Në reagime të shumta nga konsumatorët, por edhe nga ekspertë, analistë, njohës të zhvillimeve energjetike dhe përfaqësues të opozitës kosovare, kundërshtohet hapur dhe pa hezitim çmimi i paralajmëruar i energjisë nga ZRRE për t’u ngritur së shpejti.
Buletini Ekonomik
Pas paralajmërimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike prej rreth 15 për qind, kanë vërshuar reagimet të shumta nga konsumatorët, por edhe nga ekspertë, analistë, njohës të zhvillimeve energjetike dhe përfaqësues të opozitës kosovare. Në të gjitha këto reagime kundërshtohet hapur dhe pa hezitim çmimi i paralajmëruar për t’u ngritur së shpejti (fundi i marsit dhe fillimi i prillit është afati kur ZRRE zyrtarizon ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, në këtë rast, rritjen e çmimit ekzistues për 15 për qind, siç është paralajmëruar).
Reaguesit e propozimit për ngritje të reja të energjisë elektrike pos që nuk pajtohen me paralajmërimin për përqindjet e ditura tashmë të rritjes së pritshme të çmimit të rrymës, duke e vlerësuar rritjen si shumë të lartë, të palogjikshme dhe jashtë mundësive reale të pagesës së shumicës së kosovarëve të varfër, shprehin frikën se rritja e çmimit do të reflektojë domosdo edhe në rritjen zinxhirore të çmimeve të shumë produkteve të domosdoshme për jetën normale të qytetarëve.
“Shqetësues është propozimi për ngritje 15 për qind të rrymës për të gjithë kosovarët, sidomos për ata që janë me paga më të ulëta”, thonë disa bashkëbisedues të Buletinit Ekonomik.
Sipas tyre, rritja e çmimit të rrymës, por edhe të mallrave të tjera, duhet të jetë patjetër në harmoni me mundësitë reale të kosovarëve të varfëruar tashmë edhe nga çmimet enorme të larta të shumë produkteve.
“Nuk do të duhej të kishte rritje të tarifave aktualisht, përderisa Kosova po ballafaqohet me paga të ulëta dhe konsumatorët e kanë të pamundur t’i paguajnë faturat”, tha për medie Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.
Ngritja e tarifave është kundërshtuar edhe nga bizneset.
“Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës. Rritja e sërishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRRE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme te bizneset”,, kanë thënë nga Dhoma e Tregtisë.
Analisti Shenoll Muharremi në një shkrim të vetin ka trajtuar ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë në ekonomi dhe tek familjet kosovare, duke konstatuar se “kur rritet çmimi i rrymës, rriten të gjitha çmimet tjera”.
Sipas tij, fillimisht rritet kostoja e prodhimit, fabrikat dhe bizneset paguajnë më shumë për energjinë elektrike, shpenzimet e rritura çojnë në çmime më të larta për konsumatorët. Bizneset nuk kanë rrugëzgjidhje pos t’ia faturojnë qytetarëve rritjen e çmimit të shpenzimeve që krijohet nga rritja e çmimit të rrymës.
“Shporta e konsumatorit bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Mallrat e përditshme, si ushqimet dhe produktet bazë, pësojnë rritje çmimesh. Mesiguri edhe buka si produkt esencial shtrenjtohet. Por jo vetëm kjo, edhe të gjitha çmimet tjera”.
Kjo rritje e çmimit të rrymës, sipas Muharremit, e prek drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve.
Inflacioni rritet dhe fuqia blerëse bie. Çmimet e përgjithshme në ekonomi rriten. -Paga mbeten të njëjta, duke ulur nivelin e jetesës për shumicën e familjeve. Fuqia blerëse, edhe ashtu e shkatërruar vitet e fundit, bie edhe më shumë. Kur shkon te arka e marketit, e sheh që çka ke ble me 100 euro, tash të duhen 130 euro. Sektori i shërbimeve ndikohet drejtpërdrejt. Bizneset e vogla paguajnë më shumë për faturat e energjisë. Për ta kompensuar, ata rrisin çmimet e shërbimeve që ofrojnë. Konkurrueshmëria e bizneseve zvogëlohet (psh çmimi i kafes mundet me u rritë përsëri). Prodhuesit kosovarë bëhen më pak konkurrues ndaj produkteve të importuara. Rritja e çmimeve tjera e rrit koston e prodhimit. Kjo i bën produktet vendore më pak konkurruese në tregun e brendshëm. Disa biznese edhe falimentojnë, se nuk munden me i përballu presionet dhe konkurrencën nga jashtë. Papunësia mund të rritet, gjithashtu migrimi. -Bizneset që nuk përballojnë kostot mund të shkurtojnë vendet e punës dhe kjo mund të çojë në pasiguri më të madhe në tregun e punës. Rrjedhimisht, kjo ndikon në rritje të migrimit vitet e ardhshme, sepse kostoja e jetës bëhet e papërballueshme dhe njerëzit duhet me gjetë zgjidhje diku tjetër. Mbi 300,000 persona kanë lëvizur nga fshatrat e Kosovës ndërmjet viteve të dy regjistrimeve të popullsisë. Fshatrat janë zbrazur dhe kjo ka ndikuar edhe në bujqësi”, thotë Muharremi.
Sipas tij, efekt zinxhir do të ketë edhe në çmimet e konsumit.
“Çmimet e larta të energjisë do të ndikojnë tek çdo produkt dhe shërbim. Vala e re e inflacionit do të përshpejtohet (deri më tani, ka produkte ushqimore që janë rritur mbi 100% nga viti 2021).”
Në këtë kontekst, përfundon Muharremi, kjo rritje do krijojë një valë të re të inflacionit që do ketë efekt domino në zinxhirin e çmimeve të konsumit, dhe jo vetëm.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e dëshmuar tashmë me kundërshtime të mprehta të shumë zhvillimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe sidomos në ecuritë e ngritjes së çmimeve të shumë produketeve, ka thënë se propozimin e ZRRE-së për çmime të reja të ngritura të rrymës, po e sheh si barrë ndaj qytetarëve. Edhe ish ministrja e Financave nga radhët e LDK-së, ka paralajmëruar edhe rritje të çmimeve të produkteve nga bizneset, pasi thotë se me vendim të ZRrE-së, “KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur”.
“Pse është kjo problem? Sepse kjo do të thotë rritje e shumëfishtë e çmimit të energjisë për këto biznese, duke marrë parasysh faktin se pas daljes në treg të hapur, këto biznese do të furnizohen me energji kryesisht nga importi, me tarifa shumë më të larta, pasiqë në bazë të kontratës së privatizimit të distribucionit, KEK-u e ka obligim të furnizojë fillimisht KEDS/KESCO, duke i lënë bizneset në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve të importit”, thotë Bajrami.
Sipas Bajramit, pas gjithë kësaj, vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE-ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%!
Pas propozimit për çmime të ngritura të rrymës, në disa rrjete sociale është paralajmëruar të nis fushata “Asnjë cent më shumë”. Qytetarët thonë se durimit i ka ardhur fundi, ku parashihet edhe të protestohet kundrejt vendimit për shtrenjtimin e ri të rrymës. Duhet theksuar se këtyre ditëve ndër analistë dhe përfaqësues të asociacioneve që trajtojnë zhvillimet në sektorin energjetik të Kosovës ka pasur edhe reagime në përkrahje të propozimit të ZRRE-së për ta shtrenjtuar çmimin e rrymës. /Buletini Ekonomik/