Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka miratuar Udhërrëfyesin për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP: Supervisory Review and Evaluation Process).
Ky Udhërrëfyes mundëson zbatimin gradual të Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës duke marrë parasysh specifikat e sektorit bankar, për të siguruar që praktikat mbikëqyrëse të jenë të përshtatshme dhe proporcionale me madhësinë, fushëveprimin dhe kompleksitetin e sistemit tonë bankar.
BQK thotë se qëllimi kryesor i SREP-it është monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i rreziqeve ndaj të cilave ekspozohen bankat, si dhe krijimi i një strategjie mbikëqyrëse të përshtatshme, që ruan dhe avancon sistemin bankar në tërësi, dhe që i kontribuon stabilitetit financiar të vendit.
“Zbatimi i Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka (SREP) është në kuadër të aktiviteteve reformuese në linjë me objektivat e planit strategjik të BQK-së, ndërsa përmbush një nga Pikat Referuese Strukturore që dalin si detyra të BQK-së nga dy Marrëveshjet aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandimeve të dhëna gjatë misionit të FMN në dhjetor 2024, si pjesë e Asistencës Teknike (TA) për Procesin e Rishikimit Mbikëqyrës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Udhërrëfyesi për SREP është përgatitur më mbështetjen e FMN, ku përmes tij BQK ka për
qëllim që të përmirësojë sistemin e vlerësimit të rrezikut duke përzgjedhur kriteret përkatëse dhe duke rafinuar udhëzimet për vlerësimin, duke u mbështetur në analizën e rregullt prudenciale të të dhënave dhe për të arritur rezultate më të harmonizuara të vlerësimit të rrezikut.
Me këtë, spas BQK-së, synohet kalimi gradual nga sistemi aktual i vlerësimit CAMELS në SREP, në përputhje me parimet e përcaktuara nga Udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian (EBA).
Udhërrëfyesi për SREP gjithashtu përshkruan planin për trajnimin e personelit, organizimin e konsultimeve dhe bashkëpunimit me bankat vendore dhe palët e tjera të interesit për SREP, si dhe synon caktimin e një afati orientues për zbatimin e plotë të manualit SREP.









