Edhe 2025-ta, në të dy kryeqytetet shqiptare ka filluar me trende të rritjes së çmimit të banesave, dhe sipas zhvillimeve aktuale në sektorët e ndërtimit nuk ka asnjë gjasë që të ketë ulje çmimi të banesave. Në Tiranë, në këtë fillimvit janë thyer të gjitha rekordet e çmimit të një metri katror të banesave. Në “Zonën e bllokut” (e vlerësuar si zonë elitare) në një objekt në ndërtim (ndërtesë me 14 kate), metri katror i një banese ka shkuar në 5.000 euro. Ndërkohë, në Prishtinë ka ngritje çmimesh dhe paralajmërime të ndërtimtarëve për ngritje të tjera gjatë 2025-tës.
Mehmet GJATA
Në Tiranë dhe në Prishtinë, në të dy kryeqytetet e shteteve shqiptare, që rangohen ndër shtetet më të varfëra në Europë dhe në rajon, ka vite që dominojnë çmimet enorme të larta të banesave dhe të paluajtshmërive në përgjithësi. Edhe 2025-ta, në të dyja kryeqytetet ka filluar me trende të rritjes së çmimit të banesave, dhe sipas zhvillimeve aktuale në sektorët e ndërtimit nuk ka asnjë gjasë që të ketë ulje çmimi të banesave. Përkundrazi, përkundër hovit të papërmbajtshëm të ndërtimit të banesave, sipas të dhënave të agjencive të tregtimit të paluajtshmërive, në të dy kryeqytetet, janari dhe shkurti i këtij viti kanë sjellë ngritje të reja të çmimeve të një metri katror të banesave.
Me zhvillimet e paralajmëruara dhe të ndodhura në ndërtimtarinë e të dy kryeqyteteve shqiptare, sikur po sinjalizohet se 2025-ta, pak a shumë do të karaketerizohet me ecuritë e vitit 2024. Që në janar dhe në shkurt, në këtë sektor janë karakteristike thuaja identike në të dy kryeqytetet lëvizjet e shpeshta dhe të papritura që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme, sidomos në lëvizjet e çmimeve të ndërtimeve.
Edhe sivjet, pra, ka vazhduar në këtë sektor të mos respektohen ligjet e ekonomisë së tregut, ka vazhduar të ketë shumë ofertë të banesave dhe njëkohësisht çmime enorme të larta dhe me tendencë të tejdukshme të ngritjes së mëtejshme. Në Tiranë shembull, në këtë fillimvit janë thyer të gjitha rekordet e çmimit të një metri katror të banesave. Në zonën e bllokut (e vlerësuar si zonë më elitare) në një objekt në ndërtim (ndërtesë me 14 kate), metri katror i një banese ka shkuar në 5.000 euro. Po në këtë zonë, në Tiranë, në një objekt në ndërtim që nga viti i kaluar, një metër katror i një banese ka kushtuar 4.500-4.800 euro, dhe siç thonë në zyrtarët e një agjencie të paluajtshmërive atje, nuk ka banesë të pashitur në këtë ndërtesë. Janë shitur që në nismë.
Edhe brenda “Zonës së verdhë” në Tiranë, zonë periferike, metri katror i një banese ka shkuar në 1.500 euro, ndërsa në zonën brenda “unazës së vogël” metri katror i një banese tani kushton 2.700 euro.
Në muajin shkurt, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-tës, çmimet e banesave në Shqipëri, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme dhe ndërtesave, u ngritën nga 5 deri në 27 për qind. Ndërsa, në Prishtinë, në bazë të shifrave, çmimet e banesave duken të jenë paksa më të ulëta se sa në Tiranë, por me tendencë të tejdukshme të ngritjes së re të tyre.
Në Prishtinë ka ngritje çmimesh dhe paralajmërime të ndërtimtarëve për ngritje të tjera gjatë 2025-tës. Sipas të dhënave të agjencive të paluajtshëmrive, çmimi i një metri katror të një banese, në kompleksin e paralajmëruar për t’u ndërtuar në këndin e rrugëve “Karl Gega’ dhe “Ali Pashë Tepelena” (këtu nuk kanë filluar ende punët ndërtimore), që tani, ende goxha larg nisjes së themeleve të këtij kompleksi, çmimi i metrit katror është i përcaktuar tashmë dhe kushton 2,800 euro.
“Ky çmim është i paraparë nëse banesa kontraktohet tani, ende pa u nisur themelet, ndërsa pas finalizimit të tyre (pas së paku dy-tre vjetësh), ky çmim do te jetë shumë më i lartë”, thotë prishtinasi t’i kenë thënë atij njohës të ndërtuesit të kompleksit të pritshëm të banesave.
Ndërkohë, në afërsi dhe përreth Stacionit të autobusëve të kryeqytetit, që vlerësohet si zonë pak më e largët nga qendra, thuaja shumica e banesave në ndërtim kanë çmimin nga 1800 – 2000 dhe përtej. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa, sipas tyre rritja e çmimeve në qendër të kryeqytetit, sidomos, ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që edhe në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm.
Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është, bie fjala, lagjja Velania dhe përballë tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese që para 4-5 muajsh kushtonte rreth 1,500 euro, tani nuk mund të bëhet fjalë nën çmimin 2000 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është duke u ngritur në këtë fillimvit.
Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani, ndjeshëm përtej 1,500 eurosh. Ndërsa në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana dhe Dardania, metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500 euro.
Në Prishtinë, për dallim nga Tirana, nuk ka ndërtime të reja në zonën e Qendrës, dhe nuk ka ndonjë zonë elitare, sikundër që është “Zona e bllokut” në Tiranë. Ndërsa, në ndërtesat e vjetra në Qendër ka fare pak shitblerje. Shitblerjet e mëdha të banesave në Qendër të Prishtinës, përgjatë sheshit Nënë Tereza, por edhe në rrugën Garibaldi janë bërë vite më parë. Sidoqoftë, sipas agjencive të paluajtshmërive, rreth qendrës nuk mund të gjesh tani banesë nën 3.500 euro për metër katror.
Shkaqet e rritjes së çmimit të banesave në Prishtinë, ndërtimtarët i shohin te ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe te mungesa e fuqisë punëtore, e shprehur sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës si dhe te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit. Ndërsa në Tiranë, ndërtimtarët ankohen shumë te taksa enorme e lartë e tokës dhe këtë taksë e shohin si një ndër faktorët e qenësishëm të ngritjes së çmimit të banesave.
Në Tiranë, blerësit kryesor të banesave me çmime rekorde (këto me 5.000 euro për metër katror), janë kryesisht sipërmarrësit. Edhe në Prishtinë, pronarë të banesave me çmime më të shtrenjta bëhen kryesisht biznesmenë dhe afaristë më të suksesshëm dhe ndonjë shqiptar nga diaspora. Ndërsa, për ekspertët dhe njohësit e ecurive në sektorin e ndërtimit në Kosovë, këto lëvizje vlerësohen goxha të pakuptueshme edhe për momentumin kohor, aq më shumë kur dihet rënia e theksueshme e shitblerjeve gjatë vitit 2024 të patundshmërive dhe sidomos të banesave, kur dihet tejngopja e tregut me njësi banesore dhe kur shihet në horizont kriza e mundshme me të cilën parashikohet të përballen ndërtimtarët e Kosovës, si pasojë e rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht edhe si pasojë e tregtimit të ndërtimeve me çmime enorme të larta.
Kush do t’i blejë gjithë këto banesa që kanë nisur dhe që janë në plan të nisen në vitet në vazhdim, me çmime enorme të larta dhe me tendenca të ngritjes së mëtejshme të çmimit të tyre. Se a do të gjenden blerës për gjithë këto banesa në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të vendit, mbetet çështje e diskutueshme.
Të dhënat e reja nga regjistrimi i popullsisë të vitit 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave, janë të frikshme dhe realisht shqetësuese: në të gjithë Kosovën janë 182 mijë e 849 banesa që janë të pabanuara. E kjo shifër është për mbi 83 mijë më e lartë sesa ka qenë në regjistrimin paraprak të popullsisë, që është realizuar më 2011-n. Bazuar në këto të dhëna, komuna e Prishtinës e ka numrin më të madh të banesave të pabanuara, gjithsej 25 mijë e 195 sosh, e pasuar nga Prizreni me 16 mijë e 842 dhe Ferizaji me 15 mijë e 228.
Në këtë mënyrë, në Kosovë zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të përballen me paradokset e deritashme – ndërtimet rriten dhe vazhdojnë me ritëm të lartë, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndjeshëm, për dallim me disa vite më parë kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Dhe ky paradoks po ndodhë në Prishtinë edhe në këtë fillimvit, por edhe në qendrat e tjera komunale. Gjithsesi, ky trend i zhvillimeve në sektorin kosovar të ndërtimeve, në muajt në vazhdim do ta ketë ndikimin e vet në rritjen e gjithëmbarshme ekonomike të vendit, ndërsa ka tendenca që ky ndikim të ulet gradualisht edhe më shumë në vitet në vazhdim. Pak a shumë, njësoj është gjendja edhe në Shqipëri. /Buletini Ekonomik/