Manipulimi i KESCO-s me të dhëna të paqëndrueshme të “rritjes rekorde” të konsumit

Mehmet Gjata

Komunikata e KESCO-s, nëpërmjet së cilës, me tone alarmuese, kërkohet kursimi i energjisë elektrike me arsyetimin se “konsumi po shënon rritje të ndjeshme dhe importi mbetet i lartë”, përmban të dhëna të paqëndrueshme edhe rreth rritjes së konsumit aktual edhe rreth rritjes së përqindjes së konsumit, 43 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mehmet GJATA

Të enjten, kur thuaja në mbarë Kosovën mbajtën gjatë tërë ditës temperatura relativisht të ngrohta (mbi 17-18 gradë celcius), KESCO “plasi një bombë tjetër’ nëpërmjet një komunikate, duke kërkuar kursim të energjisë elektrike me arsyetimin se “konsumi po shënon rritje të ndjeshme dhe importi mbetet i lartë”.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova po përballet me një situatë sfiduese në sektorin e energjisë elektrike, pasi kërkesa për konsum po arrin nivele rekorde pothuajse çdo ditë. Kjo rritje e ndjeshme dhe e vazhdueshme në konsum, rreth 43% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, po ndodh në një kohë kur kapacitetet vendore të prodhimit vazhdojnë të mbeten të kufizuara dhe të ulëta. Aktualisht, ndërsa konsumi arrin mbi 700 MWh, furnizimi nga burimet vendore përbëhet nga rreth 315 MWh nga termocentralet me qymyr dhe rreth 130 MWh nga burimet e energjisë së rinovueshme (BRRE), çka është dukshëm më pak sesa nevojat e përditshme për energji elektrike”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KESCO-s dhe shtohet se “një pjesë e konsiderueshme e konsumit po mbulohet përmes importit”.

KESCO ka rekomanduar që qytetarët të përdorin “me kujdes të shtuar” pajisjet me konsum të lartë energjie.

Komunikata, siç shihet me tone alarmuese, përshkohet me të dhëna të paqëndrueshme edhe rreth rritjes së konsumit edhe rreth rritjes së përqindjes së konsumit, 43 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Së pari, nëse konsumi aktual i energjisë elektrike në Kosovë është 700 megavatë-orë, siç thotë KESCO, për vrojtuesit, por edhe njohës profesionistë të zhvillimeve energjetike, kjo sasi e rrymës nuk është hiç “nivel rekord i arritur pothuajse çdo ditë”, sepse 700 megavatë/orë është sasi e rrymës me të cilën karakterizohet konsumi i Kosovës edhe gjatë verës, edhe gjatë vjeshtës dhe pranverës. 700 megavatëshi vjet që nga shtatori ka qenë thuajse sasi normale dhe fare e rëndomtë për konsumin e Kosovës.

Ndërsa, konstatimi i KESCO-s se “rritja e ndjeshme dhe e vazhdueshme në konsum, rreth 43% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thënë më së buti, është gënjeshtër, madje naïve. Sepse, nëse është rritur konsumi 43 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bie që Kosova vjet në periudhën e njëjtë paska konsumuar diçka më pak se 400 megavatë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ka vite e vite, që konsumi i Kosovës edhe gjatë verës është goxha mbi 400 megavatëshin.

Madje, qëkur kanë nisur të instalohen me të madhe pajisjet efiçiente të ngrohjes dhe freskimit të shtëpive, të nxitura nga subvencionimi i Qeverisë në çmimin e këtyre pajisjeve, edhe gjatë muajve të verës vjet, në ‘x’ raste Kosova ka pasur konsum rreth 700 megavatësh.

Është e vërtetë se tani e sa ditë e javë, prodhimi në termocentralet e Kosovës është dukshëm më pak se sa nevojat e përditshme për energji elektrike, si rrjedhojë e mosfunksionimit për shkak të riparimit të mbi gjysmës së kapaciteteve vendore të prodhimit të rrymës (jashtë funksionit deri më 23-24 prill do të jenë akoma B1-shi i Kosovës B dhe A3 e A5 të Kosovës A). Mirëpo, nuk është e vërtetë e dhëna e KESCO-s se “furnizimi nga burimet vendore përbëhet nga rreth 315 MWh nga termocentralet me qymyr” dhe rreth 130 MWh nga burimet e energjisë Së rinovueshme (BRRE).

Në prodhim, siç dihet këtyre ditëve, edhe në ditën kur është lëshuar komunikata e KESCO-s, në prodhim ka qenë blloku B2 i termocentraleve Kosova B, që ka kapacitetin 260 megavatë-orë dhe A3 i Kosovës A, që ka kapacitet 130 megavatë, por që këtyre ditëve ka punuar me 115-120 megavatë, dhe që bashkarisht bëjnë 380 megavatë-orë, plus rreth 130 MWh nga burimet e energjisë rinovueshme (BRRE). Këto janë faktet.

Ndërsa kërkesa e KESCO-s për të kusyer rrymën nga konsumatorët e Kosovës është për t’u përkrahur gjithnjë. Madje, mendojmë se KESCO, asnjëherë deri më tash nuk është angazhuar mjaftueshëm për të promovuar në mënyra të efektshme domosdonë e kursimit të rrymës, gjithnjë në rastet kur ka mundësi. /Buletini Ekonomik/