Zona unike e pagesave në euro e sistemi financiar – guvernatori Ismaili takoi presidenten e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, gjatë qëndrimit të tij në takimet pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), takoi presidenten e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili e informoi presidenten Lagarde për zhvillimet më të fundit  makroekonomike dhe progresin e reformave strukturore në sektorin financiar, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Ai theksoi se këto reforma kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të sistemit financiar të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Guvernatori i BQK-së gjithashtu shprehu falënderimet për Bankën Qendrore Evropiane për bashkëpunimin dhe mbështetjen përmes mekanizmave që kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale si dhe forcimin e stabilitetit financiar të vendit, duke përfshirë edhe vazhdimin e linjës së likuiditetit REPO.

Guvernatori Ismaili e informoi Lagarden mbi progresin e bërë drejt përmbylljes së procesit të para-aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar se mbështetja e BQE-së është vendimtare në arritjen e këtij qëllimi strategjik, me efekte të shumanshme për ekonominë e vendit.

“Po ashtu, e informoi edhe për zhvillimet e fundit në projektin në zhvillimin e një sistemi të pagesave të shpejta, ku BQK krahas disa shteteve te Ballkanit Perëndimor ka nënshkruar në Romë me 10 janar Letrën e Synimit me Bankën e Italisë, projekt i mbështetur nga Banka Qendrore Evropiane.

Në kontekstin e përpjekjeve për luftimin e parave të falsifikuara dhe forcimin e integritetit të sistemit financiar, Guvernatori prezantoi zhvillimet në hartimin e kornizës ligjore e mbështetur nga Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Banka Kombëtare e Kroacisë”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Sipas BQK-së, ky ligj do të mundësojë krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit brenda BQK-së dhe përcaktimin e autoriteteve kompetente për luftimin e këtij fenomeni.

Guvernatori gjithashtu përmendi se aty parashihet edhe nënshkrimi i marrëveshjes me BQE për bashkëpunim në këtë fushë dhe miratimin e Konventës së Gjenevës për Luftimin e Parave të Falsifikuara.

Ismaili tutje theksoi përkushtimin e BQK-së për të avancuar harmonizimin e kornizës rregullative bankare me rregulloret dhe direktivat më të fundit të BE-së, si pjesë e përgatitjeve për procesin e ekuivalentimit me Autoritetin Bankar Evropian (EBA).

Në këtë drejtim, është duke u zhvilluar procesi i zbatimit të metodologjisë mbikëqyrëse (SREP).

Po ashtu, u theksua përgatitja e kornizës rregullative për sigurinë kibernetike me asistencë teknike nga FMN, në përputhje me Rregulloren e BE-së për qëndrueshmëri operacionale digjitale për sektorin financiar.

Guvernatori Ismaili diskutoi po ashtu për mundësinë e pjesëmarrjes së BQK-së në kolegje mbikëqyrëse, duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit me BQE-në.

Në fund, Guvernatori Ismaili, në emër të BQK-së, shprehu mirënjohjen për Presidenten Lagarde dhe Këshillin Drejtues të BQE-së për mbështetjen e vazhdueshme, në frymë të përkushtimit të institucioneve të Bashkimit Evropian për integrimin ekonomik dhe financiar të Ballkanit perëndimor me ekonominë dhe tregjet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/