Masa të reja për naftën, MINT kufizon fitimin maksimal të shitësve

Nafta
Pikë e shitjes së derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor.

Në njoftim thuhet se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien.

Reklama e sponzorizuar

Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar si në vijim:

 Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër

 Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër

“Përmes këtij vendimi të sotëm, që hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore”, thuhet në njoftimin e MINT.

Tutje, thuhet se ky siguron konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës.