Sot në orën 11:00, grupi qytetar “Anjë cent ma shumë” do të zhvillojë një aksion simbolik para Zyrës së Rregullatorit për Energjinë Elektrike (ZRrE).
Ky aksion ka për qëllim kundërshtimin e propozimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15%.
ZRrE ka paralajmëruar një rritje mesatare të tarifave të energjisë për konsumatorët, ndërsa bordi i saj pritet të marrë një vendim për këtë çështje në ditët në vijim.
Aktivistët dhe qytetarët e shqetësuar po kërkojnë që ky propozim të mos miratohet, duke argumentuar se rritja e çmimit do të rëndojë ekonominë familjare.
Mbetet për t’u parë nëse protesta do të ndikojë në vendimin përfundimtar të rregullatorit.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%.
Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse kemi pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Fejzullahu thekson se rritja e çmimit është e domosdoshme për të mbuluar kostot e importit, të cilat ose duhet t’i paguajë konsumatori, ose të subvencionohen nga qeveria.
Ndërkaq, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një konferencë për media të dielën ka thënë se paralajmërimi për shtrenjtimin e serishëm të çmimit të energjisë elektrike, do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset kosovare.
Shala tha se qeveria aktuale, në emër të liberalizimit të tregut po favorizon një grup të vogël të tregtarëve të energjisë, duke vënë barrën më të rëndë mbi familjet dhe bizneset kosovare.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët”, tha Shala.