Balluku: Së shpejti paraqesim projektin e Hekurudhës së Kombit

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, deklaroi dje se marrëveshja e nënshkruar me BEI për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, vendos një tjetër gur kilometrik në zhvillimin e transportit hekurudhor.

Në deklaratën e saj për mediat pas nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille, Balluku u shpreh se “të gjithë këta komponentë po plotësojnë një pazëll të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishme për BE-në, duke qenë se ai ofron efiçiencë financiare për çdo qytetar dhe nga ana tjetër është miqësor me mjedisin”.

Ajo shtoi gjithashtu se edhe segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës është në hapat e fundit të ndërtimit dhe do të dorëzohet brenda këtij viti, duke i lënë vitit 2026 plotësimin e komponentëve të tjerë, atë të elektrifikimit të saj dhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë.

Reklama e sponzorizuar

Njëkohësisht informoi se gjatë vitit 2025 nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit. Ky segment sipas saj, përfundon në 2029-ën.

Balluku tha se shumë shpejt do të prezantohet edhe projekti i Hekurudhës së Kombit.

“Në ditët në vijim do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e Kosovës. Bëhet fjalë për Hekurudhën e Kombit që do të prezantohet në Shkodër, ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, tha ajo, transmeton Scantv.

Brenda vitit, shtoi ajo, do të kemi një projekt të plotë të segmentit hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, që parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028. Ky segment, vuri në dukje Balluku, do të pasohet edhe nga segmenti Rrogozhinë -Pogradec që do të dorëzohet në 2029-ën. /Scan tv/