Pas hulumtimit në Buletin, LDK i kërkon Prokurorisë Speciale hetime mbi dyshimet për manipulimin e tregut të energjisë

Inxhinierja Janina Ymeri ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kërkesë formale për hetim në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me dyshimet për manipulim të tregut të energjisë elektrike dhe keqpërdorim të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë në Kosovë.

Sipas Ymerit, përveç Prokurorisë Speciale, kërkesa për hetim është adresuar edhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, ACER, si dhe është shpërndarë në mediat kombëtare e ndërkombëtare.

“Dyshimet në këtë rast nuk janë vetëm për një rast të izoluar të korrupsionit, por për një akt të qëllimshëm të luftës ekonomike të Serbisë ndaj Kosovës,” ka deklaruar Ymeri, duke theksuar se ky operacion është realizuar përmes entiteteve të lidhura me Serbinë, si kompania EFT e Vuk Hamoviqit, dhe partnerëve të saj.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka ngritur alarmin se monopolizimi i kapaciteteve ndërkufitare ka vështirësuar importin e energjisë në Kosovë, duke sjellë pasoja serioze për qytetarët përmes rritjes ekstreme të çmimeve, thellimit të krizës sociale dhe shtimit të valës së migrimit.

Kjo kërkesë vjen pas publikimeve seri të Buletinit Ekonomik rreth bursës Kosovë-Shqipëri “ALPEX”, si dhe për keqpërdorimet e tjera në këtë sektor. Hulumtimi i fundit dy mujor i Buletinit Ekonomik, ku janë analizuar shumë dokumente dhe biseda me shumë akterë, sjell dyshime të bazuara për sabotazh të ALPEX-it dhe shmangie të qëllimshme të bursës shqiptare nga të gjithë akterët në tregun e përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.

LEXO HULUMTIMIN E PLOTE:

Tregtimi “në të zezë” i energjisë në vitin 2024 dhe anashkalimi i ALPEX-it nga “të gjithë”

Ymeri ka përmendur se KOSTT dhe ZRrE, si institucione publike, kanë luajtur rol në këtë proces, duke dyshuar se kanë mundësuar, me vetëdije apo jo, veprime që sipas saj, kanë zhvatur qytetarët dhe kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.

“Heshtja në këtë rast është njësoj si bashkëveprim. EFT dhe Vuk Hamoviq janë Serbia, dhe Serbia është EFT dhe Vuk Hamoviq – pavarësisht miqësive të vjetra apo të reja,” përfundon reagimi i saj.