Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, specat, edhe ata padjegës, edhe ata djegës, tani kushtojnë goxha më lirë se disa ditë e javë më parë. Një kilogram i specit cilësor padjegës, tani e gjen me çmimin 1 euro, ndërsa ata djegës, më të mirët, që vijnë nga Greqia, të enjten kushtonin 1,30 dhe shumë – shumë 1,50 euro kilogrami. Domatet, ato më cilësoret, tani kushtojnë 1,3 euro kilogrami, ndërsa lakra e re, tregtohet me 70 centë një kilogram, dhe ka një ulje çmimi të ndjeshëm, krahasuar me çmimin me të cilin ky perim tregtohej pak kohë më parë dhe që sillej nga 1 deri në 1,5 euro.
Buletini Ekonomik
Tregtarët në Tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës, këtyre ditëve janë më të disponueshëm dhe më të gatshëm për të bashkëbiseduar me përfaqësuesit e medieve. Kanë më shumë shitje, që do të thotë më shumë qarkullim parash, por edhe fitim më të dukshëm. Shitet më shumë në tregjet e gjelbra edhe për shkakun se perimet më të kërkuara – speci dhe domatja, edhe pse janë qind për qind nga importi (nga Turqia, Greqia dhe Shqipëria), kanë një ulje simbolike çmimi.
Ata, tregtarët e produkteve bujqësore, në Kosovë, thuaja në të gjitha tregjet e gjelbra, tregtimin e perimeve dhe të pemëve e bëjnë thuaja të tërin dhe fare pak e bëjnë prodhuesit – bujqit dhe fermerët. Janë disa tregtarë, që për shkak të shumë viteve përvojë në shitjen e produkteve bujqësore, tashmë janë bërë edhe të njohur dhe tani gëzojnë respekt për cilësinë e produkteve që tregtojnë, për seriozitetin dhe sjelljet ndaj punës, por edhe për sjellje korrekte ndaj konsumatorëve.
Konsumatorët prishtinas, ata që janë bartës të furnizimit të shtëpive të tyre me produkte bujqësore, “symbyllurazi” i dijnë vendet, raftet e këtyre tregtarëve dhe pa më të voglin hezitim shkojnë te tezgat e tyre për t’u furnizuar, sidomos me perime.
Njëri nga këta tregtar, është një 44 vjeçar, kaherë banor i kryeqytetit, dhe me origjinë nga nja fshat i komunës së Prishtinës. Ai flet lirshëm me reporterin e Buletinit Ekonomik, për punën e tij tashmë shumëvjeçare të tregtarit të pemëve e perimeve, ose “stërshitësit” siç jemi mësuar ta dëgjojmë në tregun e gjelbër kryesor të kryeqytetit.
“Me vite të tëra e punoj këtë punë. Zgjohem përditë shumë herët, diku para orës 5 të mëngjesit, përgatitem dhe shumë herët shkoj me furgon në tregun me shumicë për t’u furnizuar me mallin që e tregtoj në të shumtën e rasteve brenda ditës. Unë e dua shumë punën që e bëj dhe nuk e mendoj asnjëherë si parësor fitimin. Fitoj goxha mirë, sidomos gjatë muajve të verës, e veçmas gjatë fundit të gushtit dhe muajit shtator, kur nis dhe mbanë kohë e turshive dhe njerëzit blejnë me shumicë edhe specin, edhe domaten, edhe kumbullën, dhe perime të tjera të nevojshme për turshitë”, shprehet tregtari, që preferon anonimitetin.
Ai thotë se fiton mirë nga puna e vet. Dje dhe sot, rrëfen se ka arkëtuar saktësisht mjaftueshëm dhe është i kënaqur me fitimin. Tregton aktualisht speca, domate, lakra, si dhe qepë të reja, dhe i kënaqur thotë se “tani e disa ditë, kur po i afrohemi stinës së verës, ka një ulje simbolike për disa perime”.
“Specat, edhe të padjegësit, edhe ata të djegës tani kushtojnë goxha më lirë se disa ditë e javë më parë. Një kilogram i specit cilësor të padjegës e gjenë me çmimin 1 euro, ndërsa ata të djegësit, më të mirët, që vijnë nga Greqia, sot (e enjte, 22 maj 2025) kushtojnë 1,30 dhe shumë – shumë 1,50 euro kilogrami. Para disa javësh, kilogrami specit të njëjtë ka kushtuar në këtë treg 3, 3,5 euro dhe përtej. Domatet, ato më cilësoret tani kushtojnë 1,3 euro kilogrami, ndërsa lakra e re, ajo e sallatës sot kushton 70 centë një kilogram, dhe ka një ulje çmimi të ndjeshëm, krahasuar me çmimin që ky perim tregtohej para pak kohë dhe që sillej nga 1 deri në 1,5 euro”.
“Të gjithë konsumatorët dhe klientela ime janë të kënaqur nga malli që e blejnë te unë. E zgjedh shumë atë në tregun me shumicë, e zgjedh kur të kem mundësi edhe prodhuesin e rajonit prej nga vijnë perimet dhe sigurohem gjithnjë të kem mall cilësor, sa më të freskët për t’i kënaq kërkesat e blerësve”, thotë tregtari prishtinas.
Sipas tij, periudha disamujore e dimrit, është më e vështirë për tregtarët në tregjet e gjelbra, për shkak të ditëve të ftohta dhe me të reshura.
“Edhe fitimi është më i vogël. Por muajt e verës, pastaj e kompenzojnë dimrin”, ka thënë ai.
Megjithë tendencën e uljes së çmimeve të disa perimeve gjatë ditëve të fundit dhe përfshirjes shumë më të madhe të disa perimeve të prodhuara në kopshtijet dhe serrat e Kosovës, blerësit ende i vlerësojnë çmimet e produkteve bujqësore të shtrenjta.
“Nuk e kuptoj pse të kushtojë një kilogram i mollëve 1,60 euro, ose shumë më shtrenjtë se një kilogram i bananeve, që kanë çmimin 1,3 deri në 1,5 euro kilogrami, thotë një qytetar i kryeqytetit, i cili megjithë çmimet e larta, preferon furnizimin në tregun e gjelbër. Ai veçon si çmim të preferueshëm atë të sallatave jeshile në ditë të ndryshme, dhe të qepëve të reja të cilat tani tregtohen me çmimin 5 tuba një euro, ose 20 centë tuba e qepëve, ndërsa i bënë vërejtje çmimit të trangujve, që vijnë nga serrat e Mamushës dhe të Rahovecit, dhe që nuk bien nën 1 euro kilogrami. /Buletini Ekonomik/









