Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit shpërfaqen pasojat e çmimeve enorme të larta

Të hënën dhe të martën, Tregun e Gjelbër kryesor të Prishtinës (te ndërtesa e RTK-së) e dominonin stoqe të sallatës jeshile “bajate” dhe tejdukshëm të vyshkur, të ofruara nga disa tregtarë edhe me çmimin 4 copë për një euro, dhe prapë nuk kishte blerës. Pasoja të çmimeve enorme të larta edhe te disa pemë e perime të tjera…

Buletini Ekonomik

Çmimet enorme të larta që kanë dominuar me javë të tëra tregjet e gjelbra të Kosovës dhe të kryeqytetit, kanë nisur të shpërfaqin pasojat. Për një numër produktesh, qoftë sosh vendore, apo nga importi, me çmime astronomike në këta muajt e parë të 2025-tës, nuk ka blerës dhe për pasojë këto produkte dëmtohen, bëhen “bajate”, u bie cilësia, vlera dhe çmimi, dhe si të tilla mbesin të padëshirueshme edhe nga shumica e konsumatorëve të tregjeve të gjelbra.

Reklama e sponzorizuar

Të hënën dhe të martën, Tregun e Gjelbër kryesor të Prishtinës (te ndërtesa e RTK-së) e dominonin stoqe të sallatës jeshile “bajate” dhe tejdukshëm të vyshkur, të ofruara nga disa tregtarë edhe me çmimin 4 copë për një euro, dhe prapë nuk kishte blerës.

“Ia kemi bërë veti. E çuam në qiell çmimin e një sallate, që prodhohet në gjithë Kosovën dhe ka me bollëk në të gjitha tregjet. Sallata kishte para ca ditësh çmimin 70 centë dhe në këtë mënyrë mbeti stoqe. Sot, edhe pse e kemi ulur shumëfish çmimin e këtij produkti, nuk e blen askush”, thotë një tregtar prishtinas i këtij tregu.

Por, të hënën në këtë treg kishte edhe produkte të tjera me çmim të ulur, madje të përgjysmuar. Domatja, që deri para një jave, tregtohej 2 dhe 2,5 euro kilogrami, dje gjendej në shumë tezga të tregut me 1,5 euro, por edhe me 1 euro. Cilësia e tyre, natyrisht, ishte e diskutueshme, për shkakun se kanë qëndruar stok dhe të pashitura për ditë të tëra, kryekëput për shkakun e çmimit të lartë.

“Prishtinasit, edhe ata me gjendje jo të mirë ekonomike, edhe ata me mundësi materiale, nuk e duan mallin “bajat’. As që ofrohen për të pyetur për çmimin”, thotë një tjetër tregtar i vjetër në këtë treg.

Kishte edhe mallra të tjera me cilësi të dyshimtë. Një avokado (një copë) me shenja të tejdukshme të dëmtimit nga qëndrimi i gjatë në stoqe, kushtonte 70 centë. Dhe, edhe më këtë çmim ndjeshëm të ulur, nuk kishte blerës.

Tregtarët serioz në këtë treg i kanë thënë Buletinit Ekonomik se stoqet me mallrat ë pashitura, janë absolutisht pasojë e çmimeve të ngritura egërsisht dhe me disa fish marrzha të fitimit. Sipas tyre, trendi i rritjes së çmimeve të prodhimeve bujqësore në Kosovë ka vazhduar me ritëm të përshpejtuar edhe në muajin shkurt, në mars dhe në ditët e para të prillit të sivjetshëm.

Në bazë të çmimeve të shumë produkteve ushqimore të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Ose, në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

Duhet theksuar se në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve bujqësore të freskta, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në stratosferë gjatë dhe në këto ditë të prillit 2025. Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe në markete e supermarkete, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Duket sheshit, se fare pak, ose aspak nuk kanë ndikuar bojkotet e pjesëshme të konsumatorëve kosovarë dhe as paralajmërimet për bojkote të reja të mundshme të ndodhin në ditët në vazhdim për shkak të çmimeve të larta. Dhe, vërshimi i tregut kryesor të gjelbër të Prishtinës me mallra “bajate” është pasojë e çmimeve shumë të larta, që janë bërë të papërballueshme për konsumatorët e rëndomtë. /Buletini Ekonomik/