CorrWatch: Të ndalohet praktika e funksionimit me Ushtrues Detyre për pozitat strategjike në ndërmarrjet publike

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e thellë me zhvillimet e fundit rreth procesit të funksionimit të pozitës së Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjet publike si KEK dhe Trepça me ushtrues detyre.
CorrWatch thotë se po përcjellë me vëmendje ndryshimet e shpeshta të të përzgjedhurve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjet publike – me fokus të veçantë tek KEK-u dhe Trepça.
“Është e papranueshme që këto ndërmarrje të cilat për shkak të sektoreve të operimit, si dhe rëndësisë ekonomike të tyre të funksionojnë me ushtrues detyre”, thonë ata në reagim.
Sipas CorrWatch, Kodi i Etikës dhe Qeverisjes Korporative të Ndërmarrjeve Publike (tutje: Kodi) e thotë qartë se “Kryeshefi Ekzekutiv ёshtё pozita mё e rёndёsishme nё Ndёrmarrje. Ky ёshtё personi i cili duhet tё udhёheqё menaxherёt e lartё dhe kёshtu nё mёnyrё kolektive, ata menaxhojnё Ndёrmarrjen tё arrijё sukses nё implementimin e planit tё biznesit”.
Përtej kësaj, ata sqarojnë se Kodi i përcakton qartë një mori përgjegjësish dhe kompetencash të ndërlidhura me këtë pozitë. Ndër to, Kryeshefi duhet të sigurohet për përpilimin e caqeve strategjike, të sigurojë rritjen fitimprurëse të Ndërmarrjes, dhe arritjen e objektivave të biznesit.
Në reagimin publik të CorrWatch thuhet se mos pasja e mandatit të plotë ashtu siç përcakton Ligji për ndërmarrjet publike dhe Kodi, ka pasur edhe pasojat e veta në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve publike, të cilat janë reflektuar në dështim për të arritur objektivat strategjike dhe përmbushjen e planit të biznesit.
Siç thonë ata, ushtrimi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv pa një mandat të plotë, vë në rrezik operimin ekonomik jo vetëm për ndërmarrjet në fjalë, por edhe të ekonomisë në përgjithësi, për shkak të sektorëve kritik të operimit të këtyre dy ndërmarrjeve.
“Përmes këtyre lëvizjeve po krijohet një praktikë e keqe e qeverisjes korporative e cila mund të sjellë pasoja të mëdha në ekonominë e vendit. Andaj përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon përzgjedhjen me mandat të plotë të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut dhe Trepçës”, thuhet në fund të reagimit. /Buletini Ekonomik/