Rriten për 77 për qind çmimet e energjisë në Bursën Shqiptare në tremujorin e parë

Fotografi ilustruese

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike menaxhon dhe operon tregun e organizuar me shumicë të energjisë elektrike për zonat e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë vitit 2024, faturimet arritën në vlerën e 301 milionë euro.

Rreth 322 mijë megavatë-orë energji elektrike u tregtuan në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, teksa vlera e transaksioneve përllogaritet në rreth 44.6 milionë euro.

Sipas të dhënave të Tregut të Ditës së Avancë të raportuara nga ALPEX, çmimi mesatar u regjistrua në 139 euro/mWh, një çmim gati 77% më i lartë se 3-mujori i vitit të kaluar. Po ashtu, të dhënat tregojnë se ka një ulje të volumit të energjisë së tregtuar në bursë, në raport me 3-mujorin e parë të vitit 2024.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu, për periudhën janar – mars një volum total prej 1946 megavatorësh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 197 euro/mWh.

Vetë ALPEX e ka konsideruar nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve.

Sipas APLEX, tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë dhe një mekanizëm shtesë tregu, të njëjtë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i vendosur këto tregje pararendës brenda Komunitetit të Energjisë, raporton Scantv.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike menaxhon dhe operon tregut e organizuar me shumicë të energjisë elektrike për zonat e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë vitit 2024 faturimet arritën në vlerën e 301 milionë euro.