Prishtina ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë dhe çmimi real që paguajnë kosovarët për rrymën

ZRRE-ja, para se të vendos për tarifat e reja dhe për çmimin e propozuar të ngritur të rrymës, duhet të ketë parasysh se popullsia e varfër e Kosovës, ka sakrifikuar përtej çdo parashikimi edhe shëndetin, edhe tokat, edhe shpërnguljet nga oborret ‘dem-baba-dem’ të tyre dhe se nuk është e justifikueshme as ligjërisht, as moralisht, të ngritet kaq shpesh dhe kaq shumë çmimi i energjisë elektrike. Aq më parë, tani kur pronësia e shpërndarësit dhe furnizuesit të konsumatorëve të varfër të Kosovës është në duar të pronarit privat, që ka synim vetëm ‘supermarzhën’ e fitimit dhe të cilët me lehtësira të papara e kanë privatizuar ish-Distribucionin e ish-Elektroekonomisë së Kosovës.

Mehmet GJATA

Prishtina, të dielën në mbrëmje, rangohej në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë (për të satën herë sivjet dhe gjatë dy muajve të fundit të 2024-tës). Sipas të dhënave të platformës “IQ Air”, Prishtina renditej e 50-ta në botë. Vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM ishte 50, e që është mesatarisht e dëmshme për njerëzit.

Reklama e sponzorizuar

Ndotësit e ajrit, tokës dhe ujit në Republikën tonë, ka vite që tejkalojnë të gjitha normat dhe standardet e ndotjes së ambientit. Kosovarët, ndotjen enorme të ambientit vazhdojnë ta vuajnë edhe në muajt e parë të sivjetshëm dhe në kohën kur vendi po “zien” me paralajmërimin e ZRRE-së se nga prilli do të ngritet çmimi i energjisë elektrike për 15 për qind dhe mbi 1.100 biznese nga 1 qeshori do t’i nënshtrohen tregut të lirë të rrymës.

Edhe më 6 prill, sipas të dhënave të IQAir, një kompani zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit, e specializuar në mbrojtjen kundër ndotësve të ajrit, kryeqyteti jonë rangohet shumë lartë, madje futet ndër 50 qytetet më të ndotura të botës.

Prishtina, që nga nëntori i vitit të kaluar dhe në të gjithë muajt e 2025-tës, praktikisht, ishte në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë, dhe kryeqyteti jonë, praktikisht për shtetin e vogël si Kosova, flet shumë për përmasat alarmuese të ndotjes në mbarë vendin.

Më konkretisht, Kosova vazhdon të jetë njër ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetëruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit.

Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesi i publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimësi dhe përditë përqëndrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit. Pasojat e këtij niveli të ndotjes së ambientit janë të panumërta dhe me dëme enorme të larta. Sipas të dhënave të raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të bëra publike më 10 dhjetor 2024 edhe në disa medie të vendit, numri i vdekjeve në Kosovë gjatë vitit 2022, që janë të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta PM2.5, është frikësues. Në këtë raport saktësohet se më 2022 kanë ndodhur rreth 239 mijë vdekje në Bashkimin Europian gjatë 2022-shit, të cilat janë të lidhura me ekspozimin kundrejt grimcave të PM2.5, ndërsa vetëm në Kosovë ky numër ishte 2400 veta.

Në raportin EEA-së sqarohet se PM2.5 përfaqësojnë grimca mikroskopike, si pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera që shpërndahen në ajër. Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto grimca depërtojnë lehtësisht në sistemin e frymëmarrjes dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar stres oksidativ, inflamacion dhe një gamë të gjerë sëmundjesh kronike. Sipas të dhënave për vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi në: 2,400 vdekje të atribuara, 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë. Kosova renditet pranë Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës për ndikimin më të lartë relativ të PM2.5, ndërsa vendet me ndikimin më të ulët përfshijnë Islandën, Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë.

Në këtë raport thuhet se sipas analizave, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve nga ndotja e ajrit. Për sëmundje të tjera si goditja në tru, diabeti, dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, ndikimi i morbiditetit është gjithashtu i lartë, duke përfaqësuar një barrë të rëndësishme shëndetësore. Ndërkohë, të dhëna të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca shifra sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave edhe më alarmuese se të Agjencisë Evropiane të Mjedisit të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e kosovarëve.

Gjithashtu, edhe raporti i vitit 2019 i Bankës Botërore, ishte shumë alarmues. Në raportin e BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.

“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.

Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës), humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.

Në fillim të nëntorit të sivjetshëm, me rastin e lansimit në Prishtinë të raportit të UNICEF-it “Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët”, u shpalos edhe një raport i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve si dhe qasjen në shërbimet jetike në Kosovë, përfshirë shëndetin, arsimin dhe sanitarinë.

Sipas raportit të publikuar, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5-vjeç në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Cilësia e ajrit në Kosovë, u tha edhe me këtë rast, është ndër më të këqijat në Evropë, 25 herë më shumë sesa kufiri i sigurt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fëmijët.

Sërish këtyre ditëve, banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kanë alarmuar publikisht (për të satën herë) për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit nga termocentralet Koosova A dhe Kosova B dhe për pasojat e rënda shëndetësore që po shkaktojnë “fabrikat” e prodhimit të rrymës ndër banorët e këtyre vendbanimeve.

Rrezikohet, para së gjithash, shëndeti i qindra banorëve në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës A dhe Kosovës B, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes së pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve numerikisht të shumtë.

Për gjendjen skajshmërisht të çekuilibruar dhe në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, Buletini Ekonomik ka raportuar për opinionin disa herë, sikundër edhe për pasojat e përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës, duke alarmuar kështu se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve të energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit).

Sipas njoftimit të Komunës së Obliqit, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste në këto vendbanime. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.

Ndërkohë të dhënat e këtoditshme të IQA-irit zviceran, për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit në Prishtinë, është edhe një informacion përkujtues, ndër qindra sish të bërë deri më tash në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve për pasojat aktuale, por edhe ato të deritashme të shkaktuara nga ambienti i ndotur përtej çdo parashikimi. Gjithsesi, duhet të jetë përkujtues edhe për KEDS/KESCO-n, që nuk rresht së kërkuari ngritje çmimesh të energjisë elektrike, edhe për KOST, dhe për ZRRE-në, që fare lehtësisht i ka miratuar deri tani këto kërkesa, sado që zyrtarët e këtij asociacioni i kanë në tavolinë të dhënat dhe shifrat e sakta të përmasave të degradimit dhe të rrënimit të shëndetit të kosovarëve, nga rryma e prodhuar nga resurset e këtij vendi.

Me fjalë të tjera, ZRRE-ja, para se të vendos për tarifat e reja dhe çmimin e propozuar për ta ngritur të rrymës, duhet ta ketë parasysh se popullsia e varfër e Kosovës, ka sakrifikuar dhe vazhdon të sakrifikojë përtej çdo parashikimi edhe shëndetin, edhe tokat, edhe shpërnguljet nga oborret ‘dem-baba-dem’ të tyre. Prandaj, nuk është e justifikueshme as ligjërisht, as moralisht, të ngritet kaq shpesh dhe kaq shumë çmimi i energjisë elektrike. Aq më parë, tani kur pronësia e shpërndarësit dhe furnizuesit të konsumatorëve të varfër të Kosovës është në duar të pronarit privat, që ka synim vetëm ‘supermarzhën’ e fitimit dhe të cilët me lehtësira të papara e kanë privatizuar ish-Distribucionin e ish-Elektroekonomisë së Kosovës.

KEDS/KECSO gjithashtu vazhdojnë të gëzojnë beneficione të tjera të favorshme për afarizmin e tyre, siç është blerja e një megavati nga KEK-u me 29,5 euro dhe tregtimin e tij për konsumatorët kosovarë me çmim marramendës përtej 80 euro megavatin. Prandaj, ZRrE-ja duhet ta ketë parasysh numrin e viktimave kosovare si pasojë e sëmundjeve nga prodhimi i energjisë elektrike (sipas raportit të BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë), dhjetëra mijëra të sëmurë kronikë nga ndotja dhe ta vlerësojë realisht se ky është çmimi i vërtetë i kosovarëve për rrymën. Të tjerat, si gjoja Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon, se janë ngritur çmimet e importit, se po importohet sasi e madhe e rrymës etj., etj., janë broçkulla. /Buletini Ekonomik/