Të dhënat e analizuara në SEECAO tregojnë për shpërputhje enorme mes çmimit me të cilin u blenë kapacitetet ndërkufitare të transmisionit nga kompanitë “EFT” e “Noa Energy Trade” – dhe çmimit që ato aplikuan ndaj KESCO-s për bartjen e energjisë elektrike nga Mali i Zi për në Kosovë gjatë vitit 2024.
Agon Sinanaj
Deri në 800 euro i ka kushtuar KESCO-s për ta sjellë një megavat energji elektrike në Kosovë përmes kompanisë “Noa Energy Trade”, gjatë vitit 2024, pa përfshirë këtu ende çmimin e energjisë elektrike.
Kjo e dhënë del nga Zyra e Ankandeve për Evropën Juglindore (SEECAO) me bazë në Podgoricë, e cila rregullon çështjen e ankandeve për blerjen e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, ku pjesë e saj është edhe Kosova.
Përveç çmimit të energjisë elektrike në bursë, një kosto tjetër që ngarkohet në çmim është edhe kostoja për transmision, apo bartjen e energjisë.
Buletini Ekonomik ka analizuar çmimet në SECCAO për linjat e transmisionit gjatë vitit 2024. Të dhënat e analizuara tregojnë për shpërputhje enorme mes çmimit me të cilin u blenë kapacitetet ndërkufitare të transmisionit nga tregtarët e energjisë dhe çmimet që ata aplikuan ndaj KESCO-s për bartjen e energjisë elektrike nga Mali i Zi për në Kosovë.
Deri në 798.32 euro për ta sjellë 1 megavat në Kosovë
Sipas të dhënave që dalin nga SEECAO, kompanitë “EFT” dhe “Noa Energy Trade”, janë dy kompanitë që i kanë zotëruar linjat e transmisionit mes Malit të Zi dhe Kosovës gjatë vitit 2024.
Këto dy kompani, në të dhënat e publikuara në uebfaqen e SEECAO-s, shihet se i kanë blerë kapacitetet e transmisionit nga Mali i Zi drejt Kosovës përmes ankandit vjetor, por dominojnë edhe te ankandet mujore dhe ato ditore.
Në SEECAO, çmimi për kapacitete te ankandet vjetore për vitin 2024, është 1.11 euro për megavat/orë. Të ankandet mujore, nga të gjithë muajt e vitit 2024, çmimi nuk shkon në asnjë rast mbi 5 euro. Të njëjtat çmime për kapacitete janë edhe nëse analizohen ofertat e tregtarëve në SEECAO gjatë këtij viti. Por, ajo që ndodhi në raport me KESCO-n gjatë vitit 2024, përbën anomali në vete.
Në muajin dhjetor 2024, çmimi për bartjen e një megavati nga Mali i Zi drejt Kosovës përmes kompanisë Noa Energy Trade, shkoi deri në 798.32 euro. Kjo kishte ndodhur saktësisht më 24 dhjetor – mes orëve 10:00 të mëngjesit dhe orës 16:00 të pasdites. Për gjashtë orë rresht, KESCO pagoi nga 798.32 euro për ta sjellë një megavat në Kosovë nga Mali i Zi përmes NOA-s.
Sasia e energjisë në të cilën u zbatua ky çmim është 200 megavatë për secilën orë, që në total KESCO-s, këto 6 orë i kushtuan pak mbi 1 milion euro vetëm për transport të energjisë.
“Anomali” në çmime vërehet edhe me datën 2 dhjetor. Çmimi shkoi deri në 701 euro për ta sjellë një megavat energji elektrike në Kosovë.
Në një rast tjetër, më 17 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit, çmimi shkoi deri në 541 euro për megavat/orë, për 200 megavatë sa shkuan drejt Kosovës. Gjatë muajit dhjetor, janë gjithsej dhjetë ditë që ka ‘kapërcim’ enorm të çmimit për transport të energjisë elektrike.
“Anomalitë” e shtatorit e nëntorit
Muajt shtator e nëntor, janë dy muaj tjerë të analizuar në SEECAO. Edhe këtu analiza është bërë duke analizuar çmimet orë për orë.
Në muajin shtator, kostoja për ta sjellë 1 megavat në Kosovë shkoi deri në 701.56 euro. Kjo kishte ndodhur më 30 shtator të vitit 2024, mes orëve 09:00 (mëngjes) deri në 24:00 (mesnatë). Fillimisht, çmimi “kërceu” nga 9 cent që ishte në orën 8 të mëngjesit, në 500 euro vetëm një orë më vonë, për të vazhduar me 701.56 euro deri në orën 23:00 (në mbrëmje). Në orën e fundit të mesnatës (24:00), çmimi për megavat u përmbyll siç kishte filluar në mëngjes, pra me 500 euro. Gjatë kësaj periudhe, për 15 orë, veç për transport të energjisë – KESCO ka paguar 1.1 milionë euro.
Data 19 shtator 2024, është një rast tjetër kur pati ‘kërcim’ enorm të çmimit për transport të energjisë. Nga 20 cent në orën 8 të mëngjesit, një orë më vonë çmimi shkoi në 435.56 euro, për të vazhduar deri në 12 të mesditës. Çmimi më pas ra në 100 euro për tri orët e ardhshme, por shkoi sërish në 435.56 në orët pasuese.
Nga analiza e çmimeve orë për orë, del se në muajin shtator janë gjithsej 14 ditë me shpërputhje enorme të çmimeve për transport të energjisë nga Mali i Zi në Kosovë, përmes kompanisë Noa Energy Trade.
Një rast që vlen të përmendet, është data 17 shtator. Një çmim prej 240 euro për megavat orë u zbatua prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 23:00 të mbrëmjes.
Rast tjetër është 18 shtatori. Në këtë ditë, çmime enorme u aplikuan nga mëngjesi deri në mesnatë, duke filluar me 100 euro për të vazhduar deri në 290 euro.
Prej shtatorit, ‘problematik’ është edhe tetori, por për shkak të vëllimit të madh të të dhënave, është analizuar edhe muaji nëntor.
Në muajin nëntor janë identifikuar 15 ditë me shpërputhje në çmime. Çmimi më i lartë për transport të energjisë nga Mali i Zi drejt Kosovës, ka arritur më 13 nëntor, ku çmimi ka shkuar deri në 660 euro. Edhe këtu vërehet ‘kërcim’ i lartë në çmim nga 9 cent fillimisht, në 16 euro për megavat, e deri në 660 euro.
Më 11 nëntor kishte ndodhur rasti tjetër, ku çmimi shkoi deri në 651 euro.
Rast tjetër i ngjashëm është regjistruar edhe me datën 12 nëntor, ku çmimi më i lartë arriti deri në 401 euro. E njëjta situatë paraqitet edhe në ditët tjera të këtij muaji, ku janë identifikuar shpërputhje tjera në çmime.
Ndryshe, kostot për transport të energjisë elektrike për vitin 2024 theksohen edhe në raportin e KESCO-s që e ka dorëzuar në ZRrE, por vetëm si mesatare vjetore. Sipas raportit të KESCO-s, gjatë vitit 2024, kostot e transportit të energjisë arritën 9.06 milionë euro, prej vetëm 0.9 milionë euro sa ishin në vitin 2023.
“Në vitin 2024, KESCO për kapacitetet ndërkufitare ka paguar një çmim mesatar prej 30 €/Mw, me një total prej 9.06 milion €, përderisa në vitin 2023 kemi paguar mesatarisht 5 €/Mw me një total prej 0.9 milion €, prandaj është e domosdoshme gjatë përcaktimit të çmimit të importit të kalkulohen edhe kostot e pritshme për kapacitetet ndërkufitare”, thuhet në kërkesën e KESCO-s, drejtuar ZRrE-së.
Si funksionon SEECAO dhe çka ndodhi me çmimet e importit për Kosovën?
Për të kuptuar se pse ndodhi kjo “anomali” në kostot për transport të energjisë elektrike për vitin 2024, Buletini Ekonomik ka analizuar mënyrën e funksionimit të ankandeve në SEECAO, si dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ekspertë të fushës në Kosovë.
SEECAO është mekanizëm rajonal i themeluar në vitin 2014, me qëllimin për të rregulluar tregtimin me energji elektrike për shtetet e Europes Juglindore, vetëm për pjesën e linjave të transmisionit. Aksionar në SEECAO janë Operatorët e Transmisionit të shteteve pjesëmarrëse, që për Kosovën përfaqësues është KOSTT-i. Secili shtet realizon të hyra nga SEECAO, për shfrytëzimin e linjave të transmisionit nga tregtarët e energjisë elektrike që tregtojnë energji elektrike.
SEECAO për secilin vit organizon ankande për “shitjen” e kapaciteteve të transmisionit mes shteteve pjesëmarrëse. Në ankande marrin pjesë edhe tregtarët e energjisë, të cilët ofertojnë qoftë për ankandet vjetore, ato mujore, apo ankandet ditore.
Ka raste kur linjat e transmisionit bien komplet “në duart” e tregtarëve të energjisë elektrike, të cilët i blejnë kapacitetet ndërkufitare në SEECAO me çmim shumë të lirë dhe pastaj i shesin linjat te blerësit që duan ta bartin energjinë elektrike. Ky ishte rasti me importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2024.
Në rastin e Kosovës, energjia elektrike ka ardhur kryesisht përmes Malit të Zi, derisa linjat për Serbi janë të bllokuara për arsye politike, kurse me Shqipërinë pati një stagnim të madh për shkak të funksionalizimit të Bursës Kosovë-Shqipëri (ALPEX).
Kur ka kufizim të kapaciteteve për transmision, tregtarët zakonisht i shfrytëzojnë këto situata për t’i rritur çmimet.
Në raste, tregtarët e mëdhenj të energjisë elektrike bëjnë blerje vjetore të kapaciteteve të transmisionit në SEECAO. Çmimi është i ulët, si në rastin e vitit 2024, që është 1.11 euro për megavat/orë. Në kuptimin e tregut, ky është një rrezik që e merr tregtari, pasi paguan koston e blerjes së kapaciteteve në SEECAO një vit më herët, por mund të ndodhë që të dështojnë kontratat me blerësit për bartjen e energjisë elektrike.
Ka edhe raste kur tregtarët kapacitetet i blejnë edhe pa pasur qëllimin e bartjes së energjisë. Kjo ndodhë në rastet kur i rikthejnë kapacitetet në ankand dhe aplikojnë çmime më të larta për blerësit e energjisë elektrike.
Në rastin e Kosovës, kompanitë EFT dhe NOA Energy Trade gjatë vitit 2024, i patën në zotërim linjat e transmisionit nga Mali i Zi drejt Kosovës, prej nga Noa Energy Trade e importoi sasinë më të madhe të energjisë elektrike për vitin 2024. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE:
Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024




















