Rama nuk tërhiqet, nisin sërish punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se sot kanë nisur sërish punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.

Ai ka publikuar pamjet nga punimet, duke thënë se Inspektorati i Trashëgimisë ka ndaluar punimet në kundërshtim të plotë me ligjin, prandaj projekti do të realizohet.

Reklama e sponzorizuar

“Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” po vazhdojnë edhe sot! Projekti do të realizohet! Dje ka ndodhur ndalimi i punimeve në një pjesë të rrugës, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe duke u mbështetur në dokumente JO VALIDE. Prandaj, Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të kundërshtuar të gjitha vendimet e kundërligjshme të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj”, thuhet në postimin e tij.

Ndryshe, punimet për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë janë kthyer në pikë përplasjeje mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore. Komuna e Prishtinës kishte nisur muaj më parë punimet, duke i cilësuar ato si pjesë e një transformimi urban. Megjithatë, punimet u ndërprenë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Pas disa ditësh, komuna rifilloi punimet, por ato u ndërprenë sërish të martën. Mospajtimi lidhet me mungesën e miratimit për projektin, i cili sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (IKMM), rrezikon integritetin e monumenteve përreth për shkak të ndërtimit të planifikuar të strukturave të reja./Telegrafi/