Çmimet e larta dhe rënia e fuqisë blerëse përkeqësojnë jetesën e pensionistëve të Kosovës

Pensionistët kosovarë, tani 5-6 muaj pas ngritjes së fundit të pensioneve jetojnë më keq, kanë fuqi më të paktë blerëse, dhe numerikisht janë më shumë pensionistë që kanë nevojë të domosdoshme për t’u ndihmuar në përmbylljen e muajit me muaj, pasi që pensionet e tyre nuk iu mjaftojë as për sigurimin e produkteve më elementare ushqimore, as për barnat më të domosdoshme që ua rekomandon mjeku.

Buletini Ekonomik

Ngritja e pensioneve në Kosovë për 20 për qind në fillimvitin e sivjetshëm pati efekte fare të shkurtëra në gjendjen financiare të pensionistëve kosovarë. Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të shumicës së produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe rënies të theksueshme të fuqisë blerëse në këta muaj, rritja e pensioneve për afro 200 mijë pensionistët e Kosovës e humbi, praktikisht, gjithë pritshmërinë për përmirësimin sado pak të jetës së pensionistëve.

Reklama e sponzorizuar

Ata, tani 5-6 muaj pas ngritjes së fundit jetojnë më keq, kanë fuqi më të paktë blerëse, dhe numerikisht janë pensionistë më të shumtë që kanë nevojë të domosdoshme për t’iu ndihmuar në përmbylljen e muajit me muaj, pasi që pensionet e tyre nuk u mjaftojë as për sigurimin e produkteve më elementare ushqimore, as për barnat që ua rekomandon mjeku. Ndërsa për gjëra të tjera, as që bëhet fjalë.

Me paratë e pensionit, 120 euro në muaj, nuk mund të jetoj as gjysmë muaji, as dhjetë ditë. Këto para nuk dalin për ta siguruar kafshatën më modeste të bukës, ndërkohë që kam nevojë të domosdoshme të kem barnat e rekomanduara gjatë muajit, që kushtojnë diku te gjysma e pensionit”, thotë pensionisti A.0., i ulur nën hijen e një peme në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’i ikur vapës tropikale të këtyre ditëve.

Ai është përfitues i pensionit të pleqërisë, ndërsa këtë pension në Kosovë e gëzojnë diku rreth 145 mijë të moshuar, të gjithë ata që kanë mbushur 65 vjet, pavarësisht a kanë punuar apo jo më përpara. Ai, duke folur për Buletinin Ekonomik ka shtuar se ndihmohet financiarisht nga fëmijët, por, megjithatë, nuk ka mundësitë financiare që pos në ndonjë rast të rrallë, të ulët në ndonjë kafene për një kafe.

Nuk është gjendja, gjithaq ndryshe, ose më e mirë as te pensionistët që kanë pensionet rreth 240 euro, ose 318 euro, ata kontributdhënësit. Kosova ka diku rreth 50 mijë pensionistë kontributdhënës. Duke pasur për bazë nivelin e çmimeve të ngritura, tani janë zhvlerësuar tej mase edhe pensionet e këtyre kategorive të pensionistëve. Ndikim në keqësimin e gjendjes ka pasur rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16,1 për qind dhe çmimet e produkteve të shportës, të artikujve ushqimor të nevojshëm për çdo ditë.

V. M., një pensionist kontributëdhënës, me përgatitje superiore shkollore, i informuar goxha detajisht për gjendjen financiare edhe në sektorë të tjerë, thotë se pensioni i tij del të jetë i ulët, kur të krahasohet me fuqinë blerëse të parave të pensionit dhe po të krahasohet me çmimet e produkteve elementare ushqimore dhe me koston që ka ngritur çmimi i ri i rrymës. Ai ka thënë se edhe në sektorë të tjerë, ku pagat janë sa dyfishi i pensionit të tij, ka shumë ankesa për rënien e fuqisë blerëse.

Sipas tij, aktualisht me këtë kaos në ecuritë e çmimeve në vend dhe me trendin e rritjes suksesive të shumë produkteve ushqimore, pensioni aktual është fare i vogël për të përmbushur të gjitha nevojat, madje edhe ato të domosdoshme. Dhe, ai fajëson edhe Qeverinë Kurti 2 si dhe të gjitha qeveritë paraprake, për moskujdes ndaj pensionistëve dhe për margjinalizim të skajshëm të tyre.

Këto ditë, një profesor universitar i ekonomisë, i shqetësuar për gjendjen e rënduar sociale në vend, shpërfaqi në medie shifra konkrete të rënies së fuqisë blerëse në Kosovë. Sipas tij, “aftësia blerëse e 100 eurove sot është sa 35 euro që kanë qenë në vitin 2020. Kjo tregon se çfarë hendeku i lartë është krijuar në mes të aftësisë blerëse të tanishme në raport me paranë”.

Bashkëbisedues të Buletinit Ekonomik, e pensionistë të shumtë, e theksojnë anashkalimin e tërësishëm të përkujdesit ndaj tyre, sidomos, në muajt, qëkur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qëkur në Kosovë, praktikisht ka nisë të shtohet anarkia dhe kaosi në shumë sektorë të shtetit si pasojë e mungesës së instititucioneve më të rëndësishme të pushtetit (mungesës së Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re).

Tani askujt nuk i bie ndërmend gjendja e rënduar e pensionistëve, as përkujdesja për numrin e pensionistëve që kanë nevoja reale për ndihmë institucionale. Ndërsa, ata, pensionistët pra, sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, mbeten njerëzit më të goditur në Kosovë. Sepse, nëse nuk kanë ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk kanë mundësi të ushqehen asesi si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pijnë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me pensionet aktuale, të zhvlerësuara shumë nga rënia e fuqisë blerëse, thjesht nuk ia dalin, nuk kanë asnjë mundësi të plotësojnë as nevojat elementare.

Të përkujtojmë në fund se pensionistët, gjithandej në shtetet e Ballkanit, janë të margjinalizuar dhe me përkujdesje minimaliste, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në Mal të Zi, Shqipëri, apo në Serbi. Mirëpo, siç shihet nga informacionet të medieve të shumicës së vendeve të rajonit, por edhe nga njoftimet zyrtare, megjithatë, në raste dhe herë pas here, në këto shtete rikthehet vëmendja kah pensionistët me rritje me të përditësuar të pensioneve dhe me ”infuzione” të ndryshme financiare në favor të tyre. Më konkretisht në shumicën e shteteve edhe të rajonit të varfër, sado pak, por gjithnjë kanë njëfarë vëmendje ndaj pensionistëve. Sipas mundësive edhe kanë rritur pensionet, madje edhe në periudha të paskrizave në shumë raste. Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet edhe Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët i korigjon pensionet dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale. Në Maqedoninë e Veriut që pas pandemisë, pensionet janë rritur në harmoni me shkallën e inflacionit, ndërsa në Serbi dhe në Mal të Zi, po kështu kanë ndodhur disa herë rritje pensionesh, por edhe bonuse të ndryshme financiare nga arka e shtetit. Edhe Kosova ka mundësi dhe potencë financiare të veprojë pak a shumë në këtë mënyrë po të kishte më shumë vullnet politik të vendimmarrësve (të shtetit dhe të institucioneve përkatëse). /Buletini Ekonomik/