‘Heshtja’ qeveritare rreth paralajmërimit për ngritjen e çmimit të rrymës

Ndër 396 komentet e arritura në ZRRE rreth paralajmërimit të ngritjes së çmimit të rrymës, bie në sy mungesa e komenteve të autoriteteteve dhe zyrtarëve të Qeverisë, të ministrive kompetente (sipas ZRRE-së, komente ka dërguar vetëm Ministria e Ekonomisë). Në ZRRE, sipas njoftimit, nuk ka mbërritur asnjë koment nga kryeministri, as nga ministri i Financave, as nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Ndërsa nga 120 ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës, vetëm një deputet, po sipas njoftimit të ZRRE-së, duket të ketë reaguar, apo të ketë dërguar komentin rreth shtrenjtimit të paralajmëruar të rrymës.

Mehmet GJATA

Deri më tash, rreth paralajmërimit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike 15 për qind dhe për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset dhe kompanitë kosovare që kanë mbi 50 punëtorë dhe qarkullim të parasë mbi 10 milionë euro, në zyrat e ZRRE, siç ka njoftuar ky asociacion, komente kanë dërguar 396 qytetarë, tetë organizata, katër biznese, katër operatorë energjetikë, një deputet, ministria e Ekonomisë dhe presidentja e vendit. Nuk është sqaruar se a ka më afat rreth dërgimit të komenteve, por është njoftuar nga ZRRE-ja se “takimet bilaterale me palët e interesit do të mbahen nga 4 prilli deri më 10 prill”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit, në takim do të marrin pjesë nga një përfaqësues i të gjitha palëve të interesit që kanë ofruar komente me ftesë të ZRRE-së, dhe palët do të kenë mundësi të ofrojnë informata shtesë apo të diskutojnë për procesin tarifor.

Më 11 prill do të bëhet përmbyllja e procesit konsultativ dhe do të jepen përgjigjet ndaj komenteve. Duke pasur parasysh, “zhurmën” e madhe që ka shkaktuar paralajmërimi, shqetësimin e qindra qytetarëve të shprehur publikisht për pasojat që do të këtë rritja e çmimit të rrymës për pjesën dërmuese të kosovarëve, sidomos në rrënimin e mirëqenies së tyre edhe ashtu të varfër dhe mundësisë që do të krijojë çmimi i ringritur i rrymës për rritjen zingjir të çmimeve të shumë produkteve të tjera, ky numër është fare i vogël dhe thuaja simbolik. Por, vrojtuesit dhe ekspertët mendojnë se edhe në këto reagime e komente numerikisht jo edhe aq imponuese, ka të përmbedhura një mijë e një arsye të qëndrueshme që argumentojnë bindshëm se ngritja e paralajmëruar e rrymës nga ZRRE-ja nuk ka asnjë arsye për t’u bërë tani, është përtej çdo logjike afariste, është kërkesë e shpërndarësit dhe furnizuesit me rrymë të konsumit të Kosovës për ta shtuar fitimin neto pa asnjë bazë afariste.

Për paralajmërimin e paarsyeshëm, të njëanshëm dhe me pasoja evidente të mundshme për destabilizimin e gjendjes sociale të 70 për qind të ppopullsisë së vendit, këtyre ditëve, më saktësisht qëkur është bërë publike paralajmërimi i ZRRE-së, është shkruar e folur pa reshtur edhe nga Buletini Ekonomik. Por, ndër 396 komentuesit, bie në sy mungesa e komenteve të autoriteteteve dhe zyrtarëve të Qeverisë, të ministrive kompetente (sipas ZRRE-së komente ka dërguar vetëm Ministria e Ekonomisë).

Në ZRRE, sipas njoftimit, nuk ka mbërritur asnjë koment nga kryeministri, aa nga ministri i financave, as nga Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa nga 120 ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës, vetëm një deputet, po sipas njoftimit të ZRRE-së, duket të ketë reaguar, apo të ketë dërguar komentin rreth shtrenjtimit të paralajmëruar të rrymës.

Duhet theksuar se në këto ditë, jashtë numrit të komenteve të arritura në ZRRE, pati shumë kërkesa nga shoqëria civile, nga asociacione ekonomike të vendit dhe nga ekonomistë e qytetarë të shumtë kundrejt paralajmërimit të ringritjes së çmimit të rrymës.

Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, që të pezullojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, për një periudhë kohore prej të paktën një viti. Kjo kërkesë është bërë me qëllim të mbrojtjes së bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, që do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit. Gjithashtu, edhe Lidhja e Bizneseve kërkoi nga ZRRE-ja dhe Qeveria të pezullojnë vendimin për rritjen e energjisë elektrike dhe të shtyjnë liberalizimin e tregut.

Ndërkohë, Instituti Atlas ka propozuar heqjen e TVSh-së si masë konkrete për të ulur çmimin e energjisë elektrike në Kosovë deri në 36 për qind gjatë viteve 2025 dhe 2026 dhe “të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri.

Presidenca, që në fillim, ishte decidive dhe u shpreh qartë kundër paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndërsa edhe në këtë rast, përfaqësusit e tjerë zyrtarë të shtetit të Kosovës, janë deklaruar jo shumë të qartë rreth këtij problemi me pasoja të qarta paraprakisht dhe me ndikim të drejtpërdrejt në ç’ekuilibrimin e gjendjes sociale të pjesës dërrmuese të banorëve të Kosovës. Asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë asnjë zyrtar, as rreth arsyetimeve të palogjikshme dhe të paqëndrueshme të kreut të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, të përsëritura refren në shumë paraqitje publike këtyre ditëve, i cili realisht nuk dihej a është zëdhënës i KEDS&KESCO, apo përfaqësues i institucionit që ka për obligim të mbrojë konsumatorin e vendit edhe nga abuzimet me çmimet e ngritura egërsisht të rrymës.

Asnjë fjalë të vetme nuk e ka bërë as Qeveria si tërësi, as kryeministri, as ministrat kompetentë të Qeverisë Kurti 2 (në shkuarje, në dorëheqje ka pak rëndësi se si po emërtohen, sepse ata po qeverisin, po marrin vendime), as rreth dyshimeve për “manipulim” në përcaktimin e tarifave nga ZRRE-ja të konstatuara nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një analizë që u ka bërë raporteve konsultative të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Siç raporton Buletini Ekonomik, nga analiza dalin së paku pesë paqartësi në mënyrën se si është kalkuluar nga zyrtarët e ZRRE-së propozimi për rritjen prej 15 për qind të tarifave. Fillimisht, në raport thuhet se ZRrE ka “dështuar në sigurimin e transparencës së plotë të këtij procesi, duke e kufizuar konsultimin vetëm në raportet teknike të përshtatjes së të hyrave, pa bërë publik ndonjë propozim konkret mbi strukturën tarifore apo nivelin specifik të tarifave për konsumatorët”. Kjo bie ndesh me obligimet ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, neni 27, që kërkon transparencë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe grupeve të interesit në vendimmarrjen tarifore. Dhe prap heshtje e pakuptimtë ndër qeveritarët.

Ndërkohë, vrojtues të zhvillimeve energjetike dhe analistë shprehin shqetësimet e tyre të habitur se si qeveritarët nuk e thonë asnjë fjalë për rritjen e çmimeve. Dardan Sejdiu, analist dhe ish-VV-ist, thotë se “Qeveria aktuale erdhi në pushtet duke premtu nacionalizimin e shpërndarjes së energjisë, e tash po hesht para çdo shtrenjtimi që ka ndodhë në katër vitet e fundit”.

Ai thotë se “sot, kur 70% e qytetarëve të Kosovës brengën kryesore e kanë rritjen e vazhdueshme të çmimeve, krejt çka po më kujtohet janë takimet tona në VV ku diskutohej pikërisht për këtë çështje. Në ato takime, mllefi, zelli dhe gatishmëria për reagim ishin karakteristikë e shumë prej atyre që sot janë ministra e zyrtarë të lartë në këtë qeveri. Po ku janë sot ata njerëz? Si është e mundur që pikërisht ata, sot në pozita shumë më të pushtetshme, nuk e thonë as një fjalë për këtë çështje? Përkundrazi, duke mos e dërgu asnjë koment të vetëm në ZRRE, ata po e legjitimojnë këtë shtrenjtim të rrymës!”

“Është turp për të gjitha partitë politike në Kosovë që nuk kanë dërgu as edhe një koment të vetëm në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë kundër ngritjes së çmimit të rrymës. Qeveria aktuale erdhi në pushtet duke premtu nacionalizimin e shpërndarjes së energjisë, e tash po hesht para çdo shtrenjtimi që ka ndodhë në katër vitet e fundit. Ndërsa partitë opozitare kanë mbet vetëm me statuse boshe në Facebook, pa kurrfarë veprimi konkret”. Në vend që me u angazhu për qytetarët, këta vetëm postojnë në rrjete sociale për me mbulu dështimet dhe mungesën e punës konkrete. Në vend që me mbrojt qytetarët nga këto shtrenjtimet e padrejta të rrymës, partitë tona janë të interesume vetëm për ndarjen e pushtetit dhe privilegjeve mes veti”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se Kosova meriton ma mirë sesa parti që janë të interesume vetëm për ndarje të pushtetit. /Buletini Ekonomik/