“Kam një kohë të gjatë që punoj këtu në Gjermani, por shpesh shkoj në Maqedoni. Vërtet në Gjermani ka çmime që janë më të ulëta se ato në Maqedoni, madje në Maqedoni ka produkte që janë më të shtrenjta. Por, rrogat në Gjermani nuk janë si ato në Maqedoni” – thotë vajza e re Ina, e cila jeton dhe punon në afërsi të Hamburgut.
Disa nga çmimet e produkteve ushqimore bazë në Gjermani janë më të ulëta se ato në vendin tonë – për shembull, 1 litër vaj ulliri i ftohtë shitet nga 4,38 euro deri në 9,3 euro, në varësi të markës dhe llojit të vajit. Një tablo me 10 vezë kushton 1,99 euro. Çmimet e frutave dhe perimeve në këtë vend evropian nuk ndryshojnë shumë nga ato në vendin tonë – një kilogram domate shitet nga 1,4 euro deri në 2,5 euro, ndërsa 500 gramë limon i klasifikuar kushtojnë 1,09 euro.
Që nga fillimi i këtij viti, me një dekret të qeverisë në Gjermani, rroga minimale u rrit në 12,82 euro në orë, duke arritur në rreth 2.222 euro në muaj, nëse merren parasysh 40 orë pune në javë.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, në muajin shkurt përqindja e inflacionit në Gjermani ishte 2,6%. “Portalb”-i ka shqyrtuar të dhënat krahasuese të Eurostat-it dhe ato tregojnë se inflacioni në Gjermani në muajin shkurt ka shënuar rënie si në raport me janarin (në bazë mujore) ashtu edhe në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në vendin tonë, në shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe në dy muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, inflacioni është rritur për 5%, ndërsa në shkurt, në krahasim me janarin, rritja ishte për 0,5%. Përsëri, rritja më e lartë e kostos së jetesës është te ushqimi, ku kostot për vajrat janë rritur për 13,1%, kostot e mishit dhe të produkteve të mishit për 8,1%, dhe kostot e perimeve për 8,7%.
Inflacioni në BE
Në shkurt, inflacioni si në nivel të BE-së ashtu edhe në Eurozonë ishte nën 3%, ose në kuadër të Bashkimit Evropian ishte 2,7%, kurse në Eurozonë 2,3%.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, përqindjet më të larta të inflacionit janë në Hungari (5,8%), Rumani (5,2%) dhe Estoni (5,1%). Sllovakia, Polonia, Kroacia, Belgjika kanë përqindje të inflacionit prej mbi 4% deri nën 5%, ndërsa vendet tjera kanë përqindje të inflacionit më të ulët se 4%. Përqindjet më të ulëta të inflacionit vjetor u regjistruan në Francë me 0,9 për qind, Irlandë me 1,4 për qind dhe Finlandë me 1,5 për qind.