dhe disa sektorë të tjerë në vend”.

Pëkundrazi, thuaja në të gjithë sektorët e tregtimit të mallrave në vend, përgjatë gjithë janarit pati çmime të reja të ngritura. Ndërsa, në këtë muaj kanë rënë në sy sidomos ngritja e çmimeve të shumë produkteve bujqësore.

Çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, por edhe të vezëve, miellit të misrit dhe të tjera) në janar kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve veçmas, ndërsa trendi i çmimeve të larta te vezët ka filluar që më herët, në nëntor dhe dhjetor të 2024-tës.

Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, që nga fundi i dhjetorit dhe në gjithë këto ditë të janarit 2025 ”ngritën krye” çmimet jo pak të rritura, sidomos të perimeve (speci, domatja, lakra), por edhe të disa produkteve bujqësore, që sivjet për shkak të temperaturave enorme të larta, rendimentet në arat e bujqëve të vendit, por edhe të fermerëve në vendet e rajonit, ishin tejet të ulëta siç është rasti me fasulen.

Edhe këtyre ditëve, fasulja vazhdon të jetë produkti, që mbanë rekordin e çmimit më të lartë të deritashëm në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, fasulja, e cilësuar si e mirë nga tregtarët, vazhdon ta ketë arriti çmimin 8 – 9, madje dhe 10 euro për një kilogram.

Çmimet janë ngritur në janar edhe te shumë pemë dhe perime të tjera në tregjet e vendit. Një kilogram i specave djegës me cilësi të imponueshme ka çmimin 3 deri 3,5 euro, dhe në disa markete edhe 4 euro. Domatet, pokështu, kanë çmime të larta edhe për stinën e dimrit, kur rëndom shtrenjtohen pemët, dhe sidomos perimet. Një kilogram i domateve të cilësisë së mirë, dje në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me 1,80, 2 deri në 2,5 euro, ndërsa në minimarkete dhe në disa shitore të pemëve dhe perimeve çmimi i domates ishte 2,5 euro e përtej.

Vrojtuesit dhe qytetarët e vlerësojnë si tejet të lartë, madje edhe befasues edhe çmimin e lakrës në tregjet tona. Dje një kilogram lakër e re, sipas tregtarëve) shitej 1,20-1,30 euro kilogrami, ndërsa lakra e vjetër, ajo që është kultivuar në vitin e kaluar kishte çmimin 1 euro kilogrami.

“Çmimi i sivjetshëm i lakrave është befasues. Lakra, gjithmonë në tregjet e Prishtinës, ka qenë produkti bujqësor më i kapshmi për nga çmimi për të gjitha kategoritë e qytetarëve. Vjet, bie fjala, lakra ka mund të blihet edhe me 50 centë kilogrami, madje edhe nën këtë çmim, ndërsa sivjet, është bërë për shumë prishtinas mall vetëm i nevojshëm dhe i lakmuar, pa pasur mundësi të blihet”, thotë një prishtinase e moshuar.

Ajo thotë se edhe çmimet e produkteve të tjera në tregjet e gjelbra të kryeqytetit janë shumë të shtrenjta. Sipas saj, është ngritur çmimi i preshit, kurse tani kanë zënë të kenë çmime më të ngritura edhe qepët, karrotat etj.

Në tregjet e gjelbra është ngritur ndjeshëm edhe çmimi i mollëve cilësore. Deri kah mesi i janarit, mollët, edhe ato më të mirat dhe më cilësoret, kishin çmimin 60, 70 dhe 80 centë, kurse tani çmimi i këtyre mollëve është 1 euro, që i bie 20 deri 25 për qind më shumë se në dhjetor të 2024-tës.

Duhet thënë se perimet që aktualisht tregtohen në tregjet e gjelbra të vendit, shumica e tyre janë nga importi. Specat importohen nga Turqia dhe Greqia, ndërsa domatet nga Shqipëria, dhe asnjë nga tregtarët, as ata me shumicë. As ata me pakicë nuk kanë, ose nuk mbajnë me vete certifikatë të cilësisë së tyre, as të përmbajtjes së pesticideve të diskutueshme tani.

Pak a shumë këto janë zhvillimet e ecurisë së çmimeve në tregun e Kosovës në këtë fillimvit. Çmimet e të gjitha produkteve në tregun e Republikës sonë vazhdojnë të ngriten, madje jashtë çdo norme dhe logjike të tregut. Marzhat e fitimit neto të tregtarëve kosovarë janë kolosale, dhe në shumë raste tejkalojnë 50 përqindëshin e çmimit të prodhimit, apo të importit. Dhe keqpërdorimet me ngritje çmimesh të tregtarëve tanë, bëhen thuaja legalisht, pa i kontrolluar askush, dhe pa i frenuar në asnjë çast askush.

Tani, edhe pushteti, edhe opozita janë vënë me gjithë potencialet e veta në shërbime të fushatës parazgjedhore, të premtimeve të panumërta të rrejshme dhe askush nuk e kthen kokën te tregu i vendit, as te manipulimi me çmime edhe të produkteve elementare ushqimore. /Buletini Ekonomik/