Në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra, markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, janë ekstremisht të larta edhe gjatë javës së parë të majit 2025.
Buletini Ekonomik
Pavarësisht se po i afrohemi stinës së verës, motit me shumë ditë të ngrohta, kur edhe në Kosovë nisin të mbrrijnë perimet e para nga kopshtijet dhe ‘plastmaset’ e vendit (qepët e reja, spinaqi, trangujt, lakra e re etj), për asnjë ditë nuk ka rreshtur trendi agresiv i ngritjes së çmimeve të produkteve bujqësore në tregjet e gjelbra të vendit.
Çmimet e larta kanë dominuar që nga ditët e para të pranverës për të vazhduar përditësimin vrullshëm deri më sot, në ditën e “Shëngjergjit”, “vade” kjo që të moçmit tanë e kanë pasë të shënjuar gjithmonë si ardhja e stinës së verës, ose si kalimin nga dimri i gjatë në verën e pritshme “Shëngjergj”-“Shëmitër”.
Çmimet e perimeve, por edhe të pemëve qëkur ka nis stina e pranverës, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në ato të qendrave komunale, janë të larta, dhe për pasojë janë bërë thuaja të ‘pa arritshme’ për shtresat e varfra, por edhe për ato të mesme të vendit. Në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra, markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, janë ekstremisht të larta edhe gjatë javës së parë të majit 2025. Ndërsa, në bazë të çmimeve të shumë produkteve ushqimore të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) – (Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë 2025), indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.9 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Por, të dhënat e ATK-së nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2025, krahasuar me çmimet e aktuale të pemëve dhe perimeve, që në këto ditë të javës së parë të majit dominojnë tregjet tona të gjelbra, duken jo shumë të besueshme. Sipas vrojtuesve, në bazë të çmimeve që vazhdojnë të dominojnë në tregjet e gjelbra të vendit, ky indeks del të jetë ndjeshëm më i lartë se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Dhe nëse vazhdon rritja me këtë trend, fare lehtësisht do të lënë nën hije çmimet e rritura të këtyre produkteve në vitet paraprake (në vitet 2020-2024, ngritje enorme çmimesh të produkteve bujqësore të trajtuara nga ASK-ja).
Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe në markete e supermarkete, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Një kilogram i specave, të cilësisë së dobët, këto ditë në tregjet e gjelbra të kryeqytetit tregtohet me 1,5-1,70 euro, ndërsa e specave djegës me cilësi në pamje të jashtme të mirë, tregtohen me 3 euro kilogrami. Domatet, pokështu, kanë çmime të larta. Një kilogram i domateve të cilësisë së mirë, të hënën, në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me së paku 1,50 ndërsa në minimarkete dhe në disa shitore të pemëve dhe perimeve, çmimi i domates vazhdon të jetë 2 euro e përtej.
Ndërkohë, qepët e reja, ato më cilësoret, kushtonin 4 ‘tuba’ 1 euro, por ato më pak cilësore tregtoheshin edhe 5-6 tuba me 1 euro. Sallatat jeshile, të freskëta, prodhim nga serrat e mbuluara të vendit, kanë çmimin 50 centë, ndërsa ato jo të freskëtat, që kanë mbetur pa shitur nga ditët paraprake dhe tregtarët vazhdojnë t’i shesin, i gjen edhe me çmimin 4 copë 1 euro. Lakra, ajo e reja, po tregtohet me 1 euro kilogrami, ndërsa spinaqi nga ‘plastmaset” vedore me cilësi të imponueshme të hënen kishte çmimin 1,5 euro kilogrami.
Nga pemët tani dominojnë mollët, bananet, kivi, të gjitha këto nga importi, ndërsa bie në sy ngritja e ndjeshme e çmimit mollëve. Dje, një kilogram i mollës së mirë (e importuar nga Polonia) kushtonte 1,5 euro, bananet, edhe të hënën vazhdonin të tregtoheshin me 1,5 euro për një kilogram, ndërsa një kilogram i kivit kishte çmimin 1,30 euro. Ndërsa, çmimi i vezëve vazhdon të jetë i njëjti me atë të para disa javëve. Në rrjetin e prodhuesit ndër më të njohurit të produkteve me origjinë shpezore, një komplet vezësh, të cilësuara si kategoria e parë, tani tregtohet me 3,8 euro. Ndërkohë, në markete dhe supermarkete çmimi i vezëve, hiç të ashtuquajturat “aksione”, është edhe më i lartë. Ndërsa sipas të dhënave të ASK-së, të bëra publike këto ditë, çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar ngritje për 4.7 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. /Buletini Ekonomik/