Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, u shpreh sot përmes një video në rrjetet sociale se aktualisht abonentët familjarë po paguajnë faturat e energjisë elektrike për muajin shkurt 10.5% më lirë.
Sipas Ballukut përfitues të saj janë rreth 95% të klientëve familjarë sot në Shqipëri.
“Puna jonë dhe performanca jonë matet me shumë elemente, dy nga më të rëndësishme janë niveli i arkëtimeve dhe niveli i uljes së humbjeve. Ajo çfarë u vendos ishte që të kishim dy kategori konsumi. Në faturën e energjisë elektrike do jetë vetëm një çmim. Nëse ju si abonentë konsumoni nën 700 kwh, atë të konsum ju do e keni të shumëzuar me 8.5 lekë, nëse do të keni të konsumuar mbi 700 kwh atë konsum do e keni të shumëzuar me 9.5 lekë. Rreth 95% e klientëve familjarë sot në Shqipëri konsumojnë nën kategorinë 700 kwh”, thotë një operator i energjisë elektrike në videon e publikuar nga ministrja.








