Kosova, pa politika të efektshme sociale

Shumica e shteteve të rajonit, pak a shumë me deficite të ngjashme të mjeteve financiare nga arka e shtetit si në Kosovë, tashmë kanë krijuar strategjitë e tyre të mbrojtjes sociale, kanë ndërmarrë edhe një numër masash të tjera për ta zbutur institucionalisht varfërinë në shtetet e tyre, kanë rritur pensionet disa herë në këto vite (në disa vende të rajonit sipas rritjës së shkallës së inflacionit), si masë të domosdoshme për t’ua lehtësuar sadopak pensionistëve të tyre jetën në vitet e pleqërisë.

Mehmet GJATA

Reklama e sponzorizuar

Kosova, në të gjitha periudhat e pasluftës ka dështuar për të pasur një strategji shtetërore, ose kombëtare, qoftë edhe modeste të mbrojtjes sociale. Kosova, sot e kësaj dite, më 2025-tën pra, akoma nuk ka ndonjë politikë sociale të efektshme dhe as strategji afatshkurtër as afatgjate në këtë plan.

Republika jonë ende nuk ka strategji nacionale të mbrojtjes sociale, nëpërmjet së cilës do të synohej së paku zbutja e varfërisë për individët e varfër dhe për përmirësimin e jetesës për personat me aftësi të kufizuara përmes mbështetjes me skemat financiare. Nuk ka një strategji, që ndër të tjera, do të synonte edhe zgjerimin e shërbimeve sociale dhe konsolidimin e procesit të shërbimeve ekzistuese të kujdesit social për financim të qëndrueshëm për kosovarët që realisht kanë nevojë për ndihmat nga shteti.

Të përkujtojmë se shumica e shteteve të rajonit, pak a shumë me deficite të ngjashme të mjeteve financiare nga arka e shtetit, tashmë kanë krijuar strategjitë e tyre të mbrojtjes sociale, kanë ndërmarrë edhe një numër masash të tjera për ta zbutur institucionalisht varfërinë në shtetet e tyre, kanë rritur pensionet disa herë në këto vite (në disa vende të rajonit sipas rritjës së shkallës së inflacionit), si masë të domosdoshme për t’ua lehtësuar sadopak pensionistëve të tyre jetën në vitet e pleqërisë.

Edhe Shqipëria, ndër shtetet akoma më të varfëra jo vetëm në Ballkan, në vitin e kaluar ka miratuar Strategjinë Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024–2030. Me këtë vendim, parashikohet të shpenzohen 2,3 miliardë euro për zbutjen e varfërisë në Shqipëri, ndërsa 96 për qind e kësaj shume do të mbulohet ndër vite nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, në Kosovë edhe në rrethanat e funksionimit më normal të institucioneve (deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025), autoritetet dhe institucionet nuk i kanë përfillë kërkesat e shtuara për të pasur dhe për të zbatuar politika sociale të pranueshme, të zbatueshme dhe të efektshme për përkujdesjen sociale ndaj popullsisë së vet, numerikisht jo të papërfillshëm. Ndërsa tani e mbi katër muaj, qëkur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qëkur në Kosovë, praktikisht ka nisë të shtohet anarkia dhe kaosi në shumë sektorë të shtetit si pasojë e mungesës së instititucioneve më të rëndësishme të pushtetit (mungesës së Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re), çështja sociale, preokupimi institucional me gjendjen e rënduar realisht të shumë shtresave të popullsisë së vendit, përkujdesja për numrin e personave që kanë aktualisht nevoja reale për ndihmë institucionale, as që mund të bëhet fjalë.

Tani e katër muaj, e edhe më shumë, këto çështje janë thuaja se të huaja për ministrat përkatës në detyrë. Asnjërit nga ta nuk i bie ndërmend për gjendjen e rënduar të shumë qytetarëve të vendit. Kuvendi nuk ekziston, për ta përkujtuar dhe azhuruar problemin nga ndonjë deputet më serioz dhe më i përkushtuar për misionin që ka.

Gjithsesi, tani po thellohet varfëria tek shumë kategori që janë përfitues të ndihmave social. Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës së fundit ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familiarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë këto kategori qytetarësh. Dhe, këto kategori kosovarësh, nëse nuk kanë ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk kanë mundësi ta përmbyllin muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga shuma e ndihmave nga shteti, as nga pensionet e tyre. Thjesht, nuk kanë mundësi të ushqehen asesi si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pijnë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 120 euro pension (numri dërmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare.

Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Ndërkohë, gjendja sociale në Kosovë është akoma më e rënduar dhe e ç’ekuilibruar edhe si pasojë rënies drastike të fuqisë blerëse të popullatës shumicë.

Këto ditë, një profesor universitar i ekonomisë, i shqetësuar për gjendjen e rënduar sociale në vend, shpërfaqi në medie shifra konkrete të rënies së fuqisë blerëse në Kosovë. Sipas tij, “aftësia blerëse e 100 eurove sot është sa 35 euro që kanë qenë në vitin 2020. Kjo tregon se çfarë hendeku i lartë është krijuar në mes të aftësisë blerëse të tanishme në raport me paranë”.

Edhe një anketë e mëhershme e UNDP-së ka treguar qartë “përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind. Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfëra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë”.

Dhe, sipas të dhënave aktuale që herë pas here defilojnë në publik, kjo gjendje është akoma më e rënduar. Fuqia blerëse në Kosovë është e lëkundur në përmasa të frikshme. Në këto zhvillime, ndikim të madh kanë pasur ngritja e vazhdueshme dhe e egër e çmimeve, sidomos të produkteve esenciale ushqimore. Ndërsa, sipas hulumtimit më të ri të Barometrit të BE-së, “vetëm 18 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me situatën ekonomike, ndërsa 82 për qind shprehin pakënaqësi”. Këto të dhëna, vlerërson barometri i BE-së “pasqyrojnë nivelin e lartë të shqetësimit për papunësinë, inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës në vend”.

Edhe tregues të tjerë direkt të përcaktimit të varfërisë së një vendi (Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë), e rendisin ndër të fundit Kosovën. Ndërkohë, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës. Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, i shpërfaqin goxha bindshëm shqetësimet e tyre për gjendjen sociale të kosovarëve shumicë, por edhe mllefin për indolencën e pakuptueshme institucionale për zbutjen e përmasave tronditëse të varfërisë në vend. /Buletini Ekonomik/