Me cisterna dhe traktorë para Ministrisë, fermerët e qumështit protestojnë sot

Fermerët kosovarë të qumështit do të protestojnë sot, duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për situatën e krijuar në sektorin e qumështit.

Vendimi për organizimin e protestës është marrë nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e ka cilësuar protestën si të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë.

Protesta vjen edhe pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, pas një aksioni të autoriteteve.

Fermerët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë me traktorë, mjete bujqësore dhe cisterna me qumësht, ndërsa kanë ftuar edhe qytetarët që të sjellin bidonë, pasi gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.

Përmes protestës, ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:

-rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat;

– publikimin urgjent të rezultateve të analizave, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi cilësinë e produkteve vendore;

– rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.

Fermerët thonë se deri më tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse dhe se protesta synon të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për gjendjen e rënduar në sektorin e prodhimit të qumështit, i cili sipas tyre ka nevojë për ndërhyrje urgjente për të shmangur pasoja edhe më të mëdha për prodhuesit vendorë.