Pas hulumtimit në Buletin, ministrja Rizvanolli i kërkon sqarime ZRrE-së rreth dyshimeve për ‘fryrje’ të kostove nga kompanitë e licencuara prej ZRrE-së

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ftuar në një takim “urgjent” drejtuesit e Zyrës së Rregullatirit të Energjisë (ZRrE), pas hulumtimit në Buletini Ekonomik, rreth dyshimeve për “fryrje” të çmimeve të importit të rrymës nga kompanitë e licencuara prej ZRrE-së që merren me tregtim të energjisë.

Në takimin që është mbajtur dje, ka qenë i pranishëm kreu i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu dhe drejtori menaxhues, Petrip Pepaj.

Në një njoftim për media, thuhet se minitrja Rizvanolli ka kërkuar sqarime nga drejtuesit e ZRrE-së sepcifikisht për çështjen e kostove të bartjes së energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare, që në raste e tejkalon shumëfish çmimin e vetë rrymës në bursat ndërkombëtare.

Reklama e sponzorizuar

“Ministrja kërkoi informata shtesë mbi disa prej faktorëve që kanë çuar tek rritja e kostos së furnizimit, si p.sh., çmimi i kapaciteteve të transmisionit, dhe kërkoi që këto çështje të trajtohen ne detaje nga ZRrE dhe nëse konstatohet që disa nga kostot kanë qenë të evitueshme, ato të mos barten tek konsumatorët por mbahen përgjegjës operatorët”, thuhet në njoftim.

Sipas hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik, një paradoks si kurrë më parë ka ndodhur gjatë vitit 2024, sa i përket importit të rrymës nga KESCO. Në shumë raste më shumë ka kushtuar bartja e rrymës përmes linjave ndërkombëtare, sesa vetë çmimi i rrymës në bursa. Vlerësohet se dhjetëra miliona euro kanë shkuar për pagesën e linjave ndërkombëtare.

Çmimet e importit të rrymës “u frynë” nga kompanitë licencuara prej ZRRE-së

Dyshohet se kjo erdhi pas bllokadës se “autostradës energjetike” me Shqiperinë, kur importi varej vetëm përmes Malit të Zi dhe Maqedonisë, dhe kjo situatë u shfrytëzua nga kompanitë që merren me tregtim të energjisë që kanë licencë nga ZRrE.

Ndër të tjera, në takimin e mbajtur, në njoftim thuhet se Ministrja Rizvanolli ritheksoi komentet e dërguara me shkrim tek ZRrE, përfshirë: (i) që konsumatorët më konsum nën 800 kËh në muaj të mos preken nga rritja, që do të thotë që rreth 60% e familjeve të mos preken fare, dhe (ii) për të tjerët, pra rreth 35% që preken vetëm gjatë disa muajve të dimrit dhe 5% që e kalojë këtë konsum rregullisht, rritja të jetë sa më e ulët që është e mundur pa rrezikuar furnizimin, dhe të ketë edhe breze shtesë të konsumit mbi 800 kËh, ashtu që të mbrohen veçanërisht familjet që konsumojnë më pak.

Në takim gjithashtu u kërkua që ZRrE të trajtojë me seriozitetin më të lartë dhe në mënyrë proaktive çështjen e uljes së humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, përfshirë auditimin e investimeve të realizuara deri tani, dhe domosdoshmërinë për të ulur shpejt humbjet teknike dhe për të eliminimuar humbjet komerciale.