Nuk ka asnjë bazë, asnjë parakusht të vetëm dhe asnjë logjikë afariste, qoftë edhe e kapitalistëve nga Turqia, për të pranuar kërkesat shantazhuese për çmime të reja të ngritura të energjisë elektrike në Kosovë. Kërkesa e re për të ringritur çmimin e rrymës është thjeshtë kërkesë e furnizuesit dhe distributorit turk, si dhe e KOSTT-it për të rritur pa punë fitimin neto dhe për të mbushur arkat e tyre me para të kosovarëve varfanjakë
Mehmet GJATA
Edhe pa konfirmimin e përsëritur të ZRRE-së (25 shkurt 2025), opinioni kosovar ka qenë i njoftuar se kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë – Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOST), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Fundja, kërkesa për çmime të reja të ngritura nga këto kompani, nuk paraqet asnjë risi. Për çdo vjet, që nga 1013-ta, kur është privatizuar ish-Distribucioni i ish-Elektroekonomisë së Kosovës, kompanitë turke të sipërpërmendura, kanë ripërsëritur kërkesat për të ngritur çmimet pa asnjë arsye të vetme dhe jashtë çdo logjike afariste dhe të tregut.
ZRRE-ja ka thënë të martën se “është në fazën e vlerësimit të aplikimeve për ngritje çmimi të rrymës dhe “pas përfundimit të këtij procesi, ky institucion do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm edhe për konsultim publik”.
ZRRE-ja, natyrisht, e ka për detyrë dhe duhet të bëjë vlerësimin e kërkesave për ngritje çmimesh të kompanive që menaxhojnë pjesën e ndjeshme të sektorit energjetik të vendit. Por, ZRRE-ja duhet të jetë koshiente dhe domosdo e përgjegjshme gjatë procesit të vlerësimit dhe të mos bie pre e shantazheve të pacipa të kompanive të prirura për të fituar përtej çdo logjike ekonomike dhe të tregut. Shkurt e shqip, nuk ka asnjë bazë, asnjë parakusht të vetëm dhe asnjë logjikë afariste, qoftë edhe e kapitalistëve nga Turqia, për të pranuar kërkesat shantazhuese për çmime të reja të ngritura të energjisë elektrike në Kosovë.
Kërkesa e re për të ringritur çmimin e rrymës, madje për 35 për qind, siç raportojnë disa medie të vendit, është e paarsyeshme, jashtë logjikës së menaxhimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe jashtë tendencave globale për ulje të çmimit të rrymës, që tashmë e kanë përfshirë tregun energjetik ndërkombëtar.
Është thjeshtë kërkesë e furnizuesit dhe distributorit turk, si dhe e KOSTT-it për të rritur pa punë fitimin neto dhe për të mbushur arkat e tyre me para të kosovarëve varfanjakë, duke zhvatur dhe plaçkitur banorët e Kosovës, që edhe sipas të dhënave zyrtare të asociacioneve të respektueshme financiare ndërkombëtare, rangohen të parët për nga niveli i varfërisë në Europë. Sepse, në Kosovë në dy – tre vjetët e fundit kanë ndodhur ngritje çmimesh enorme, dhe niveli i çmimit të rrymës ka prekur realisht mirëqenien e popullatës shumicë të këtij vendi dhe ka ndikuar ndjeshëm në ç’ekuilibrimin e mirëqenies së tyre dhe rritjes së numrit të të varfërve në Kosovë, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk të konsumit të vendit me rrymë – KEDS/KESCO, “se në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më i ulëti në rajon”.
Me qindra e mijëra konsumatorë kosovarë këtyre ditëve, qëkur është konfirmuar se KEDS/KESCO dhe KOST kanë bërë kërkesë te ZRRE-ja për ringritje të çmimit të rrymës, kanë shpërfaqur të shqetësuar frikën se si do t’ia dalin ta përmbyllin muajin me muaj me çmimet e reja të kërkuara. Me fjalë të tjera, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë, dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, ose edhe i papërballueshëm fare. Dhe këtë fakt ZRRE-ja e di dhe e ka të njohur.
Çmimi i lartë i rrymës ka prekur të gjitha bizneset që për mbarëvajtjen e punës së tyre duhet domosdosshmërisht të konsumohet rryma. Prandaj nuk ka pse të ketë kaq shumë mirësjellje dhe fjalë të zgjedhura kundrejt kërkuesve të çmimeve të reja. Duhet të bëhet me dije pa humbur kohë se nuk ka asnjë arsye për të ngritur çmimet e rrymës në Kosovë.
Po e ripërsërisim, pas ngritjes enorme disa herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej më pak se dy vjetësh, (së pari më 2021 mbi 100 për qind, pastaj në shkurt të 2022-tës rreth 30 për qind, dhe në prill të 2023-tës diku përtej 15 përqindëshit), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne.
Së pari, për shkak të uljes së çmimit të energjisë elektrike në vitin 2023 dhe 2024, por edhe sivjet, në tregjet ndërkombëtare të tregtimit të rrymës. Tani, në periudha të ndryshme të vitit, në bursat ndërkombëtare, çmimet e rrymës elektrike janë edhe 5-6 herë më të ulëta se sa kur arritën kulmin në kohën e krizës globale energjetike.
Kundër ngritjes së çmimit të rrymës flet bindshëm edhe rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e fshehtë, e padeklaruar dhe ‘perfide’ e çmimit të rrymës nga ana e ZRRE-së. Me bllok tarifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orëve, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Saktësisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Një arsye tjetër, pse nuk duhet më të ngritet çmimi i energjisë elektrike dhe që fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, pa diskutim është se Kosova sot e kësaj dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me kosto shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paaftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës.
Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përqark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit. Të gjitha studimet e bëra deri më tash (të dhëna konkrete nga ato të botuara në shumë raste te Buletini Ekonomik), kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon.
Dhe krejt në fund, edhe të dhënat rreth raportit të shitblerjes KEK-KESCO/KEDS të energjisë, respektivisht për marrëveshjen me të cilën KEK-u obligohet t’ia shesë KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë, flet shumë kundër kërkesave për të ngritur çmimet sërish të rrymës. Ky çmim i tregtimit të rrymës KEK-KESCO është nënçmues dhe përbuzës për të gjithë punonjësit e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe vë në vështirësi të mëdha KEK-un për shkak të tregtimit me çmim kaq të ulët të energjisë, duke ia bërë të pamundshme KEK-ut investimet e synuara kapitale dhe të mirëmbajtjes më efektive të stabilimenteve prodhuese.
Në anën tjetër, e favorizon pafundësisht furnizuesin e rrymës, i cili për shumëfish më shumë ua shet këtë rrymë kosovarëve, të cilën e blen me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët.
Po dëshmohet bindshëm se kërkesat e pandalshme të kompanive KEDS/KESCO për ngritje e ringritje çmimesh për çdo vit, bëhen absolutisht nga pozitat qind për qind monopoliste të kompanive turke, të mundësuara me marrëveshje me rastin e privatizimit të ish-distribucionit të energjisë. Po të kishte konkurrencë ndër subjektet afariste që bëjnë shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike të konsumit të Kosovës, do të kishte sjellje të tjera në ecuritë e çmimeve të rrymës edhe në vendin tonë.
Nuk duhet harruar nga zyrtarët e ZRRE-së edhe një fakt tjetër që flet kundër shtrenjtimit të rrymës. Niveli i humbjeve të energjisë elektrike, që gjithnjë është përmendur si një ndër shkaqet për ngritje çmimi të rrymës (në njëfarë mënyre kompenzimi i humbjeve të rrymës në rrjet nëpërmjet ngritjes së çmimit), tani, sipas vet KEDS-it, ka rënë ndjeshëm, dhe është përgjysmë më i ulët krahasuar me vitin 2013, kur edhe është privatizuar ish-Distribucioni i energjisë në vendin tonë. Tani humbjet e energjisë elektrike në rrjet janë përgjysmë më të ulëta (më 2013-tën, përkatësisht në vitin kur është blerë distribucioni, humbjet e energjisë elektrike në rrjet kanë qenë në nivelin 34,2 për qind, ndërsa në vitin 2024 këto humbje janë ulur në nivelin 14,49 për qind).
Edhe një vistër tjetër argumentesh mund të numërohen se nuk ka arsye dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet ngritja e sërishme e rrymës, as nga ZRRE-ja, dhe as nga kompania turke për furnizimin me rrymë të Kosovës, KESCO. Nuk qëndron në asnjë mënyrë arsyetimi në kërkesën e KESCO, të bërë publike nga ZRRE-ja, lidhur me çmimet e ringritura të rrymës se “arsyet lidhen me rritjen e konsumit dhe me prodhimin e ulët vendor”. Sipas këtij dokumenti në vitin e kaluar, Kosova ka importuar 168 GËh (gigavat-orë) energji, me një kosto prej 47.8 milionë eurosh, nga të cilat 35.6 milionë euro janë shpenzuar vetëm në tre muajt e fundit të vitit. Ndërsa, parashikimet për këtë vit janë që të importohen 318 GËh.
Pos që janë të diskutueshme këto të dhëna, shtrojnë pyetjen si ka mundur të planifikojë KESCO dyfishimin e importit të rrymës më 2025, kur saktësisht dihet se asnjë kapacitet i vetëm industrial nuk është paraparë të fillojë punën sivjet, ndërkohë që numri i familjeve (lexo konsumatorëve të rrymës) po ulet përditë e më shumë, si rrjedhjojë e lëvizjeve të kosovarëve drejt perëndimit?!
Ndërkohë, në KEK, nuk është bërë asnjë njoftim për angazhim më të paktë të kapaciteteve prodhuese. Edhe më 2025, pra, do të jenë aktive termocentralet Kosova B (B1 dhe B2) si dhe dy blloqe të Kosovës A. Dhe krejt në fund, janë shantazhe evidente nga kompania turke për ngritje çmimesh nëpërmjet sinjaleve, të cilat tërthorazi plasohen në publik se “Kosova ka çmimin më të ulët në rajon të rrymës”, “KESCO po shpenzon miliona euro për të importuar rrymën që mungon” etj,.
ZRRE-ja, në fund të fundit, ligjërisht është institucion fare i pavarur për të vendosur edhe për ecuritë e çmimeve të rrymës në Kosovë, pavarësisht shantazheve që vijnë nga palët e involvuara në furnizimin e konsumit të Kosovës me energji elektrike. ZRRE e ka obligim mbrojtjen e konsumatorëve kosovarë edhe nga këto shantazhe. /Buletini Ekonomik/