Banka Botërore për Kosovën: Rritja ekonomike 3.2 për qind në vitin 2025

Banka Botërore

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e qëndrueshme, pavarësisht pasigurive globale, thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore për rajonin, të publikuar sot.

Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritja në rajon pritet të ngadalësohet lehtë në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët dhe pasigurive të krijuara nga ndryshimet në politikat tregtare globale. Kjo mund të ndikojë në besimin e bizneseve dhe konsumatorëve.

Banka Botërore parashikon që norma e përbashkët e rritjes për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të arrijë në 3.2% gjatë vitit 2025, një ulje prej 0.5 pikë përqindje nga parashikimi i mëparshëm. Për vitin 2026, rritja parashikohet të përshpejtohet në 3.5%.

Reklama e sponzorizuar

“Po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat tregojnë qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin një rritje solide. Megjithatë, rritja e pasigurive të brendshme dhe globale paraqet sfida për perspektivën ekonomike të rajonit,” tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Raporti paralajmëron se ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian dhe tensionet në tregtinë globale mund të kenë ndikim negativ në tregtinë, investimet dhe dërgesat në Ballkanin Perëndimor.

Për të ruajtur stabilitetin, Banka Botërore rekomandon diversifikimin e burimeve të rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e reformave strukturore, përfshirë heqjen e barrierave në tregun e punës, forcimin e integrimit ekonomik rajonal dhe përmirësimin e qeverisjes dhe konkurrueshmërisë.

Shqipëria: rritje e qëndrueshme, sfida përpara

Sipas raportit, Shqipëria shënoi një rritje ekonomike prej 3.9% në vitin 2024, e mbështetur nga konsumimi privat, turizmi dhe ndërtimi. Rënia e presioneve inflacioniste dhe rritja e pagave ndihmuan në uljen e varfërisë me 1.7 pikë përqindje, duke e çuar në 17.3%.

Raporti thekson se Shqipëria ka përfituar nga afërsia me Bashkimin Evropian për rritjen e eksporteve, investimeve dhe remitancave, megjithatë të ardhurat për frymë në vend mbeten vetëm një e treta e mesatares së BE-së. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj krizave të fundit, me një rritje mesatare prej 4.2% në vitet 2022-2024.

Për vitin 2025, Banka Botërore parashikon që rritja e ekonomisë shqiptare do të moderohet në 3.2%, ndërsa inflacioni pritet të arrijë në 3%. Varfëria pritet të bjerë më tej, duke arritur në 16%.

Megjithatë, raporti nënvizon edhe disa sfida serioze, si migrimi i lartë, plakja e popullsisë, dobësitë në aftësitë e forcës punëtore dhe rreziqet fiskale të lidhura me ndryshimet klimatike. Për të përballuar këto sfida, rekomandohet rritja e të ardhurave buxhetore, përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve publike dhe përshpejtimi i reformave të lidhura me integrimin në BE.

“Rreziqet për perspektivën ekonomike të Shqipërisë përfshijnë tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në politikat globale tregtare. Megjithatë, zbatimi i suksesshëm i axhendës së rritjes së BE-së dhe të ardhurat e forta nga turizmi paraqesin mundësi për të zbutur këto sfida,” thekson raporti.