Kosova, me gjithë resurset e bollshme energjetike (jemi shteti i pestë në botë për nga rezervat e linjitit, ose 12-13 miliardë rezerva të verifikuara të këtij resursi, por edhe me mundësit reale për të ngritur kapacitete në bazë të erës dhe të diellit), tash e 25 vjet vuan nga mungesa e energjisë elektrike.
Mehmet GJATA
Të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës kanë dështuar totalisht në sigurimin e rrymës për qytetarët e vet, qoftë nga padituria, qoftë nga mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik. Dhe, për këto arsye, Kosova sot e kësaj dite mbeti pa një termocentral të një kapaciteti të pranueshëm dhe të mjaftueshëm dhe vetëm me një kapacitet real të energjisë së rinovueshme (ai në bazë të erës në Shalë të Bajgorës), që është nën çdo mundësi reale edhe të Kosovës së varfër. Ka dështuar në përmbushjen e premtimeve edhe Qeveria Kurti 2, e cila, me gjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, është vonuar pakuptueshëm shumë dhe ka mbetur prapa, për të mos thënë ka ngecur tërësisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme (pikësynim kryesor i qeverisë Kurti2, të parashikuar edhe në dokumente zhvillimore energjetike dhe në Strategjinë energjetike 2022-2031 edhe të kapaciteteteve të energjisë).
Me fjalë të tjera, Kosova, me gjithë resurset e bollshme energjetike (jemi shteti i pestë në botë për nga rezervat e linjitit, ose 12-13 miliardë rezerva të verifikuara të këtij resursi, por edhe me mundësit reale për të ngritur kapacitete në bazë të erës dhe të diellit), tash e 25 vjet vuan nga mungesa e energjisë elektrike. Mospasja e mjaftueshme e rrymës nuk është, pra, në asnjë mënyrë, pasojë e mungesës së resurseve, por është mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese elektroenergjetike, qoftë të atyre me qymyr, qoftë të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme (në bazë të erës dhe të diellit).
Termocentralet ekzistuese Kosova A dhe Kosova B, tashmë janë të stërvjetëruara për të prodhuar energji elektrike për përmbushjen e nevojave të shtuara të konsumit të Kosovës. Kjo dihet, tash e 25 vjet, sikundër që dihet se në këto vite pati më shumë fjalë, premtime dhe projekte të shpërfaqura në publik për të prodhuar megavatët që i mungojnë Republikës sonë, por që dolën të parealizueshme dhe mbetën në letër, ose ide që kanë zënë të harrohen tashmë.
Më konkretisht, të gjitha Qeveritë e deritanishme të Kosovës kanë dështuar totalisht në sigurimin e rrymës për qytetarët e vet, qoftë nga padituria, qoftë nga mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik. Dhe, për këto arsye, Kosova mbeti sot e kësaj dite për një termocentral të një kapaciteti të pranueshëm dhe të mjaftueshëm (vlerësohet që plus 500 megavatë krahas rrymës nga kapacitetet ekzistuese do të mjaftonin për nevojat e kosovarëve për disa vitet në vijim), por Kosova deri tash mbeti edhe vetëm me një kapacitet real të energjisë së rinovueshme (ai në bazë të erës në Shalë të Bajgorës), që është nën çdo mundësi reale edhe të Kosovës së varfër dhe me një kapacitet tjetër fare të vogël, po në bazë të erës, të ndërtuar në Kitkë të Kamenicës.
Ka dështuar padyshim në përmbushjen e premtimeve edhe Qeveria Kurti 2, e cila, me gjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, ende vazhdon të vonohet shumë dhe të mbetet prapa sa i përket ngritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, qoftë rreth rindërtimit të premtuar të termocentraleve Kosova A, dhe Kosova B (më në fund ditë më parë ka nisur punët për rikonstruktimin më të thellë të turbinës së termocentralit Kosova B dhe në janar të këtij viti është shpallur tenderi dhe akoma janë duke u pritur ofertat për parakualifikim për rehabilitimin e thellë të bllokut A3 të termocentraleve Kosova A), qoftë të ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.
Thënë më konkretisht, për shkak të politikave dritëshkurtra të qeverive të deritanishme në energjetikë, me gjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij. Kronologjia vijuese do të shpërfaqë më bindshëm dështimet ndër vite, që nga 2000-ta e deri më 2025-n, aq sa lejojnë mundësitë të paraqiten në një tekst, qoftë edhe analitik gazetaresk.
Që në ditët e para të pasluftës, të alarmuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe kriza që i kanosej me shpejtësi Kosovës nga pasojat e mospasjes mjaftueshëm rrymë për konsumin e vendit, kur terri në njëfarë mënyre kërcënoi ta kolapsonte vendin, njohësit e proceseve ekonomike dhe zhvillimore kërkuan me ngulm nga zyrtarët dhe auroritetet vendimmarrëse që prioritet mbi prioritetet e institucioneve të Kosovës, të jetë ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik, edhe para autostradës së kombit dhe para zbatimit të procesit të privatizimit. Pak a shumë, atëherë ishin identifikuar nevojat për kapacitetet e reja energjetike. Në dokumente të ndryshme zyrtare thuhej se synimet e politikave qeveritare, të prezantuara edhe në të gjitha Strategjitë e Energjisë së Kosovës, përveç planeve për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike, kanë për qëllim edhe përfshirjen e sektorit privat në projektet infrastrukturore të TC-ve të reja ku do të përfshiheshin zhvillimi, dizajni, ndërtimi, financimi, pronësia, mirëmbajtja dhe operimi në përputhje me standardet dhe kriteret ndërkombëtare. Shumica e ideve dhe vizioneve parashihnin ndërtimin e një termocentrali të ri, meqenëse Kosova kishte shumë thëngjill dhe rezerva të mjaftueshme të tij për periudha më të gjata (rezervat e linjitit vlerësohen të jenë të mjaftueshme për të furnizuar energjetikën kosovare disa qindra vjet të ardhshme, ose siç vlerësohet në shumicën e studimeve Kosova ka mbi 14 miliardë tonelata qymyr të mundshëm për t’u eksploatuar).
Ekspertët e shumtë pretendonin të ndërtohej urgjentisht një termocentral i ri. Më të ekuilibruarit e parashihnin si të domosdoshëm një termocentral me fuqi diku rreth 500-600 megavatësh. Ndërsa pati të tillë, sish nga euforikët, madje edhe autoritete deri te ministrat, që ishin përcaktuar definitivisht për ndërtimin e një megatermocentrali, ose një numri sish, me fuqi deri në 2.100 megavatësh, pa pasur, siç duket, fare parasysh, se çdo të bëhej me popullsinë, pra me kosovarët që jetojnë e gjallojnë mu në afërsi të drejpërdrejtë të këtij shkatërruesi potencial të ambientit, florës, faunës dhe ajrit e ujërave të Kosovës. Një variant i mesëm, po në vazhdën e kërkesave për kapacitete të reja energjetike ishte ndërtimi i një TC-je me fuqi 1000-1.200 megavatë-orësh.
Pas “rënies në ujë” të të gjitha këtyre parashikimeve, në të shumtën me fajin e vendimmarrësve tanë, më në fund Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e termocentralit të ri me kapacitet 2 herë 300 megavatë, të emërtuar si ‘Kosova e Re’. Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal në ndërkohë nënshkruan Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re në dhjetor të 2017-s, u saktësuan edhe afatet e ndërtimit. Nga qeveritarët u tha se Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijojë mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit. Dhe prapë nuk u bë asgjë. Siç dihet, edhe ky projekt ka dështuar tashmë. Kosovën e re në variantin e zyrtarizuar, praktikisht, pos ish-qeveritarëve të cilët e mbrojtën me ngulm dhe pa bindje, të gjithë kosovarët e tjerë, praktikisht e refuzuan. Kundër tij ishin shoqëria civile në radhë të parë, ekspertët, njohësit e zhvillimeve energjetike, por edhe institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat e shihnin projektin si shumë të dëmshëm financiarisht për Kosovën dhe si të tillë edhe një ndër gjeneruesit e ardhshëm potencial të krizave financiare që do ta kaplonin vendin.
Pse dështuan të gjitha këto projekte për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik në Kosovë?
Në vitet e para pas luftës, në opinion ishte krijuar përshtypja se, më në fund, autoritetet kosovare janë vetëdijësuar për urgjencën e ndërtimit të një termocentrali të ri. Iu hap dera atëbotë edhe investitorëve ndërkombëtarë. Dhe interesimi i kompanive të fuqishme nga bota nuk mungoi, as asistenca teknike ndërkombëtare (Banka Botërore, Komisioni Europian dhe USAID-i). Disa ofertues serioz, në ato vite hapën zyra në Prishtinë për të treguar seriozitetin e tyre për të qenë konkurrentë në ndërtimin e këtij projekti. Por, shumë shpejt u pa se të gjitha këto kishin qenë vetëm iluzione. Sepse, shi kur mendohej se gjithçka shkonte vaj, dy konzorciume prestigjioze gjermane “RWE” dhe “EnBW” me partnerin e saj amerikan “WGI”, njëra nga të cilat ishte instaluar në kryeqytet me zyra dhe personel të përgatitur, u tërhoqën nga gara e procesit të tenderimit. Kur tek pastaj u tërhoq edhe CEZ-i çek, pretenduesi i tretë për ta ndërtuar termocentralin e ri, u bë e tejdukshme se këto synime po dështonin ende pa nisur.
Me fajin tonë, të vendimmarrësve të atëhershëm, të cilët me hezitimin e tyre të pakuptueshëm, pa aftësinë profesioniste, kalkulimet e gabueshme dhe ç’është me e keqja me kërkesa të turpshme për t’u korruptuar, praktikisht dëbuan ofertuesit më seriozë që ndonjëherë kishin ardhur në Kosovë. Dhe tani dëgjohen zëra pse nuk u ndërtua për këta muaj një termocentral, sikur të ishte ai një lodër fëmijësh që bëhet sa çel e mbyllë sytë. Ndërsa dihet që një termocentral, përafërsisht sa Kosova B, edhe po t’i kesh miliardat e botës në trezorët e Kosovës, nuk mund të bëhet, në rrethanat më optimale para 4-5 vjetësh.
Gabim fatal dhe i kushtueshëm për nga pasojat ishte edhe privatizimi i Distribucionit me çmim 26,3 milionë euro, dhe sipas politikave të djathta, sipas të cilave “privatizimi zgjidhë problemet me shërbime publike”. Ka kohë që është dëshmuar sa e keqe ishte kjo shitje, ky privatizim pra. Dhe për shkak të këtij privatizimi diskutabil dhe të keq, tashmë për ditë e më shumë u dëgjuan zëra, sikundër ai i një analisti kosovar që “KESCO dhe KEDS duhet të nacionalizohen për të funksionuar parimet: kur ka fitim ta ndajmë atë, kur ka humbje t’i ndajmë edhe ato, e jo kështu – fitimi i tyre, ndërsa humbja e jona, sikundër edhe shërbimi katastrofik, kur futemi në reduktime të ashpra dhe me orë të tëra pa rrymë”.
Në këtë mënyrë, pra, Kosova sot e kësaj dite, 26 vjet afërsisht pas përfundimit të luftës ka mbetur vetëm me kapacitetet Kosova A dhe B, të cilat kanë gjithsej fuqi të instaluar diku rreth 1.300 megavatë-orë, por që tashmë me vite, edhe pas rivitalizimeve të shumta dhe të shpeshta, prodhojnë në ditët më të mira diku 700-800 megavatë-orë. Ndërkohë, konsumi aktual i Kosovës, thuaja pa asnjë kapacitet industrial (tani kur nuk funksionon as Ferronikeli, ndërsa mbase kohë pas kohe funksionon pjesërisht vetëm ndonjë repart i Trepçës), gjatë muajve të verës është pak a shumë sa prodhimi dhe nën te, ndërsa muajve të dimrit dhe kohës së pikut edhe në muajt e verës, ka mungesë të theksueshme të energjisë elektrike dhe kjo mungesë përmbushet nga energjia e importuar.
Pa elaboruar më shumë, Kosova tashmë gjendet në një gjendje sfiduese elektroenergjetike, ose në prag të ndonjë krize më të madhe energjetike. Ndërsa nisja e punëve për rekonstruktimin e thellë të turbinës së B2-shit( më pastaj edhe të B1shit) si dhe paralajmërimi për rivitalizimin e tërësishëm të një njësie të termocentraleve Kosova A (bllokut A3) është një lajm i mirë, nëse bëhet mirë, nëse respektohen në përpikëri dhe saktësisht standardet ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit dhe nëse bëhet pa humbur kohë. Megjithatë, popullata e Kosovës, e sidomos kryeqytetasit, që jetojnë në afërsi të drejtëpërdrejtë me “Kosovën A”, por edhe përfaqësues të asociacioneve kompetente ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, edhe pse duan të kenë energji elektrike të bollshme, nuk e fshehin frikën e ndotjes së ambientit, e ç’rregullimit të ekuilibrit ekoloogjik në afërsi të drejpërdrejtë të Prishtinës së mbipopulluar, që deri tash po nga ky termocentral është ndotur jashtë çdo standardi. Kërkohet përkujdesje dhe insistim që gjatë rivitalizimit të TC “Kosova A” dhe të Kosovës B, të zbatohen të gjitha kriteret, standardet dhe rregullativat ligjore ndërkombëtare (konventa e Aarhusit, protokolli i Kyoto-s etj.). Shkurt, kryeqytetasit kërkojnë studime të thella dhe të gjithanshme për këto rivitalizime, seriozitet në KEK dhe në nivele të institucioneve vendimmarrëse të vendit, verifikim të stabilimenteve eventuale të reja, të cilat do të instaloheshin në termocentralin e rehabilituar.
Ndërsa, huqjet evidente pra, ato të deritanishmet, kanë emër dhe mbiemër dhe nuk është mirë të heshten, të harrohen dhe të anshkalohen duke fajësuar të tjerët për fajin e pabërë. Ndërkohë, përballja me krizën energjetike në Kosovë, të krijuar në këto 25 vjetët e shkuara, janë detyra me urgjencë për vendimmarrësit e ardhshëm, siç janë më se të domosdoshme edhe investimet për të zëvendësuar kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme, të cilat tani për tani Kosova i ka fare pak, thuaja simbolike.
Qeveria e ardhshme e Kosovës, cila do qoftë ajo, duhet të jetë shumë më ekspeditive dhe më këmbëngulëse për të kërkuar përkrahje edhe financiare edhe me projekte energjetike nga organizatat ndërkombëtare, posaçërisht Banka Botërore dhe FMN-ja ndihma e të cilave është më se e domosdoshme për të ndihmuar dhe këshilluar institucionet tona përkatëse në drejtim të sigurimit të më shumë opsioneve zhvillimore të energjetikës, dhe më shumë projekte alternative që do ta adresonin krizën aktuale energjetike, duke i siguruar përmirësim të dukshëm situatës së vështirë mjedisore të krijuar nga termocentralet. Gjithsesi, vonesat e diskutueshme për ngritjen e impianteve të reja të energjisë së rinovueshme, të premtuara nga Qeveria Kurti 2 janë çështje në vete dhe ato janë trajtuar disa herë nga Buletini Ekonomik. Dhe me pak fjalë, në këtë sektor (energjia e rinovueshme, pra), Qeveria në dorëheqje pati shumë fjalë, bëri pafundësisht premtime të mëdha të vazhdueshme rreth sa e sa projekteve të reja, por që pashpjegueshëm u vonua dhe ngeci në vendnumëro. Deri tani nuk ka ndodhur nisja e ndërtimit të tyre (nuk dihet asgjë as për fatin e ankandit të parë solar të nisur rreth 2 vjet më parë për t’u ndërtuar në fushat e Rahovecit). Ndërkohë, fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës kanë vazhduar nga zyrtarët në dorëheqje edhe gjatë këtyre ditëve të mungesës së fubnksionalizimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së vendit./Buletini Ekonomik/









