Në agjencinë e shit-blerjeve të paluajtshmërive “Future”, që selinë e ka në rrugën C në Prishtinë, thonë se në çmimin e lartë të banesave në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera urbane të Kosovës, ndikimin e madh e kanë ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, ngritja e pagave të punëtorëve në këtë sektor, si parakusht goxha vendimtar për të siguruar fuqi punëtore, sidomos pas realizimit të vizave, si dhe ngritja enorme e çmimit të tokave.
Mehmet GJATA
Në Prishtinë, por edhe në Kosovë në përgjithësi, zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të ndodhin pa ndonjë ndryshim të ndjeshëm me muajt, por edhe me vitet paraprake të fundit. Ndërtimet, sidomos ato të ndërtesave me banesa kolektive, nuk ndalen, vazhdojnë të rriten, sado që me një ritëm më pak të hovshëm se para 3-4 vjetësh, çmimet e banesave ngriten në përmasa të dukshme, ndërsa shitjet kanë rënë paksa edhe krahasuar me vitin 2024, kur ishte shënuar goxha ulje e shitblerjeve të patundshmërive në Kosovë.
Ndërtimtarët në Kosovë vazhdojnë të pohojnë se nuk ka banesa të finalizuara të pashitura në vend, ndërsa agjencitë e shitblerjeve të patundshmërive e pranojnë se ka rënie të shitblerjes në sektorin e ndërtimeve. Sidoqoftë, është evidente se në këtë sektor tashmë, në njëfarë mënyre, kanë ‘perënduar” kohët e arta të tregtimit të paluajtshmërive në përgjithësi dhe të banesave në veçanti, pasi që tashmë goxha ndjeshëm kanë rënë shit-blerjet, për dallim me disa vite më parë, kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, pati edhe shumë shitje.
Ndër shkaqet e rënies së shitblerjeve, gjithsesi, është edhe çmimi i lartë i banesave dhe paluajtshmërive në përgjithësi në qendrat urbane të Kosovës. Në agjencinë e shit-blerjeve të paluajtshmërive “Future”, që selinë e ka në rrugën C në kryeqytet dhe që vlerësohet si një agjenci serioze, e cila rigorozisht përfillë të gjitha normat dhe standardet e agjencive të mirëfillta të tregtimit të pronave dhe të banesave, thonë se sipas analizave të tyre, në çmimin e lartë të banesave në Prishtinë dhe në qendrat e tjera urbane të Kosovës, ndikimin e madh e kanë ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, ngritja e pagave të punëtorëve në përgjithësi në këtë sektor, si parakusht goxha vendimtar për të siguruar fuqi punëtore, sidomos pas realizimit të vizave, dhe ngritja enorme e çmimit të tokave.
Edhe ndërtimtarët ndër indikatorët e me ndikim të pamohueshëm në ngritjen e kostos së ndërtimit në këtë vit, e shohin te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe te çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit. Në Prishtinë, pronarët e tokave për banesa tani kërkojnë 30 deri në 40 për qind hapësirë banimi nga vlera e sipërfaqes së tokës.
Në agjencinë Future kanë thënë për Buletinin Ekonomik se në Prishtinë çmimet e një metri katror të banesave aktualisht sillet nga 1,200 deri në 2,500 euro, varësisht nga zonat ku gjendet banesa. Sipas kësaj agjencie, në Zonën e Prishtinës së Re (territori në të majtë të Veternikut deri te ndërtesa e Pallatit të Jurisprudencës, pak a shumë), çmimi i një metri katror të banesave aktualisht është 1,200 euro. Në rrugën C, metri katror i një banese sillet nga 1,400 deri në 1,500 euro, ndërsa në rrugën B për ta blerë aktualisht një banesë duhet paguar 1,500 deri në 1,700 euro për metër katror. Dhe, pastaj vjen pjesa e kryeqytetit me zona ndjeshëm më të shtrenjta të banesave.
Në lagjet Lakrishte, Pejton, Aktash, në Lagjen e Muhaxherëve dhe në lagjet më pranë qendrës së Prishtinës, siç është zona e rrugës Gazmend Zajmi dhe zona përrreth, nuk mund ta gjesh metrin katror nën 2,000 deri në 2,500 euro.
Pronari i agjencisë Future, që ka preferuar anonimitetin, i ka thënë Buletinit Ekonomik se këto çmime janë tani për tani, aktualisht pra, ndërsa ka tendenca të tejdukshme për ngritje të mëtejshme të çmimeve edhe të banesave edhe të tokave. Madje, sipas tij, nëse vazhdon pak a shumë tendenca e rritjes suksesive të paluajtshmërive, siç ka ndodhur deri më tash, shumë shpejtë, ndoshta brenda 3-4 vjetësh, tregjet e sektorit të ndërtimit në shtetet e rajonit, në njëfarë mënyre, do të njësohen për nga çmimi. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha dhe të dallueshme ndërmjet çmimit të banesave në Prishtinë me çmimet në Tiranë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi.
Tendenca e ngritjes së çmimeve është evidente dhe thuaja e pashmangshme, theksojnë në Future. Punëtorët në ndërtimtarinë e Kosovës tani kërkojnë paga shumë më të larta se sa para liberalizimit të vizave, dhe kushtimisht, për t’i pasur punëtorët e nevojshëm, duhet plotësuar kërkesat e tyre. Pastaj, çmimi i tokave po shkon duke u rritur marramedësh. Një ari i tokës së dedikuar për ndërtim të lartë në zonën e Prishtinmës së Re ka shkuar në 40-45 mijë euro, ndërsa në tokat e parapara për ndërtime të ulëta, nuk mund të gjesh arin nën 20-25 mijë euro. Ndërsa në zonat rreth e qark qendrës nuk ka toka për shitje, ndërsa nëse eventualisht gjendet ndonjë hapësirë e mbetur e vogël, një ari kushton deri në 150 mijë euro.
Këto janë rrethanat që diktojnë çmimet e larta në Prishtinë, sidomos, por edhe në qendrat e tjera urbane. Në Fushë Kosovë, fjala vjen, një nga qendrat ku deri pak vite më parë mund të gjeje banesë me çmime fare të pranueshme edhe për xhepat e kosovarëve të varfër, aktualisht metri katror është 800 deri në 1,000 euro. Dhe, përkundër këtyre ecurive të çmimeve, ka shitje, jo mbase sa në vitet paraprake, por shitblerjet nuk po ndalen. Blejnë banesa akoma shumë diaspora, por edhe vendorët.
Proporcioni i blerësve nga diapora me vendorët, sipas Future, akoma është theksueshëm në anën e diasporës, ose 70 për qind të blerjeve bëhen nga bashkombasit tanë që jetojnë dhe punojnë nëpër shtete të ndryshme të Perëndimit dhe 30 për qind i blejnë kosovarët rezidentë.
Në Kosovë, edhe sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave (ASK), edhe sipas ndërtimtarëve është evidente ngritja e kostos së ndërtimit në muajt e deritashëm të 2025-tës. Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja të Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë (TM1) 2025, “kostoja e ndërtimit në Kosovë pati rritje për 1,7 për qind në tremujorin e parë të 2025-tës, krahasuar me tremujorin e fundit të 2024 -tës”. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të sivjetshëm me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 6,5 për qind.
ASK-ja ka evidencuar se në këtë periudhë, pagat e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë janë rritur 2,4 për qind, ndërsa materialet e ndërtimit prej 1,9 për qind ishin ndikim në rritjen e kostos së ndërtimit, dhe shpenzimet e tjera në këtë sektor në tremujorin e parë janë rritur për 1,8 për qind.
Megjithatë, pati edhe ulje në disa objektiva të shpenzimeve në ndërtimtarinë e vendit në periudhën janar-mars 2025. Transporti ka shënuar ulje të kostos për 0,8 për qind dhe makineritë për 0,6 për qind. Duhet thënë se përtej rritjes së kostos së ndërtimit në Kosovë, kanë shkuar çmimet e ndërtimeve (banesave dhe hapësirave biznesore). Në Prishtinë dhe në të gjitha qendrat komunale, qoftë ku po ndërtohet më shumë, qoftë ku fluksi i ndërtimit është më i vogël, në muajt e shkuar të këtij viti ka ngritje çmimesh të banesave dhe paralajmërime të ndërtimtarëve për ngritje të tjera gjatë 2025-tës dhe në vazhdim. Në Kosovë, në muajt në vijim, ndikim jo të vogël në koston e ndërtimit do të ketë patjetër çmimi i ngritur i energjisë elektrike për 16,1 për qind dhe futja e tregut të hapur për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro dhe me mbi 50 punëtorë. Dhe sido që të jetë trendi i zhvillimeve në sektorin kosovar të ndërtimeve, gjithsessi, në muajt në vazhdim do ta ketë ndikimin e vet në zhvillimet e gjithmbarshme ekonomike dhe mbetet të shihet se ky ndikim a do të ulet, apo do të rritet në të ardhmen. /Buletini Ekonomik









