Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të kërkuar anulimin e dy vendimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të cilat, sipas saj, po rrezikojnë rritjen e kostos së jetesës dhe falimentimin e bizneseve.
Deputetja Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se të hënën do të dorëzojnë në ZRRE anulimin e vendimit që ka çuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%, si dhe vendimi që obligon 1300 kompani të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Më lejoni të iu informoj që kemi mbledhur nënshkrimet e disa deputetëve. Do të dërgojmë kërkesë në ZRRE për anulimin e dy vendimeve: anulimin e vendimit për të hyrat maksimale që ka rezultuar me rritjen e çmimit të rrymës, dhe vendimin tjetër për detyrimin e 1300 kompanive për të dalur në tregun e hapur. Ky vendim ka rritur çmimin e energjisë për konsumatorët dhe rrezikon të nxisë një valë të re inflacioni”, ka thënë Bajrami.
Sipas saj, nga informacionet e marra nga shoqata e prodhuesve, rreth 200 kompani që kanë kërkuar oferta për furnizim me energji pas 1 qershorit kanë marrë vetëm një ofertë – nga KESCO, kompania e njëjtë që aktualisht i furnizon me energji.
Bajrami ka theksuar se nga kjo do të thotë se nuk ekziston një treg i lirë funksional në Kosovë, pavarësisht se ZRRE ka licencuar 19 operatorë për tregtim me energji.