Autoriteti i Konkurrencës reagon pas paralajmërimeve për ngritjen e çmimit të bukës, kafesë e produkteve tjera, thotë se ka nisur monitorimin e tregut

Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar lidhur me paralajmërimet për ngritjen e çmimeve të bukës, kafesë dhe produkteve të shportës bazike.

Përmes një deklarate zyrtare, AK-ja thotë se nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale, nga ndërmarrje konkurrente.

“Fushëveprimi i autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimit të pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike, në rastet kur ato cenojnë konkurrencën në treg”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Autoriteti thotë se, për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, janë intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës.

Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me Ligjin për konkurrencën”, thuhet në njoftim.

Nga autoriteti deklarojnë se sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është nën vëzhgim.

“Inspektorët e autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut.

Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës deklaron se mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun.