Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se Rregullorja për Funksionimin e Komisionit Mediko-Social është miratuar, duke përfshirë disa ndryshime të rëndësishme.
Ministria e Financave njofton se ndër ndryshimet që janë bërë është edhe eliminimi i procedurës së rivlerësimit për personat e verbër.
“Rregullorja për Funksionimin e Komisionit Mediko-Social është miratuar, duke përfshirë disa ndryshime të rëndësishme, ndër to eliminimin e procesit të rivlerësimit, një kërkesë kyçe e komunitetit; rregullimin e procedurës së aplikimit për njohjen e statusit të personit të verbër dhe përmirësimin e kritereve dhe procedurave ekzistuese”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përmirësuar gjithashtu procedurat për vlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke mundësuar aplikimin elektronik për këtë kategori. /Telegrafi/