Njësitë e riaktivizuara ( B1–shi dhe A5-shi) bashkarisht prodhojnë diku rreth 380 megavatë-orë, ose 260 megavatë orë B1-shi dhe diku 120-130 megavatë A5-shi. Kjo sasi e energjisë elektrike, nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit të Kosovës me rrymë, dhe mungesat kushtimisht duhet të importohen edhe më tutje.
Buletini Ekonomik
Pas ditëve me gjendje të rëndë elektroenergjetike, sidomos në fundjavën e kaluar, në Kosovë, si pasojë e problemeve teknike thuaja në të gjitha njësitë e prodhimit, sot sikur është zbutur paksa kriza pasi që në prodhim janë rikthyer blloku B2 i termocentraleve Kosova B dhe A5-shi i Kosovës A.
Njësitë e riaktivizuara bashkarisht prodhojnë diku rreth 380 megavatë-orë, ose 260 megavatë orë B1-shi dhe diku 120-130 megavatë A5-shi. Kjo sasi e energjisë elektrike, sado që nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit të Kosovës me rrymë, është shumë më shumë se sa kur ishte në prodhim vetëm një nësi e termocentraleve Kosova A.
Sic dihet, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar më 22 qershor se Njësia B1 e Termocentralit Kosova B është kthyer në operim, pas realizimit të disa sanimeve. Sipas KEK-ut, ndërhyrjet janë realizuar në kohë më të shkurtër sesa që ishte parashikuar.
“Punimet kryesore të realizuara gjatë kësaj periudhe përfshijnë: Sanimi i rrjedhjeve në kaldajë, me ndërrimin e rreth 30 gypave të dëmtuar në nivele të ndryshme; sanimi i rrjedhjeve në kondenzator, me eliminimin e rreth 410 gypave me rrjedhje; intervenime në skarën 1 dhe 2, me qëllim përmirësimi të performancës së djegies; riparime në barrierën termike të pompës furnizuese PF1; sanimi i defekteve në filtrin elektrik, në 7 nga 8 fushat e tij, me angazhim të pandërprerë teknik”, thuhej në njoftimin e KEK-ut me rastin e r ikthimit në operim të B1-shit.
Ndërkohë, njësia A5 e termocentralit Kosova A është rikthyer të dielën në operim pas një serie ndërhyrjesh teknike të planifikuara me sukses. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton se njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit. Punimet përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës, pastrimin me pompë të ftohësve të hidrogjenit, mirëmbajtje në pajisjet e sistemit MRRK, dhe pastrimin e kuotave rreth kaldajës për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.
KEK ka sqaruar se gjatë startimit, që zgjat 3-4 orë, mund të ketë pasur rritje të përkohshme të emetimeve, për shkak të procesit teknologjik të djegies që fillon me naftë dhe pastaj kalon në linjit.
Sipas njoftimit, “kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.”
Kjo është gjendja momentale e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e KEK-ut. Mungesën e energjisë elektrike të nevojshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve të vendit KESCO është duke e importuar.
Çmimet në bursat ndërkombëtare këtyre ditëve lëvizin shumë, dhe ka ndodhur brenda ditës të ketë çmime shumë të lira, madje edhe nën dhjetëra euro megavati, por , pokështu, brenda ditës një megavat-orë ka shkuar në mbi 100 euro e përtej.
Sot në bursën hungareze HUPX, prej nga Kosova gjithnjë ka blerë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike, një megavat-orë gjatë ditës mesatarisht ka kushtuar 104, 18 euro, ndërsa gjatë orëve të pikut një megavat-orë do ta ketë çmimin 69,26 euro. Kurse të dielën, çmimi mesatar gjatë ditës në këtë bursë ka qenë 92,13 euro për një megavat-orë, ndërsa gjatë orëve të pikut 65,26 euro megavati. /Buletini Ekonomik









