Vazhdojnë të heshtin autoritetet dhe zyrtarët kompetentë rreth paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind. Por, nuk kanë rreshtur reagimet nga konsumatorët dhe përfaqësuesve të bizneseve, dhe në këto reagime kanë dominuar absolutisht shqetësimet për pasoja zinxhirore që do të kenë çmimet e ringritura të rrymës.
Buletini Ekonomik
Pas paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind, praktikisht kanë heshtur vetëm autoritetet kosovare. Zyrtarët aktual nga asnjëra ministri kompetente që drejtpërdrejt ose tërthorazi është e përfshirë në zhvillimet energjetike në Kosovë, qëkur është bërë publik paralajmërimi nga ZRRE-ja për çmimet e reja të pritshme të rrymës, nuk e kanë thënë asnjë fjalë, as përkrahjeje e as kundërshtimi. Thjeshtë janë bërë memecë.
Ka heshtur edhe Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë, ose më kompetentja për gjendjen elektroenergjetike në vend, nuk është ndie as kryefinancieri i vendit, Hekuran Murati, as Rozeta Hajdari, ministrja e Tregtisë, sado që sektori që është nën kompetencat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë do të jetë ndër më të goditurit në çmimet e reja të rrymës.
Megjithatë, nuk kanë rreshtur reagimet nga konsumatorët, përfaqësues të bizneseve, por edhe nga ekspertë, analistë, njohës të zhvillimeve energjetike dhe përfaqësues të opozitës kosovare, dhe në këto reagime kanë dominuar absolutisht kundërshtimet e fuqishme të paralajmërimit të ngritjes prej 15 për qind të rrymës nga muaj prill.
Në reagimet e shumta shpërfaqen sidomos shqetësimet për pasojat që do të kenë çmimet e ngritura të rrymës tek bizneset kosovare. Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se rritja e mundshme e energjisë elektrike prej 15 për qind do t’i detyrojë bizneset prodhuese të rrisin çmimet e produkteve të tyre.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se paralajmërimi për ngritje 15% të çmimit të rrymës është një lajm i keq për konsumatorët kosovarë, qoftë biznese apo familje individuale. Shahini tha se pas shtrenjtimit të energjisë elektrike, Kosova është kampion dhe e zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor si vendi më i shtrenjtë energjetik dhe vendi që më së shumti ka ndërprerje të energjisë elektrike.
“Me këtë paralajmërim bizneset dhe investitorët do të goditen rënde me ngarkesë të shtrenjtë të energjisë elektrike, bizneset do të detyrohen të rritin çmimin e prodhimeve dhe shërbimeve të veta për konsumatorët kosovarë”, tha ai.
Ndërsa, qytetarët mendojnë se çmimet e reja të ngritura të energjisë elektrike për shtresat e varfëra dhe ato të mesme të vendit, do të jenë të papërballueshme.
“Po a pak është shtrenjtë a, tepër nuk po ikin rinia prej ktuhit. Kah me ja majtë, ka me pagu”, tha një qytetar në një nga anketimet e një televizioni tonë, gjatë trajtimit të kësaj teme.
“Na flejna në qymyr e blejna rrymë 500/600 euro megavat s’ka met ma kërkush as me protestu”, tha një qytetar tjetër.
“O me ba me ndodhë kjo rritje na duhet me u çu e me e blloku Prishtinën”, u shpreh një tjetër qytetar.
Në një tjetër reagim të deputetës së LDK-së, Hykmete Bajrami, thuhet se çmimi i energjisë elektrike është rritur për tri herë në tri vitet e fundit.
‘’Në tri vitet e fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur për herë të tretë dhe tashmë ka kohë që është dyfishuar’’ thotë ajo.
Ajo ka shpjeguar edhe propozimin e ZRrE-së mbi këtë rritje.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar një rritje të tarifave prej 15%, e cila do të hyjë në fuqi më 1 prill, por kjo nuk është rritja e vetme për këtë vit. Sipas vendimit të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar daljen në treg të hapur të të gjitha ndërmarrjeve që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro’’ shprehet Bajrami.
Deputetja Bajrami e LDK-së, deklaron se rritja e çmimit të rrymës do të çojë në rritjen e shumëfishtë të tarifave për kategoritë e konsumatorëve.
‘’Kjo do të çojë në një rritje të shumëfishtë të tarifave për këtë kategori konsumatorësh, pasi ata do të furnizohen kryesisht nga importi i energjisë. Kjo ndodh sepse KEK-u ka obligim që energjinë e prodhuar ta ofrojë fillimisht për KEDS dhe KESCO, duke i lënë bizneset e mesme dhe të mëdha në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve më të larta”, shprehet ajo për Front Online.
Hykmete Bajrami paralajmëron se rritja e çmimit të energjisë do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët.
“Çfarë do të thotë kjo për ekonominë? Rritja e shumëfishtë e çmimit të energjisë për bizneset e mesme dhe të mëdha do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët. Për me tepër, viteve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të një inflacioni galopant dhe gjithashtu të indiferencës së qeverisë ndaj këtij inflacioni, prandaj një rritje tjetër e çmimit të energjisë elektrike, qoftë për ekonomitë familjare, qoftë për bizneset, do të ishte e papërballueshme për qytetarët e vendit, prej të cilëve shumica mezi ia dalin deri në fund të muajit me shpenzime vetëm për artikuj të domosdoshëm’’, përfundoi ajo.
Në anën tjetër, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë, nuk duhet të ketë rritje të çmimit të energjisë, por përkundrazi duhet të ndalet shtrenjtimi i rrymës dhe të shtyhet ndryshimi i çmimit. Ai deklaroi për medie se rritja e tarifave për 15 për qind do të jetë një barrë e rëndë për qytetarët e Kosovës. Sipas Gërxhaliut, jo vetëm çmimi i energjisë elektrike po ndikon negativisht te qytetarët, por edhe rritja e çmimeve të produkteve të tjera. Ai kërkoi që të shqyrtohen alternativa të ndryshme për të zbutur ndikimin ekonomik.
Gjithashtu, Gërxhaliu kërkoi ndërhyrjen e qeverisë për të menaxhuar inflacionin dhe për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të qytetarëve kosovarë. Sipas tij, një problem shqetësues është fakti që Kosova ka importuar thëngjill, ndonëse është një nga vendet më të pasura me këtë burim natyror.
Ndërkohë, Ali Sefaj, sindikalist paralajmëron protesta të fuqishme për ta kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë.
“Është kriju një grup dhe një platformë në rrjetet sociale me emërtimin “Asnjë cent më shumë”, i cili fillimisht do veprojë nëpërmjet rrjeteve sociale, pastaj nëse është nevoja nëpërmjet peticioneve, veçse ky të jetë masiv dhe pastaj për të paralajmëru ZRRE-në dhe Qeverinë që kanë m’u përball me protesta të mëdha dhe të vazhdueshme derisa të tërhiqet ky propozim nga ZRRE”, ka deklaruar Sefaj.
Sefaj tha se “do të shikohet edhe mundësia e shkarkimit të anëtarëve të ZRRE-së”.
“Pastaj, në rast se ZRRE nuk është e gatshme t’i përgjigjet organit që e ka mandatu për t’i kryer obligimet ligjore që ka për të mbrojtur interesin publik, në fund të fundit edhe t’i shkarkojë ata anëtarë të cilët nuk e përfaqësojnë interesin e republikës”, shtoi Sefaj.
Ai ka thënë se e kanë për obligim me pa se çka po ndodh me taksat dhe perspektivën e fëmijëve, pasi rritja e çmimit të energjisë elektrike zvogëlon mundësitë për familjet për jetë më të mirë, ka raportuar Betimi për Drejtësi.
Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë e Industrisë së Kosovës thotë se e ka pritur me shqetësim paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind. Prandaj ka kërkuar nga qeveria Kurti që të ndërhyjë dhe mos lejojë rritjen e çmimit.
“Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje tek prodhuesit vendës. Rritja e sërishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRrE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme tek bizneset” thuhet tutje në reagim.
Sipas DhTIK-së, një ngritje e tillë e çmimit, e bënë sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo, thonë ata, mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve. Ndërkohë për kundërshtimet dhe komentet kundërshtuese për paralajmërimin për ngritjen prej 15% të rrymës, ZRRE ka caktuar një afat që është deri më 28 mars.
“ZRrE e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative. Në këtë kuadër, ZRrE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri në datën 28 mars 2025”. /Buletini Ekonomik/











