Tek shumë biznese, që ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike nuk është edhe aq përcaktues në ecuritë prodhuese, përkatësisht që çmimet e reja të rrymës nuk ndikojnë domosdo në rritjen e shpenzimeve në procesin e prodhimit, ngarendja për të ngritur çmimet pas 1 majit 2025, është e pakuptueshme dhe jashtë çdo logjike tregu. Pse gjithë ky brutalitet tek furrëtarët e Kosovës në ngritjen enorme të çmimeve të bukës dhe, sidomos pjekurinave të tjera?
Mehmet GJATA
Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 maji 2025 për 16,1 për qind, s’do mend se ka ndikim të caktuar në ecurinë e çmimeve në Kosovë. Te shumë biznese, të cilat për ta finalizuar produktin e tyre dedikuar tregut ju nevojitet sasi më e madhe e energjisë elektrike, natyrisht se çmimet e ngritura të rrymës do të kenë ndikim më vendimtar edhe në përcaktimin e çmimit.
Më konkretisht, te bizneset prodhimi i të cilave varet në masë të madhe nga energjia elektrike, domosdo që ndikimi i çmimeve të reja të ngritura të rrymës do të kushtëzojë ngritje çmimi. Por, tek shumë biznese, që ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike nuk është edhe aq përcaktues në ecuritë prodhuese, përkatësisht që çmimet e reja të rrymës nuk ndikojnë domosdo në rritjen e shpenzimeve në procesin e prodhimit, ngarendja për të ngritur çmimet pas 1 majit 2025, është e pakuptueshme, dhe ndër njohësit e tregut dhe të ecurive të prodhimit të bisneseve është bërë e diskutueshme. Madje, këta e kontestojnë dhe e vlerësojnë tendencën dhe vrullin e këtyre bizneseve për të ngritur çmimin si abuzuese, dhe shfrytëzim i situatave kaotike të krijuara në Kosovë pas ngritjes së çmimit të rrymës dhe mungesës për muaj të tërë të funksionalizimit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Pastaj, çmimi i ngritur e energjisë elektrike nuk paraqet kosto të madhe për shumicën e bizneseve jo-prodhuese (sipas të dhënave të bëra publike nga kreu i Institutit Gap, rreth 5-7% e kostove operative) dhe prandaj te këto biznese del të jetë qind për qind i pa arsyeshëm dhe i palogjikshëm ngritja e çmimit edhe pas çmimeve të reja të energjisë elektrike.
Eshtë shumë e vërtetë, pra, se kjo ngritje e çmimit të rrymës, sado e theksueshme, e madhe dhe me ndikim në afarizmin e shumë bizneseve, nuk i ka goditur njësoj bizneset, shumë prej të cilave tani e sa ditë ‘po i fërkojnë duartë’ në pritje të ngritjes së çmimit të produkteve të tyre, edhe pse mu këto biznese, në bazë të të gjitha analizave, nuk është se do ta kenë të domosdoshme ngritjen e çmimeve si rrjedhojë e çmimeve të reja të rrymës.
Kryetari i Institutit GAP, duke e trajtuar këtë temë, në një postim në FB, ka konstatuar se “në vitin 2023, kur çmimi i energjisë elektrike ishte ngritë për 15% në Kosovë, nuk u patën ngritë ndjeshëm çmimet e produkteve të shportës bazë! Ngjashëm, në vitin 2024, kur çmimi i energjisë elektrike kishte rënë për 8%, nuk kishim rënie të çmimeve të produkteve tjera”. Duke shpjeguar shkaqet pse ka ndodhur kështu, ai është përgjigjur shkurt se “ne importojmë pothuajse çdo gjë, ku çmimet e importit janë përcaktuesi kryesor i nivelit të çmimeve, si dhe kosto e energjisë elektrike nuk paraqet kosto të madhe për shumicën e bizneseve (jo-prodhuese). Sipas tij, “në kushtet e funksionimit të tregut të lirë, pra ku nuk ka marrëveshje të fshehta mes marketeve apo furnitorëve të mëdhenj, marketet do të kujdeseshin që t’i rrisnin çmimet vetëm për aq sa ju rriten kostot. Ngjashëm do të tentonin të konkurronin mes vete duke sjellë brende më çmime më të lira, që të normalizohej disi reflektimi i kostove të rritura, ashtu që të mbajnë apo fitojnë sa më shumë klientë.
E njëjta logjikë do të duhej të ishte edhe tek shërbimet – tek i cili sektor, marrë parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve në treg, fiksimi i çmimeve është shumë më i vështirë. Për atë, qysh tash ka lagje në Prishtinë, ku çmimi i kafes varion mes 1 deri në 2 euro. Por, qysh tash edhe te shumë biznese me produkte të njëjta prodhuese, qoftë në lagje të ndryshme të kryeqytetit, qoftë në qendrat e ndryshme komunale, çmimet kanë zënë të ngriten vrullshëm, diku më shumë dhe diku ndjeshëm më pak.
Shembulli më bindës i këtyre ecurive të “lojës me çmime”, janë bukëpjekësit anembanë vendit. Furrëtarët e Kosovës, shtresa më e privilegjuar e bizneseve në Kosovë, pronarët e të cilëve përherë janë pritur krah hapur nga popullata e Kosovës, por edhe nga pushteti, cilido qoftë të ketë qenë ai, (me lehtësira prej më të ndryshmeve të të bërit biznes), të cilët, siç shihet, mezi kanë pritur pretekstin, për t’i çuar në qiell çmimet pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Një koleg i yni të mërkurën (14 maj 2025), kishte postuar me foto një kifle (produkt i të gjitha furrave kosovare), me çmimin e ri prej 80 centësh, të cilën vetëm një ditë më parë e kishte blerë me 50 centë. Çmimi i ri i ngritur i një kifleje është ngritje e frikshme çmimi, është abuzim qind për qind me situatën momentale post-çmimeve të ngritura të rrymës, por të krijuar edhe nga anarkia, si rrjedhojë e mungesës së institucioneve themelore të shtetit.
Me fjalë të jera, përcaktimi i çmimeve ka mbetur në duart dhe në “mëshirën” e furrëtarëve, të cilët edhe kësaj radhe, kanë ngarendur dhe vazhdojnë me vrull për të “zhvatur” konsumatorët e pambrojtur të vendit. Ç’është më keq, për të plaçkitur me mijëra nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët duhet të ushqehen, të blejnë një kifle të domosdoshme, pavarësisht çmimit enorm të lartë dhe pavarësisht prirjeve plaçkitëse të furrtarëve. Tani edhe shumë pjekurina të tjera, tregtohen me çmime astronomike, madje edhe të dyfishuara. Buka, ajo e rëndomta, më popullorja, me çmim të deri-djeshëm prej 50 centësh, po kështu, në shumë furra në qendrat komunale të Kosovës, por edhe në Prishtinë, tregtohet me çmime të reja, 60, 70 centë, madje në disa qytete çmimi i ri i kësaj buke arrin në 80 centë.
Nuk është pra “fajtor” vetëm ngritja e çmimit të rrymës për hovin e çmimeve të ngritura të bukëpjekësve kosovarë. Por, është e vërtetë e madhe se këtë momentum po e shfrytëzojnë paturpësisht shumë bukëpjekës anembanë Kosovës. Shumë furrëtarë, veçmas në qendrat e mëdha urbane, ku bizneset e tyre me muaj e vite punojnë me fitime enorme të larta, në radhë të parë, si rrjedhojë e çmimeve enorme të larta të bukës dhe pjekurinave të tjera, kanë ngritur çmimet e produkteve të tyre vrullshëm dhe kërcënueshëm. Ata, (shumë bukëpjekës, pra) në paralajmërimet e tyre me frymë goxha shantazhuese, për të ngritur çmimet e produkteve të tyre me pretekstin e çmimit të ngritur të rrymës, kanë kalkuluar sipas dëshirës. Por, këto arsyetime të insistuesve ngulmues për të ngritur çmimin e bukës, janë të diskutueshme dhe të paqëndrueshme, sipas njohëve të ecurive të çmimeve në vend. Sepse bukëpjekësit në vend, sidomos në kryeqytet, shumë sish, jo të gjithë, gjithsesi, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, në dhjetor të 2024-tës ngritën çmimin për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre.
Ndërkohë, në vitin 2024, siç dihet, pati rendimente rekorde të grurit në arat e Kosovës. Nuk ka çmim të ngritur të grurit, as të grurit të importuar, as të atij vendor. Mullinjtë e Kosovës i kanë sillosët e tyre thuaja plotë e përplotë grurë, dhe lënda e parë do të duhet të ishte determinuesi qenësor i përcaktimit të çmimit të miellit. Praktikisht, qëkur është zhbllokuar transporti i grurit nga Ukraina, ka pasur ulje të çmimit të grurit dhe të miellit në botë. Por, duhet thënë se kjo ulje, nuk është reflektuar asnjëherë te çmimi i bukës, të cilin çmim furrëtarët kosovarë e mbajtën artificialisht dhe forcërisht “të fryrë” (50-60 centë për bukën normale), edhe përkundër kërkesave nga Shoqata e Mullisëve, të cilët vjet, jo një herë, u shprehën se “pas zbritjes së çmimit të miellit, duhet të reflektojnë çmimet edhe në produktet ushqimore”. Përkundrazi, siç u tha më lartë, në dhjetor 2024, në disa furra të Prishtinës, çmimi i bukës së ashtuquajtur të thekrës, ose bukës së zezë, që kushtonte deri në fillim të dhjetorit 80 centë, pa asnjë paralajmërim paraprak, as zyrtar e as privat, është ngritur në 1 euro, ndërsa çmimi i një samuni (pitajkë) nga 25 centë, është bërë 30 centë. Kurse çmimi i bukës standarde, 500 gramëshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, ç’është e vërteta, ende tek këta furrëtarë kishte mbetur i pandryshuar, 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe vendndodhja e tyre në kryeqytet.
Ndërkohë, në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës, ai i deritashëm del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë, edhe po të krahasohet me çmimet e produkteve të domosdoshme për pjekjen e bukës. Pra, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre edhe në këto kondita. Furrëtarët dhe bizneset e tyre në Prishtinë, por edhe gjithandej nëpër qendrat e Kosovës, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre dhe prap vazhdojnë të ankohen për marzhën e vogël të fitimit nga buka që shesin. Këto ankesa, që më shumë ngjajnë në shantazhe, mullistët dhe bashkë me ta furrëtarët, po i shfrytëzojnë për paralajmërime ngritjesh të reja enorme të çmimeve, tani edhe të bukës standarde, por edhe të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave. Pjekurinat, dihet, i konsumojnë më së shumti nxënësit dhe fëmijët. Dhe për këtë shkak, furrat në qytetet e Kosovës, sidomos në kryeqytet, shumica e tyre, janë shumë pranë shkollave.
Thjeshtë furrëtarët, shumica absolute e tyre, e sidomos e atyre që bizneset e veta (furrat) i kanë të vendosura dhe kryejnë veprimtarinë rreth e qark shkollave, kanë kërkesë të bollshme karshi ofertës, po kështu të bollshme për pjekurinat e larmishme dhe të shumta, por të gjitha në vëllim dhe peshë fare të vogël. Shesin shumë, qarkullojnë shumë para nga tregtimi i pjekurinave me çmime stratosferike dhe të ngritura boll shpesh në përqindje jo të pakta. Tani, këto ditë pra, disa nga furrtarët në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane të vendit, në rrethanat e reja të krijuara pas ngritjes së çmimit të rrymës, sërish, mbase edhe duke e shfrytëzuar vëmendjen e përqëndruar të pushtetit te krijimi i institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe margjinalizimin total të kontrollit të domosdoshëm të veprimtarive të ndryshme biznesore, edhe të bukëpjekësve, po ngarendin për ngritje çmimesh të produkteve të tyre. Gjithsesi, këtë ngarendje e bëjnë edhe në mungesë totale të rezistencës qytetare, të rezistencës së domosdoshme të konsumatorëve, siç bëhet kudo në shtetet normale të botës. /Buletini Ekonomik/











