“Janë të paktë ata, paga e të cilëve ua mbulon shpenzimet mujore”, marsh protestues për Ditën e Punëtorëve

Për të enjten, më 1 maj duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është paralajmëruar mbajtja e një marshi protestues.

Në njoftim thuhet se kjo protestë thirret në Ditën e Punëtorëve nga Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja”, nga aktiviste/ë të pavarur në koordinim me sindikatat e punëtorëve.

“Më 1 Maj thërrasim në organizim të punëtorëve e punëtoreve, të papunësuarve, punëtoreve të kujdesit, pensionistë e pensioniste, studentë e studente ta shënojmë Ditën e Punës në marsh kundër padrejtësive të shumëfishta ekonomike e shoqërore që dita-ditës po na e bëjnë jetën të pamundur”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Në komunikatë thuhet se gjendja për punëtorët e punëtoret në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rëndë.

“Janë të paktë ata/o të cilëve/ave paga ua mbulon shpenzimet mujore ku shumë prej nesh paguhemi nën pagën minimale, nuk mund ta marrim pushimin vjetor dhe punojmë më shumë se 40 orë në javë.

Për punëtoret gra të cilat bëjnë punë të dyfishtë në shtëpi dhe treg, marrëdhënia e punës së paguar mbetet armiqësore, ngacmuese dhe e dhunshme. Për grupet e racializuara, si romët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat queer, tregu është edhe më shtypës.

Për pjesën dërrmuese puna e paguar mbetet hapësirë e pasigurt, ku disa gjejnë edhe vdekjen. Viti 2025 shënon rekord me gjithsej 9 të vdekur deri tash, pa kushte minimale të sigurisë e me trajtim çnjerëzor. Dhe kur organizohen për të kërkuar të drejtat që u takojnë me Ligjin e Punës ndëshkohen herë duke u larguar nga puna e herë duke ua vështirësuar kushtet e punës. Kujtojmë gratë greviste të Kuvendit që u ndëshkuan me largim nga puna pikërisht për shkak të grevës së tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“Këtë 1 Maj ne kumtojmë që këtyre shtypjeve mund t’i bëjmë ballë vetëm duke u organizuar politikisht, duke qëndruar në solidaritet me punëtorë e punëtore dhe kategori shoqërore të cenuara dhe duke qenë të zëshëm në revoltën tonë.

Bashkë e denoncojmë sistemin që i ndëshkoi punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës për grevën e tyre, që na varfëron çdo ditë e më shumë e na i vjedh punën, jetën dhe dinjitetin tonë për t’i pasuruar pronarët. Duke insistuar në nevojën për organizim ndër-sektorial të punëtorëve/eve me apo pa pagë, të vetëpunësuarve/ave, të papunësuarve/ave, pensionistëve/eve e studentëve/eve, thërrasim që 1 Majin ta manifestojmë këmbueshëm, me revoltë, shpresë e vendosshmëri për ta mbrojtur dinjitetin, jetën tonë dhe për ta bërë drejtësinë dhe barazinë parim të organizimit tonë shoqëror.

Na u bashkoni me 1 Maj, në ora 12:00 në sheshin “Skëndërbeu”, thuhet tutje. /Telegrafi/