Mes mungesës së inspektorëve e kushteve të punës, siguria ushqimore në Kosovë në pikëpyetje

Mbi një 1 mijë ton ushqime të asgjësuara vitin e kaluar në Kosovë e mijëra inspektime, megjithatë institucioni përgjegjës përballet me mungesë inspektorësh e kushtesh – për të siguruar se çfarë hamë është e sigurt.

Mirjeta Shabani

Kosova brenda vitit 2024 ka asgjësuar së paku një milion kilogramë produkte ushqimore. Kjo shifër në dukje është e lartë për të shtuar dyshimet për sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore që shiten nëpër tregjet e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Kontrolli i sigurisë së ushqimit është mjaft i rëndësishëm, sidomos nëse marrim parasysh importin e produkteve ushqimore me prejardhje bimore dhe shtazore që tregtohen pothuajse ndërmjet të gjitha vendeve të botës.

Në këtë valle hyn edhe Kosova, e cila përveç prodhimeve vendore që ka në treg, në masë të madhe nevojat për produkte ushqimore i mbulon edhe nga importi.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) thotë se vetëm gjatë vitit 2024 kanë kryer 70 mijë e 950 kontrolle zyrtare, nga të cilat kanë asgjësuar 104,191.00 kilogramë produkte ushqimore me origjinë bimore, 47,902.00 copë bimë dekorative, 522,955 kilogramë produkte me origjinë shtazore (produkte mishi), 226,381 kilogramë produkte qumështi, 474 kilogramë mjaltë dhe 40,505.86 kilogramë peshk. Në këto shifra nuk janë të përfshira kontrollet dhe asgjësimet e Inspektoratit Sanitar, të cilët funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Brenda një viti, ne realizojmë dhjetëra-mijëra kontrolle, mijëra teste e analiza laboratorike për të vërtetuar gjendjen shëndetësore të produkteve”, thotë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Edhe pse Thaçi thotë se institucionet siç është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), kanë mandat kryesor ruajtjen dhe mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore, dhe nuk ushtrojnë kontrolle për matjen e nivelit të sigurisë së produktit, siguria e ushqimit dhe cilësia e produktit kanë lidhje të ngushtë mes veti dhe në shumicën e rasteve trajtohet si e njëjta gjë.

“Secili produkt që lejohet të qarkullojë në treg për konsum, ai duhet të jetë i sigurt. Një produkt i cili nuk është i sigurt, ai nuk quhet fare ushqim”, thotë Thaçi.

Siguria e ushqimit i referohet prodhimit, përpunimit, transportit dhe ruajtjes së ushqimit, në mënyrë që rreziku nga sëmundjet prej ushqimit të jetë sa më i ulët. Ndërsa, cilësia e produktit ushqimor ndërlidhet me karakteristikat e ushqimit të pranueshme për konsumatorët.

“Autoriteti punon në të gjitha hallkat e zinxhirit që të arrihet siguria e një produkti, pastaj lejohet të qarkullojë në treg. Është një fushë e gjerë komplekse e cila kërkon vigjilencë në mbikëqyrje, profesionalizëm në kontrolle dhe shkencë në analiza, që të arrihet rezultati i ‘të quajturit ushqim i sigurt’ ”, shton Thaçi.

“E pamjaftueshme”

Selatin Kaçaniku, themelues dhe drejtues i OJQ “Konsumatori”, thotë se AUVK na siguron se siguria e këtyre ushqimeve në tregje është në nivel të duhur dhe reagon shpejt në shqetësimet dhe ankesat që raportohen, porse kjo sipas tij, është e pamjaftueshme.

Sipas Kaçanikut, përgjegjësia bie direkt mbi Qeverinë, pasi siç thotë ai, nëse do të kishte mbikëqyrje, llogaridhënie, ndarje të përgjegjësive, respektim mandati, ligji e kushtetute, këto shqetësime që po ndodhin me produktet, nuk do të ndodhnin.

“Shpjegim duhet të kërkojmë nga Qeveria dhe nga MBPZHR, në organogramin e së cilës ndodhet tani AUVK… si dhe nga qytetari konsumator – i cili pa arsye e pa nevojë po hesht e po duron”, thotë ai.

Më pak inspektorë, më pak inspektime

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), thonë për Buletinin Ekonomik se numri i vogël i inspektorëve vazhdon të mbetet sfidë për këtë institucion. Thaçi nga AUVK shton se kjo ndikon direkt edhe në numrin e kontrolleve dhe inspektimeve zyrtare në terren.

AUVK aktualisht ka të angazhuar vetëm 79 inspektorë në gjithë territorin e Kosovës. Prej tyre, 28 janë inspektorë veterinar, 14 janë inspektorë fitosanitar, 19 janë inspektorë veterinar kufitar dhe 18 të tjerë janë inspektorë fitosanitar kufitar.

Pra, i gjithë kapaciteti i AUVK-së për të mbikëqyrë të gjitha produktet ushqimore në Kosovë, si inspektimin e atyre vendore – si të atyre që vijnë nga importi, varet nga vetëm 79 inspektorë, që si numër llogaritet shumë i ulët për nevojat e Kosovës.

AUV thotë se për vite me radhë kanë kërkuar ngritje, avancim dhe shtim të kapaciteteve, por që aktualisht po përballen me mungesë të theksuar të numrit të inspektorëve.

Sipas Thaçit, edhe ata inspektorë që janë të angazhuar aktualisht, sforcohen të punojnë edhe jashtë orareve, duke përfshirë edhe vikendet, në mënyrë që të arrihet një kontroll më i madh në frekuencë.

Thaçi madje shton se inspektorët, përveç ushtrimit të kontrolleve në teren, një pjesë të ditës e ndajnë edhe për punët administrative dhe lëshimin e dokumenteve për operator ekonomik, ku përfshihen edhe certifikatat shëndetësore dhe të kualitetit për produktet që eksportohen nga Kosova.

“Rritja e numrit të inspektorëve menjëherë e rrit numrin e kontrolleve zyrtare”, deklaron Thaçi.

Nga AUV-i tutje konfirmojnë se veçanërisht kapaciteti aktual me inspektorë të brendshëm është i pamjaftueshëm, qoftë në raport me numrin e bizneseve dhe fermave që kanë në mandat për kontroll, qoftë edhe në raport me gjerësinë dhe kompleksitetin e fushës që AUVK mbulon me kontrolle.

“Në kontrollin e brendshëm kemi mungesa në të gjithë sektorët e trupave inspektuese”, thonë ata.

Ndërkohë, kontrolli kufitar, siç shpjegon Thaçi, mbulohet në masën 100%, për shkak se sipas tij, asnjë ngarkesë nuk zhdoganohet pa marrë aprovim fillimisht nga inspektori kompetent.

Ndërsa, në aspektin kuantitativ, Thaçi tregon se nuk mund të përcaktohet numri i bizneseve që ka nën mbikëqyrje një inspektor, pasi ata janë të organizuar në zyre regjionale dhe përveç kontrolleve në të gjitha bizneset e komunave që përfshihen në atë regjion, shpesh të njëjtit bëjnë edhe aksione kontrolli në të cilat lëvizin inspektorët nga një regjion në tjetrin.

“Ne si autoritet nuk mund as kohën ta përcaktojmë sa i nevojitet një inspektori për të kryer një kontroll. Kjo gjithmonë është në diskrecionin e tij, dhe ai në bazë të vlerësimit të situatës vepron. Një inspektim në fushën që mbulon AUV-i mund të zgjasë edhe me ditë”, thotë tutje Thaçi për Buletinin Ekonomik.

Me ligjin e ri të ushqimit, nga AUV thonë se është paraparë të krijohet edhe një trupë e re inspektuese e cila do të quhet inspektor i sigurisë ushqimore, por që ende nuk është angazhuar asnjë inspektor dhe se janë në pritje të marrjes së aprovimit për rekrutim.

“Përveç mungesës së numrit të inspektorëve tani përballemi edhe me mungesë të numrit të nevojshëm të automjeteve”, shton këtu edhe një mungesë kapacitetesh – Thaçi.

Tregjet komunale dhe thertoret ‘ilegale’

AUVK thotë se të gjitha thertoret e licencuara në Kosovë mbikëqyren nga ky institucion. Po ashtu, siç thonë ata, kontrollohen edhe të gjitha therjet brenda tyre.

Por në mungesë kapaciteti, thertoret janë të obliguara të njoftojnë paraprakisht inspektorin kompetent të ngarkuar për therjet e planifikuara dhe kohën e therjes, për ta lehtësuar punën e AUV-it.

“Kafshët kontrollohen para-gjatë dhe pas therjes. Për çfarëdo lokacioni që AUV ka pranuar informata të bazuara, bashkë me Policinë kanë vepruar në koordinim. Mbylljet e tyre gjithmonë kanë qenë publike”, thotë Thaçi kur pyetet për thertoret ilegale.

Një auditim i kryer nga ZKA-ja në vitin 2019, kishte konstatuar se në Kosovë ekzistojnë edhe tregje të palicencuara apo ilegale që nuk i plotësojnë fare kushtet për therjen e kafshëve. Madje, këto tregje nuk kontrolloheshin as nga AUV-i e as nga komunat përkatëse.

“Përveç thertoreve të licencuara, në vendin tonë kryhen edhe therje në tregje të pa licencuara (ilegale) të cilat nuk i plotësojnë kushtet për therje të kafshëve. Këto tregje nuk kontrollohen as nga agjencia dhe as nga komunat”, thuhej në raportin e ZKA-së.

Në këso lloj tregjesh bëhet edhe therja e pakontrolluar e kafshëve dhe moskontrolli i tyre nga inspektorët veterinarë, sipas ZKA-së, rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten pastaj edhe tek njerëzit.

Auditime të pakta për sigurinë e ushqimit në vend

Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2023, kishte vlerësuar se Kosova nuk është edhe shumë e përgatitur për sigurinë e ushqimit.

Sipas këtij raporti, Kosova ka avancuar në fushën e kontrollit të ushqimit si krijimi i bazës ligjore, porse resurset vazhdojnë të mbeten të mangëta.

“Burimet financiare dhe njerëzore të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës mbeten të pamjaftueshme për të zbatuar plotësisht bazën ligjore të BE-së në këtë fushë”, thuhet në raport.

Ndërkohë, auditimi i fundit që i është bërë AUV-it nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka qenë në fund të vitit 2019. Që nga ajo kohë, nuk ka ndonjë raport tjetër nga ZKA-ja për sigurinë e ushqimit në vend.

Raporti i vitit 2019 mbante titullin “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”. I njëjti kishte konstatuar se institucioni përgjegjës “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)”, ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor dhe për pasojë nuk ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe i sigurt për konsumatorin.

Gjetjet e këtij auditimi nxirrnin në pah mangësitë në procesin e planifikimit të kontrolleve dhe mungesën e analizës së rreziqeve.

Në raport theksohej se vlerësimi i sigurisë në ushqim përmes listave të kontrollit nuk i përfshinë as të gjitha parimet e Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik – HACCP. HACCP është standard për kontroll të proceseve të prodhimit dhe distribuimit të produkteve ushqimore.

Për më tepër, as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë thuhej se nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim.

Edhe Kaçaniku nga OJQ “Konsumatori” thotë se Kosova ka laboratore, por vetëm pak prej tyre janë të akredituara. Sipas tij, asnjë prej tyre nuk ka akreditime me spektër të gjërë analizash e hulumtimesh laboratorike.

Pos mungesës së laboratoreve përkatëse, edhe mënyra e marrjes së mostrave në pikat inspektuese kufitare ishte konstatuar nga ZKA-ja se nuk ofron mjaftueshëm siguri se produktet të cilat hyjnë në treg kontrollohen si duhet dhe sipas procedurave të vendosura.

Kaçaniku thekson se bazuar në direktivat e BE-së, AUVK obligohet të kontrollojë rreth 1,5% të të gjitha produkteve vendore dhe të importit, sipas modelit të ekzemplarit të rastësishëm.

Në anën tjetër, përpos numrit të vogël të inspektorëve që më 2019 ishin vetëm 66 inspektorë të rekrutuar, raporti theksonte se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk i ka të kompletuara as procedurat dhe standardet e nevojshme për të siguruar se inspektorët sanitarë dhe fitosanitarë janë duke kryer kontrolle zyrtare në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim dhe se nuk ka as koordinim të mirë të kontrolleve mes nivelit qendror dhe lokal. /Buletini Ekonomik/

Shënim:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e BULETINIT EKONOMIK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.