Kjo është kërkesa e plotë e Avokatit të Popullit drejtuar ZRrE-së për “masë të përkohshme”

Zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pezullimin e përkohshëm të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1% për të gjithë konsumatorët në Kosovë, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Avokati i Popullit thekson se Vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë, sipas tyre, ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë.

Avokati i Popullit thotë tutje se përkundër takimit që kanë pasur me Bordin e ZRrE-së më 7 prill 2025, në të cilin kanë kërkuar argumente se pse është e nevojshme rritja e tarifave të energjisë, nuk është bindur mjaftueshëm se është e domosdoshme kjo rritje e tillë e çmimit të energjisë elektrike sidomos në rrethanat aktuale të boshllëkut institucional në të cilin gjendet vendi.

Reklama e sponzorizuar

Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët.

Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike.

“Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit thekson edhe nevojën që organet e pavarura si ZRrE, duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe. /Buletini Ekonomik/